Kërcënohet me jetë ekipi i Televizionit “Alsat”, personi sulmoi fizikisht kameramanin

Maqedonia

Kërcënohet me jetë ekipi i Televizionit “Alsat”, personi sulmoi fizikisht kameramanin

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 16:43
Era Gjakova

Sulmohet ekipi i televizionit Alsat ndërsa ishte në detyrë. Sulmi fillimisht verbal dhe më pas fizik ndodhi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ndërsa dy gazetaret e televizionit Alsat Era Gjakova dhe Sarah Hoxha së bashku me kameramanin po xhironin në terren. Një person që kishte dhe dyqanin aty pranë pa kurrfarë arsye ka kërcënuar me mjete të mprehta gazetaret dhe kameramanin. Ai madje i kërcënoi ata me jetë. Pas kërcënimeve me jetë, pa kurrfarë arsye personi sulmoi fizikisht kameramanin e Alsatit duke i shkaktuar lëndime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit.

“Ne ishim duke e bërë punën tonë, pasi gazetaria është pjesë shumë e madhe edhe në terren. Ishim duke incizuar në vend publik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit pa mos cenuar privatësinë e askujt dhe pa pritur e kujtuar na doli një prej personave që kishte dyqanin në Çarshi e Vjetër, pastaj e kuptuam se ishte berber. Filloi të na kërcënojë, sidomos kameramanin. Kërcënimet ishin me jetë do t’ju bëj copë-copë, sharje dhe ofendime të ndryshme. Pavarësisht që u munduam të largohemi dhe personi u kthye në dyqan dhe doli dhe filloi ta sulmojë fizikisht kameramanin me ç’rast kameramani ra në tokë dhe ka lëndime në pjesë të ndryshme të trupit,” deklaroi Era Gjakova, gazetare.

Pas sulmit në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, por sulmuesi ndërkohë mbylli dyqanin e tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

“E denoncuam rastin në polici, erdhi policia dhe së bashku me kolegen Sarah Hoxha që ishim aty dhamë dhe deklaratat dhe presim të shkojmë në stacionin policor për të dhënë të gjitha detajet,” u shpreh Era Gjakova, gazetare.

Pas sulmit, gazetareve dhe kameramanit të Alsat i është ofruar ndihmë mjekësore. Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme informon se pas denoncimit të rastit po punohet për zbardhjet e plotë të sulmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat