Data e zgjedhjeve në RMV, ende nuk ka nismë për takim

Maqedonia

Data e zgjedhjeve në RMV, ende nuk ka nismë për takim

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 19:54
Foto ilustrim

Akoma nuk është konkretizuar pajtueshmëria e arritur mes krerëve të LSDM-së e OBRM-PDUKM-së që data e zgjedhjeve të dakordohet në nivelin e grupeve të punës në Kuvend. Për këtë çështje, kreu i opozitës Hristijan Mickoski kërkoi një takim liderësh, por kryeministri Dimitar Kovaçevski u përgjigj me një ofertë për një grup pune, që do të përfshinte përfaqësues nga partitë, dhe një propozim i tillë për opozitën ishte i pranueshëm.

Në koordinimin e sotëm të kryetarëve të grupeve parlamentare, i cili u thirr nga kryetari Talat Xhaferi, tema u ngrit përsëri. Siç informuan nga Kabineti i kreut të Kuvendit, Xhaferi sqaroi para deputetëve procedurat ligjore për shpalljen e zgjedhjeve, si dhe datat e mundshme për organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Jozyrtarisht, ai përsëriti se zgjedhjet e dyfishta në një kohë të rregullt mund të organizohen vetëm më 5 maj. Kabineti i tij theksoi se tani për tani nuk kishte asnjë kërkesë zyrtare nga asnjë parti politike për krijimin e një grupi të posaçëm pune, për të rënë dakord se kur do të mbahen zgjedhjet dhe i porositi përfaqësuesit e partive tua bartin të gjitha variantet udhëheqësve të tyre.

Ndërkohë, opozita është në pritje të hapit të parë që do të ndërmarrë qeveria. OBRM-PDUKM ka bërë thirrje disa herë që zgjedhjet parlamentare të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe nëse ato nuk janë në fillim të kësaj vjeshte, atëherë vitin e ardhshëm ato të mbahen së bashku me zgjedhjet presidenciale.

“Ne jemi ende duke pritur kontaktet fillestare, që do të bëhen nga LSD dhe ne jemi gati të flasim, dhe kur të ketë ndonjë fillim të bisedimeve ne do të informojmë publikun më hollësisht”, deklaroi Marija Miteva – zëdhënëse e OBRM-PDUKM-së.

Edhe Lëvizjes Demokratike kërkon që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht nëse ato zhvillohen së bashku me zgjedhjet presidenciale apo jo. Kjo parti njoftoi se ata do të merrnin pjesë në një grup të mundshëm pune.

“Ne jemi të gatshëm që edhe nga nesër të fillojmë atë procedurë për inicimin dhe organizimin e zgjedhjeve. Ne do të marrim pjesë në ato grupe pune në mënyrë që të organizojmë zgjedhjet sa më shpejt të jetë e mundur. Këtë e kërkojmë si subjekt politik”, tha Fari Iseni – Lëvizja Demokratike.

Socialdemokratët kanë përjashtuar mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pasi duan që ato të jenë të rregullta. Lidhur me pyetjen nëse ata bien dakord për zgjedhje të dyfishta, ata e lanë çështjen për t’u diskutuar në grupin e punës. BDI gjithashtu mbron zgjedhjet në një afat të rregullt, dhe nëse do të organizojë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale në të njëjtën ditë, u përgjigjën se për ta çdo variant është i pranueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat