Alternativa: Për krimin në Klinikën e Onkologjisë duhet të ketë përgjegjësi

Maqedonia

Alternativa: Për krimin në Klinikën e Onkologjisë duhet të ketë përgjegjësi

Më: 4 shtator 2023 Në ora: 17:46
Alternativa

Edhe partia e Afrim Gashit ka reaguar në lidhje me rastin e fundit në Klinikën e Onkologjisë në Shkup.

“Ashtu siç është i informuar opinioni i gjerë, në Klinikën Universitare të Onkologjisë dhe Radioterapisë po zhvillohen hetime për abuzim të rëndë me barnat për të sëmurët me kancer. Siç është raportuar në media, dikush nga të punësuarit në këtë klinikë ka bërë biznes me ilaçet shumë të shtrenjta, që janë të parapara për pacientë me sëmundje të rënda kancerogjene”, thonë nga kjo parti.

Ata shtojnë se pavarësisht nga vendimet gjyqësore, këto dyshime flasin për krim të thellë në institucionet shëndetësore dhe paraqesin lajm të keq për të gjithë pacientët që shëndetin e tyre ia besojnë shëndetësisë publike.

“Duke e dënuar këtë veprim të të punësuarve në Onkologji, AlternAtivA bën thirrje që ky rast të mos përfundojë nga Prokuroria Publike njësoj si cinizmi i saj me spitalin modular në Tetovë, ndërsa kërkon mbështetje dhe mbikëqyrje nga miqtë ndërkombëtarë që ta vëzhgojnë këtë lëndë, për të mos e lënë të bëhet objekt manipulimesh të njohura nga Prokuroria e Jovevskit. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën dhe të mbledhim të dhëna, por edhe ta bëjmë betejën politike që sa më shpejt ta rrëzojmë këtë qeveri kaq të korruptuar e të pamëshirshme për jetët e qytetarëve të saj, sepse ajo nuk është e dëmshme vetëm në kuptimin politik dhe ekonomik, por është bërë e rrezikshme edhe për jetën fizike të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Alternativës.

Ata po ashtu theksuan se kohën kur Alternativa ka drejtuar dikasterin e Shëndetësisë, përmes ministrit Bekim Sali, kanë ngritur hetime dhe revizion, madje është shkarkuar drejtori medicinal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat