Fermerët në Maqedoni të pakënaqur me çmimin e grurit

Maqedonia

Fermerët në Maqedoni të pakënaqur me çmimin e grurit

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 18:39
Foto ilustrim

Prodhuesit e grurit shprehen tejet të pakënaqur me çmimet e shitblerjes prej 9, 10 apo 11 denarë për kilogram grurë. Ankesat për çmimin e ulët vijnë jo vetëm nga fermerët individual, por edhe nga prodhuesit e mëdhenj industrial.

Nga Kombinati bujqësor “Pellagonia” thonë se në kushtet kur mielli që përdoret si ushqim për kafshët apo mielli blegtoral ka çmim prej 12 denarë për kilogram, paralajmërimi i mullinjve në vend se grurin nga korrja e sivjetshme do ta blejnë me çmim prej 9, 10 dhe 11 denarë, është jo realisht i ulët dhe do të sjellë kolaps të prodhimtarisë së grurit.

“Ky çmim i blerjes do të sjellë humbje për prodhuesit e grurit, dhe humbje në prodhimtarinë primare, që do të thotë humbje edhe në vitin e ardhshëm. Fermeri nuk do të ketë mjete për të blerë repromaterialet e nevojshëm për të financuar korrjen e ardhshme, gjë që do të ndikojë ndjeshëm në sasinë dhe cilësinë e prodhimtarisë së ardhshme”, vlerësojnë nga ky kombinat. Për më tepër shtojnë se nëse dihet se gjatë përpunimit të 1000 ton grurë fitohen 300 ton miell blegtoral, 330 ton miell TIP 500 dhe 370 ton miell TIP 400 dhe nëse kësaj i shtohen shpenzimet e përpunimit të grurit, apo për energjinë elektrike, ambalazhimin, dorën e punës, si dhe fitimin, llogaritjet tregojnë se çmimi i blerjes së grurit duhet të jetë 14,42 den/kg.

Nga ana tjetër, edhe bujqit përmes organizatave të tyre shprehen se ky çmim i paralajmëruar për grumbullim të grurit është shumë larg nga shpenzimet që kanë bërë ata, duke marrë parasysh se në vjeshtë gjatë mbjelljes, dizeli kushtonte mbi 100 denarë për litër, ndërsa plehrat artificial kishin koston prej 3000 denarë për një thes. Me kërkesë të rrjetit kombëtar bujqësor – Instituti Bujqësor nga Shkupi, ka përpunuar analizën sipas së cilës çmimi prodhues për grurin kap vlerën prej 19 denarë. Duke qenë se çmimi i blerjes është 11 denarë, ato konsiderojnë se janë përmbushur dispozitat ligjore për blerje intervenuese nga shteti. Ligji për Bujqësinë parashikon që kur çmimet e blerjes janë nën çmimet e prodhimit, shteti do të kryejë një blerje ndërhyrëse për rezervat e mallrave me çmime të paktën 25 për qind, mbi çmimet e llogaritura të prodhimit dhe në këtë mënyrë të mbrojë prodhimin vendas të drithërave të cilat janë kulturat strategjike me rëndësi thelbësore sipas ligjit për shtetin dhe qytetarët.

Ministria e Bujqësisë është e mendimit që përmes Programit për intervenim të krijohet një masë e re që ofron mbështetje për grurin, përmes 3 denarë shtesë për kilogram grurë të shitur për te blerësit e regjistruar në periudhën deri më 31 gusht 2023. Ministria e Bujqësisë, pritet t’i dërgojnë kërkesë Agjencisë së Rezervave të Mallrave që prokurimi publik i planifikuar i 15 mijë tonëve grurë, për nevojat e rezervave mallrash, të ndahen në pesë lote prej 3000 tonësh secili duke i dhënë përparësi sasive vendase të grurit. Gjithashtu së bashku me tre denarë që shteti ofron që më parë për një kilogram grurë me këto tre denarë shtesë pritet që fermerët nga shteti të fitojnë 6 denarë subvencione për një kilogram grurë. Njëherësh nga 70 mijë hektarë të mbjella me grurë, që është një rritje prej 13 për qind në raport me vitin paraprak priten rreth 260 mijë tonë grurë, mirëpo këto sasi mund të ulen nga reshjet prej 10 deri në 20 për qind.

Nënvlerësim i kostos prodhuese

“Ajo që po ofrojnë mullisët është larg kostos sonë të prodhimit dhe nuk ka asnjë mënyrë se si mund të mbulojmë koston. Ne presim një rendiment dhe cilësi të mirë të grurit, por derisa të fillojmë të korrim nuk do të dimë saktësisht se çfarë rendimentesh kemi. Është mirë që qeveria do të japë subvencione shtesë prej 3 denarë sepse çdo denarë që u jepet fermerëve është i mirëseardhur. Gjithashtu jemi të kënaqur që u pranua kërkesa jonë për blerjen e disa pikave për rezerva komerciale, me qëllim blerjen e prodhimit vendor“, thotë Petre Stojkoski, kryetar i Shoqatës së Fermerëve. Mullisët që filluan të blejnë tonelatat e para të grurit thonë se mund të japin vetëm çmimin e tregut, i cili varion nga 9 deri në 11 denarë për kilogram, varësisht nga cilësia e grurit.

Nga Shoqata e mullisëve thonë se sivjet cilësia e grurit është më e ulët dhe nuk mund ta vendoset në asnjë klasë, së paku për ato sasi që tashmë janë blerë. “Hektolitri është nga 63 në 68, që është kufiri më i ulët për cilësinë dhe renditet në ushqimin e kafshëve. Por ne si mullinj nuk duhet të lejojmë që klientët tanë të pësojnë dëme në një vit kur cilësia e grurit është e ulët dhe për këtë arsye ne mundohemi të blejmë sa më shumë grurë dhe më pas duke u përzier me grurin e importuar më cilësor, të fitojmë cilësi. Miell. Sa më shumë grurë jo cilësor të blejmë nga prodhimi vendas, aq më shumë do të na duhet të importojmë cilësi më të lartë, gjë që na bën të punojmë në nivel rentabiliteti ose me humbje çdo vit”, thotë Goran Malishiq nga Shoqata e Mullisëve të Maqedonisë.

Sipas tij, çmimi në bursë në Serbi është 9.5 denarë për kilogram dhe atë çmim ua japim fermerëve. Në varësi të cilësisë, çmimi mund të jetë 10 dhe 11 denarë për kilogram. Kjo do të thotë se fermerët do të marrin çmimin prej 15 deri në 17 denarë për kilogram, nëse këtu llogariten edhe 3 denarë subvencionim shtesë dhe 3 denarë subvencione të marra deri më tani nga qeveria, thekson Malishiq.

Nga ana tjetër, vlerësohet se në vit në Maqedoni, prodhohen 250-260 mijë ton grurë vendor, ndërsa pjesa tjetër do të importohet nga jashtë. Në periudhën 2007-2018, grumbullimi i grurit merkantil, apo grurit tregtar shënon trend të rënies së vazhdueshme, ndërsa po shënohet rritje e importit. Njëherësh, në këtë periudhë importi i grurit merkantil dhe miellit në mesatare ka qenë 110.130 ton, që paraqet 32 për qind të nevojave të industrisë së miellit, tregojnë analizat e Odës ekonomike të Maqedonisë. Një e treta e nevojave për miell dhe grurë importohen nga jashtë, duke marrë parasysh se edhe gruri vendor nuk është në tërësi cilësor për prodhimin e bukës, apo nuk mund të shfrytëzohet nga industria vendore e miellit dhe prodhimit të bukës.

Shtrenjtohet gruri në botë

Nga ana tjetër, çmimet e grurit dhe misrit në tregjet globale të mallrave u rritën të hënën pasi Rusia u tërhoq nga një marrëveshje vendimtare që lejonte eksportin e grurit nga Ukraina.

Gjatë një konferencë me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov zbuloi ndërprerjen e marrëveshjes, duke deklaruar se Rusia do të rifillojë zbatimin e marrëveshjes pasi të përmbushen kërkesat e saj.

“Kur të zbatohet pjesa e marrëveshjes së Detit të Zi që lidhet me Rusinë, Rusia do t’i kthehet menjëherë zbatimit të marrëveshjes”, tha Peskov. Ky shënon fundin e një marrëveshjeje të rëndësishme të ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Turqia verën e kaluar që lejonte eksportin e ushqimit nga rajoni i Detit të Zi pas pushtimit të Rusisë në vendin fqinj një vit e gjysmë më parë. Rënia e paktit kërcënon të rrisë çmimet e ushqimeve për konsumatorët në mbarë botën dhe të çojë miliona në uri.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se vendimi i Rusisë do të përkeqësojë pasigurinë ushqimore dhe do të dëmtojë miliona njerëz të cenueshëm në mbarë botën.

“Iniciativa e grurit të Detit të Zi ka qenë kritike për uljen e çmimeve të ushqimeve në mbarë botën, të çilat u rritën si rezultat i pushtimit brutal dhe të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia”, tha në një deklaratë Adam Hodge, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së. Marrëveshja e Detit të Zi e ndërmjetësuar fillimisht nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara një vit më parë siguroi kalimin e sigurt të anijeve që transportonin grurë nga portet ukrainase. Deri më tani, marrëveshja ka lejuar eksportin e pothuajse 33 milionë tonë metrikë ushqimore përmes porteve të Ukrainës, sipas të dhënave të OKB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat