Lëvizja Demokratike: Artan Grubi po ushtron presion ndaj kryetares së Gjykatës Supreme

Maqedonia

Lëvizja Demokratike: Artan Grubi po ushtron presion ndaj kryetares së Gjykatës Supreme

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 16:30
Lëvizja Demokratike: Artan Grubi po ushtron presion ndaj kryetares së Gjykatës Supreme

Lëvizja Demokratike në një kumtesë për media e akuzon zv.kryeministrin Artan Grubi për presion ndaj kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi. Nga LD thonë se “Artan Grubi nëpërmjet portaleve të tij po zhvillon fushatë të turpshme kundër Besa Ademit”.

“Pse? Sepse ajo nuk dëshiron të propozojë dhe miratojë një mendim me të cilin Gjykata Supreme do t’i ringjallë abolimet e ish-presidentit Gjorge Ivanov. Cili është qëllimi? BDI me çdo kusht ta kthejë Nikolla Gruevskin nga Budapesti. Jo për shkak të BE-së, por për shkak të interesave të ngushta partiake. Ata po shkojnë kundër partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE”.

“Suspendimi i sundimit të ligjit është një ndër vërejtjet kryesore të Raportit më të keq për përparimin e Maqedonisë së Veriut në BE. BDI dhe LSDM, të cilat paraqiten si Fronti Evropian, në fakt janë frenuesit kryesorë të perspektivës evropiane të vendit tonë”, thuhet në njoftim.

Ata kanë publikuar edhe emrat e portaleve dhe pronarin e tyre, ndërsa thonë se ai është drejtori i Lotarisë së Maqedonisë, Përparim Bajrami.

“Ta kesh gojën plot me BE dhe nga ana tjetër të koketoni me Gruevskin, është manipulim i rëndë dhe nënvlerësim i inteligjencës së shqiptarëve. Prandaj, në zgjedhje e ardhshme qytetari shqiptar do e dënojë rëndë këtë politikë qyqare. Do të jepni llogari! Askush nuk mund të jetë më i fortë se shteti i së drejtës, barazia para ligjit dhe siguria juridike”, thonë nga LD.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat