Për Kovaçevskin punësimet familjare në M-NAV janë dukuri e zakonshme

Maqedonia

Për Kovaçevskin punësimet familjare në M-NAV janë dukuri e zakonshme

Më: 16 janar 2024 Në ora: 21:52
Sipas opozitës, nipi i Nikollovskit është i punësuar në M-NAV

Se në kompaninë shtetërore për kontrollin e fluturimeve civile M-NAV, trashëgohen vendet e punës nga gjyshi tek djali dhe pastaj tek nipi, është diçka e zakonshme për kryeministrin Kovapevski, i cili thotë se kjo ndodh në të gjitha shoqëritë që janë në tranzicion. Kovaçevski iu bënë thirrje mediave të merren edhe me Akademinë e gjykatësve e prokurorëve, meqë shteti nuk është i fuqishëm të parandaloj këtë fenomen, të paktën tu bëhet “gjyqësi publike”.

“Unë kam pasur qëndrim parimor në lidhje me M-NAV dhe shoh që ministrat që kanë pasur familjarë të punësuar në M-NAV tashmë po japin qëndrimet e tyre. Unë nuk mund të jem zëdhënës i familjeve të të tjerëve dhe as nuk kam pretenduar ndonjëherë të jem. Nëse hapet kjo temë, atëherë do të duhet të kontrolloni në Akademinë e Gjykatësve se kush bëhet gjykatës dhe prokuror, si dhe të kontrolloni nëpër ministri. Aty ishte një ish-ministër në atë kohë, i cili tani është shumë i zëshëm, i cili madje në Ministrinë e Jashtme punësoi edhe dadon që i ruante fëmijën. Pra, kjo është një karakteristikë e një shoqërie në tranzicion. Të tilla janë të gjitha shtetet në tranzicion”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Opozitarja OBRM-PDUKM doli me emra të rinj të familjarëve të LSDM-së dhe BDI-së të punësuar në M-NAV. Zëdhënësi Naum Stoilkovski tha se M-NAV u shndërrua në strofull punësimesh të banditizmit partiak. Sipas opozitës, nipi i Nikollovskit është i punësuar në M-NAV, dhe po ashtu janë të punësuar edhe daja dhe kushëriri i tij!

“Që nga viti 2018 kemi paralajmëruar vazhdimisht për punësime partiake në M-NAV, për: Djali i drejtorit të fondeve sociale; nipi i një drejtori të një operatori telekomunikacioni; Veton Kadri, djali i deputetes Shpresa Kadri; Antonio Koçovski, dhëndër i liderit të atëhershëm të LSDM-së nga Ohri, Laze Taneski; I afërmi i ish-ministrit Goran Sugareski; Kryetar i Bordit të Drejtorëve të M-NAV-së është emëruar Nikolçe Taseski, dhëndër i ish-ministres Renata Deskoska. Më pas aty është i punësuar edhe djali i Stevço Jakimovskit, si dhe kushëriri i ish-ministres Jagoda Shahpaska nga LSDM-ja”, u shpreh Naum Stoilkovski, Zëdhënës i OBRM-PDUKM-së.

Ministri i Bujqësisë Lupço Nikollovski, njëherit anëtar i Këshillit ekzekutiv të LSDM-së, pranoi se xhaxhai dhe nipi i tij janë të punësuar në M-NAV, duke u përpjekur ti arsyetoj se janë kuadro profesionistë por secili i punësuar në “Navigacion” fillimisht përzgjidhet në konkurs, për të vazhduar trajnimet jashtë.

“Xhaxhai im punon aty para se të lind unë! Ju mendoni që dikush akoma pa lindur mund të ndikoj për dikë që profesionalisht ka punuar para 83-ës. Kjo për juve është temë më e rëndësishme se të informoni qytetarë për tema tjera. Dhe së dyti, për nipin! Bëhet fjalë për profesionist të shkolluar, në Kinë, Japoni, Slloveni dhe pas 20 viteve u kthye në vend”, theksoi Lupço Nikollovski, Anëtarët e Këshillit ekzekutiv të LSDM-së.

Në emisionin investigativ “KOD” u tha se eksponentë të lartë të BDI-së si Bujar Osmani ka punësuar një motër, Artan Grubi ka punësuar kunatën, Ejup Alimi, dy rejat dhe djalin, Bekim Neziri, ka punësuar nipin sikur edhe zëvendësministri i brendshëm, Nazim Bushi. Punësimet familjare në M-NAV ishin edhe shkas për përplasje në këtë institucion që çuan ngritjen e akuzave ndaj Bekim Nezirit dhe disa të tjerëve që tashmë ndodhen në arrest shtëpiak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat