Bytyqi: Maqedonia e Veriut ofron kushte konkurruese dhe të parashikueshme për investitorët e huaj

Maqedonia

Bytyqi: Maqedonia e Veriut ofron kushte konkurruese dhe të parashikueshme për investitorët e huaj

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 21:23
Fatmir Bytyqi

Interesimi i treguar nga përfaqësuesit e komunitetit gjerman të biznesit na bën të sigurt se kompanitë gjermane do të vazhdojnë të marrin pjesë aktive në avancimin teknologjik, rritjen e qëndrueshme dhe zhvillimin e ekonomisë sonë, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi, i cili po qëndron në Frankfurt, në një tryezë të rrumbullakët së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike (DZZHIT), Jovan Despotovski, para përfaqësuesve të industrisë së fortë gjermane, kompanive nga disa sektorë, prezantoi mundësitë për investime në vendin tonë, për masat e Qeverisë dhe mbështetjen që kompanitë e huaja marrin.

“Theksuam se niveli i lartë i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë paraqet një përvojë të shkëlqyeshme për rritjen e mëtejshme të kompanive gjermane, që është mbi 200, të cilat kanë investuar dhe punësojnë mbi 22.000 qytetarë, të cilët paguhen rregullisht me paga konkurruese”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se kompanitë gjermane ndihmojnë shumë në përshtatjen e standardeve në ekonominë e Maqedonisë me ato të BE-së.

“Përvoja që i duhet ekonomisë sonë për t’u përgatitur në kohë për integrimin në hapësirën ekonomike të BE-së. Presim që këto përfitime të vazhdojnë, thellohen dhe zgjerohen”, tha Bytyqi në deklaratën e tij për mediat pas tryezës së rrumbullakët.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se nga interesimi i shprehur në tryezën e rrumbullakët me përfaqësues të komunitetit gjerman të biznesit, është reale të pritet që kompanitë gjermane të vazhdojnë të marrin pjesë aktive në avancimin teknologjik, rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë sonë.

“E rëndësishme është se bëhet fjalë për kompani të avancuara teknologjikisht, të etabluara në tregjet globale, të cilat suksesin e tyre nuk e bazojnë në fuqinë punëtore të lirë, por në burimet njerëzore që dallohen nga njohuritë e avancuara, inovacioni, me aftësi të integruara për të qenë pjesë të proceseve më moderne të prodhimit teknologjik”, tha Bytyqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat