Georgiev: Nëse Misioni vlerësues konstaton se Këshilli Gjyqësor duhet të shpërndahet, ne do ta respektojmë vendimin

Maqedonia

Georgiev: Nëse Misioni vlerësues konstaton se Këshilli Gjyqësor duhet të shpërndahet, ne do ta respektojmë vendimin

Më: 27 nëntor 2023 Në ora: 23:10
Kryetari i Këshillit Gjyqësor Sashko Georgiev

Kryetari i Këshillit Gjyqësor Sashko Georgiev thotë se nëse Misioni vlerësues i Bashkimit Evropian konstaton se Këshilli Gjyqësor duhet të shpërndahet, do ta respektojnë atë vendim.

Për emisionin “360 gradë” që transmetohet në MRT 1, Georgiev ka theksuar se funksioni nuk është i përjetshëm, përcjell Telegrafi.

“Po flas për mua, nuk ka problem. Nëse ky është perceptimi, nëse është rekomandim nga një faktor relevant, atëherë nuk ka dilemë. Asgjë nuk është përgjithmonë, ne jemi këtu për ta zbatuar atë. Ndërprerja e mandatit për mua është shumë reale nëse vlerësohet se e gjithë kjo do të kontribuojë në përmirësimin e situatës në mënyrë që të kemi njëfarë besimi”, theksoi Georgiev.

Për rastin e gjyqtarit Enver Bexheti, i cili u dënua me gjobë, e jo me shkarkim, sepse lëndën e përgjimeve të paligjshme e mbajti në sirtar për disa muaj, Georgiev sqaroi se nuk ka pasur vota të mjaftueshme për shkarkimin e tij.

“Për marrjen e vendimit për shkarkimin e gjyqtarit nevojiten të paktën tetë vota dhe në këtë rast nuk ka pasur tetë vota. Kur është kështu, sipas ligjit, fillimisht merren masa disiplinore, të cilat shprehen me gjobë 15-30 për qind dhe dënimi më i vogël është vërejtja ose vërejtja publike. Me këtë rast, tetë vota kanë marrë një ulje prej 20 për qind të pagës për një periudhë gjashtëmujore”, theksoi Georgiev.

Gjyqtarët, siç tha ai, vendosin sipas bindjes së tyre dhe disa prej tyre kanë argumentuar se pse kanë votuar kundër shkarkimit të gjyqtarit Bexheti.

“Këtu bëhet fjalë për Këshillin Penal në të cilin ky gjyqtar është raportues, por ai përbëhet nga të pesë gjyqtarët. Pas dënimit të dikujt, disa nga kolegët menduan se mund të ishte çështje e përgjegjësisë kolektive të të gjithë këshillit dhe ja ku ishin argumentet e dikujt pse vetëm ky gjyqtar duhet të mbajë përgjegjësi. Nga ana tjetër, ky gjyqtar paraprakisht ka pasur rezultate solide në punën e tij, ka arritur pikë, ndërsa paraprakisht ka pasur kërkesë për avancim”, tha Georgiev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat