Xhaferi pranon propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, tregon procedurat që vijojnë

Maqedonia

Xhaferi pranon propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, tregon procedurat që vijojnë

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 15:20
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, njofton se sot e pranoi Propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, propozues i të cilit është Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kryetari Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit.

“E informojmë opinionin se në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren, kryetari tani më e ka caktuar seancën plenare më 18 gusht 2023 në ora 11:00. Para se të shqyrtohet Propozimi në Seancë plenare, Propozimin do e shqyrtojë Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, kryetar i të cilit është kryetari Xhaferi. Seanca e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese është caktuar më 25 korrik në ora 10:00”.

“Në pajtim me dispozitat ligjore, Komisioni duhet të debatojë sipas Propozimit më së shumti 10 ditë pune. Duke e pasur parasysh se 2 Gushti është ditë jo pune, a më 27 korrik tani më ka seancë të caktuar për pyetje të deputetëve, pritet që puna e Komisionit për Çështje Kushtetuese të përfundojë ndërmjet 7 dhe 9 gusht. Pas çka, Propozimi do të shqyrtohet në seancë plenare, në të cilën debati zgjat deri në 10 ditë pune”.

“Në rast se me shumicë dy të tretat, miratohet nevoja për nxjerrjen e ndryshimeve kushtetuese, Kuvendi miraton Konkluzion dhe e dërgon materialin në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kuvendi, me Konkluzion e cakton afatin në të cilin parashtruesi (Qeveria), përpilon tekst të propozim amendamenteve të Kushtetutës, të cilin e dërgon te Kryetari i Kuvendit, pas çka Kuvendi, në procedurë të njëjtë në kontekst të afateve, do të debatojë për to”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Xhaferit.

Puna e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese dhe seanca plenare do të transmetohen drejtpërdrejtë në TV kanalin e Kuvendit dhe qytetarët do të kenë qasje të përhershme në punën e Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat