Ministri Mexhiti: Është në proces vlerësimi i aplikacioneve të pranuara për futjen e ilaçeve të reja në listën pozitive

Maqedonia

Ministri Mexhiti: Është në proces vlerësimi i aplikacioneve të pranuara për futjen e ilaçeve të reja në listën pozitive

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 16:30
Ministri i Shëndetësisë në RMV Fatmir Mexhiti

Ministri i Shëndetësisë në RMV Fatmir Mexhiti, mori pjesë në panel diskutimi në kuadër të konferencës shëndetësore me temë “Shikim në të ardhmen për sistemin tonë shëndetësor”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Maqedoninë e Veriut (AmCham).

Në lidhje me rinovimin e listës pozitive, ministri theksoi se është në proces vlerësimi i aplikimeve të pranuara për futjen e një ilaçi në listën pozitive, nga të cilat rreth 21 janë për ilaçe dhe 4 për lëndë ushqyese.

Aplikimet i referohen ilaçeve që mbulojnë indikacionet e sëmundjeve malinje, sklerozën multiple, sëmundjet kardiovaskulare dhe hemofilinë, si sëmundje me rëndësi të veçantë social-mjekësore dhe të destinuara për një grup të veçantë vulnerabël pacientësh.

“Vendosja e ilaçeve në listën pozitive është një proces që ka filluar këtë vit pasi janë ndryshuar dy ligje sistematike dhe është miratuar rregullorja e re për listën pozitive. Me këtë, praktikat evropiane në këtë fushë u prezantuan në vendin tonë dhe procesi i zbatimit tashmë është praktikë. Për vitin 2024, Fondi ka kërkuar 2,9 miliardë denarë shtesë nga Ministria e Financave për ilaçe të reja në listën pozitive. Të gjithë ne përfaqësuesit e pranishëm nga institucionet përkatëse, do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të sigurojmë rritje të mjeteve buxhetore për barna, për të mundësuar monitorimin e përfitimeve shëndetësore në trajtimin e sëmundjeve me terapi bashkëkohore”, tha ministri Mexhiti.

Njëkohësisht, ministri informoi se është në zhvillim e sipër përpilimi i udhëzuesve të rinj për trajtimin e sëmundjeve mjekësore, gjegjësisht miratimi i udhëzimeve të reja kombëtare terapeutike që ndihmojnë në zgjedhjen e terapisë më adekuate për çdo gjendje mjekësore, e cila do të jetë e dobishme edhe për komisionin e ekspertëve për të arritur financimin e qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të ilaçeve që do të jenë pjesë e listës pozitive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat