Çfarë dinë autoritetet e Maqedonisë për kompaninë "Cytrox", e sanksionuar nga SHBA-ja?

Maqedonia

Çfarë dinë autoritetet e Maqedonisë për kompaninë "Cytrox", e sanksionuar nga SHBA-ja?

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 21:14
Foto ilustrim

Institucionet për zbulim dhe kundërzbulim, si dhe sektori për luftimin e kriminalitetit në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut nuk kanë dhënë asnjë informacion pas publikimit të Departamentit amerikan Tregtisë se kompania maqedonase “Cytrox” është pjesë e listës së zezë amerikane.

“Cytrox” është kompani vëzhgimi me bazë në Hungari.

Nga Agjencia për Zbulim e Maqedonisë së Veriut për Radion Evropa e Lirë thonë se “Cytrox” si kompani është e njohur për ta, porse nuk mund të japin më shumë të dhëna pasi bëhet fjalë për informacione të klasifikuara.

Nga Kuvendi bëjnë të ditur se në këtë institucion Shërbimet e Sigurisë dhe Inteligjencës gjatë javës së ardhshme pritet të referojnë rreth aktiviteteve të kompanisë maqedonase “Cytrox“ AD – Shkup, e cila është e vendosur në listën e zezë amerikane.

“Kjo çështje do të diskutohet në Komisionin për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencive të inteligjencës”, ka theksuar shkurt për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencive të Inteligjencës, Lubço Prexhov.

Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, kompania maqedonase “Cytrox” me dy kompanitë e tjera, “Intellexa S.A” në Greqi, “Intellexa Limited” në Irlandë dhe “Cytrox Holdings Crt” në Hungari, trajtohen si rrezik sigurie për Shtetet e Bashkuara, për shkak të keqpërdorimit të softuerit spiunues.

Nga Prokuroria Publike e Maqedonisë, thonë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë kompetenca për të vepruar për veprat penale që janë jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut.

“Deri në këto moment nuk ka indicie se me këtë softuer është kryer vepër penale që parashihet të sanksionohen në përputhje me Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Radion Evropa e Lirë.

Kompanitë, të cilat janë në listën e zezë amerikane, së fundmi u identifikuan si pjesë e të njëjtit grup që zhvilloi dhe shiste softuerin “Predator”, i cili infekton dhe gjurmon pajisjet telefonike në mbarë botën.

Në dhjetor të vitit 2021, Meta bëri të ditur se kompania “Cytrox” është futur në listën e zezë të kësaj kompanie për shkak të keqpërdorimit, përkatësisht për spiunim të shfrytëzuesve të kësaj platforme.

“Cytrox” është njëra nga 7 kompanitë që kanë shfrytëzuar platformën e Facebook-ut për të shpinuar 50 mijë persona në 100 vende të botës.

Në dhjetor të vitit 2021 Meta, e cila përveç Facebook-ut zotëron edhe rrjetet sociale Instagram dhe WhatsApp, ua ka ndaluar qasjen në platformën e saj shtatë kompanive, të cilat Meta i identifikoi në raportin e saj janë “Cobwebs Technologies”, “Cognyte”, “Black Cube”, “Bluehawk CI”, “BellTroX” dhe kompaninë maqedonase “Cytrox”.

Me këtë rast u hoqën rreth 1.500 profile, të cilat u përdorën nga 7 kompanitë për të mbledhur informacione rreth përdoruesve në më shumë se 100 vende.

Në raportin e Meta-s theksohet se kompania “Cytrox” e themeluar në Maqedoninë e Veriut përdori një dobësi të panjohur deri më tani në softuerin Apple Inc. për ta hakuar atë, duke zhvilluar malware që vepron në sistemet operative Android dhe IOS.

Kompania maqedonase “Cytrox”, është themeluar në Shkup në vitin 2017. Në bazë të të dhënave nga Regjistri Qendror, themelues i kësaj kompanie për zhvillimin e softuerëve është një kompani hungareze me bazë në Budapest, “Sytrosk Holdings Limited Joint Stock Company” me një kapital fillestar prej 25 mijë eurosh, themeloi “Cytrox AD” Shkup.

Që të dy këto kompani “Sytrosk Holdings Limited Joint Stock Company” me seli në Budapest dhe “Cytrox” në Shkup ndodhen tani në listën e zezë amerikane.

Aktiviteti kryesor i kompanisë “Cytrox” në Shkupi sipas të dhënave të Regjistrit Qendror theksohet se është programimi kompjuterik. Që nga themelimi, kompaninë e ka drejtuar Ivo Malinkovski, i cili më vonë është tërhequr nga ky post.

Disa muaj pas themelimit të kompanisë “Cytrox” në Maqedoninë e Veriut, asaj iu bashkuan pesë shtetas izraelitë përmes blerjes së aksioneve për një euro.

Avraham Rubinstein, i cili zotëron gjysmën e aksioneve, vjen nga firma izraelite “Inpedio”. Kjo firmë, sipas portofolit të tyre, është themeluar nga një ekip veteranësh të sigurisë kibernetike, dhe ka shumë vite përvojë në metodat e sigurisë celulare dhe sulmeve kibernetike.

Rubinstein u largua nga “Cytrox” në qershor të vitit 2020 së bashku me aksionarët të tjerë izraelitë.

Në prill të vitit 2021, Meir Shamir, 72 vjeç, shtetas izraelit u regjistrua si pronar i kompanisë “Cytrox”. Bëhet fjalë për drejtorin ekzekutiv dhe aksionarin kryesor në kompaninë “Mivtach Shamir Holdings Lt”.

Meir Shamir është një ish-veteran i Forcave Ajrore izraelite dhe, sipas raportimeve të mediave izraelite, mban epitetin e një biznesmeni kontrovers.

Kompania “Cytrox” në bazë të të dhënave të llogarisë përfundimtare të dorëzuara në Regjistrin Qendror, gjatë dy viteve të fundit ka shënuar zero profit.

Në vitin 2021, kjo kompani ka shënuar humbje mbi 165 mijë euro, ndërsa vitin e kaluar më 2022, rreth 90 mijë euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga disa media në vitin 2020, kompania ka raportuar të ardhura prej 1.5 milion eurosh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat