Dokumentet me ermin e ri “Maqedonia e Veriut”, rrezikohet importimi i mallrave

Maqedonia

Dokumentet me ermin e ri “Maqedonia e Veriut”, rrezikohet importimi i mallrave

Më: 12 shkurt 2024 Në ora: 17:54
Foto ilustrim

Oda Ekonomike e RMV-së ngrit alarmin. Shteti rrezikon të mbetet pa mallin e importuar nga jashtë nëse nuk janë ndërruar të gjitha dokumentet e udhëtimit, patentat e shoferëve, lejet e qarkullimit të automjeteve dhe si ngjitëset NMK për targat e automjeteve.

Probleme do të kenë edhe kompanitë vendore që eksportojnë mallra jashtë shtetit dhe nuk i kanë të rregulluara dokumentet, thonë krerët e odës, sipas të cilëve që nesër do të ndjehen pasojat nga ngecja e transportit të mallrave edhe vetëm brenda shtetit.

“Ajo që na shqetëson është se një numër i madh i kompanive kanë problem në shpërndarjen lokale të mallrave dhe nuk do të mund të funksionojë zinxhiri i furnizimit, nuk është problemi vetëm për dalje jashtë shtetit. Sot do të dorëzojmë shkresë te Kryeministri, te Ministria e Brendshme, në Kuvend ku ka iniciativë për ndryshimin e disa ligjeve që vetëm brenda shtetit të vlejnë patentat e shoferëve aq sa kanë afat, por nuk do të mund të vozisin jashtë shtetit për eksport dhe import të mallrave dhe shërbimeve”, tha Antonio Peshev, Drejtor i Odës Ekonomike.

Përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë që të hapen sportele të posaçme për shoferët dhe personat juridik që merren me transportin e mallrave dhe shërbimeve nëpër çdo njësi të MPB-së nëpër qytetet e mëdha.

Madje ata shprehen të gatshëm t’i paguajnë të gjitha shpenzimet plotësuese vetëm që të bëhen zgjidhje urgjente, pasi ekonomia e vendit varet nga mallrat e jashtme dhe do mund të ketë mungesë.

“Unë do të kërkoj nga shërbimet tona të vërtetojnë përgjegjësitë përse kanë dal problemet sot. Përse nuk është njoftuar Oda ekonomike sepse në raportet me kompanitë, janë këto të fundit që do të pësojnë dëm”, theksoi Branko Azeski, Kryetar i Odës Ekonomike.

Nga Oda Ekonomike thonë se qindra ankesa kanë marrë vetëm këtë të hënë, një ditë para hyrjes në fuqi të përdorimit të të gjitha dokumenteve me emrin e ri të shtetit.

Ata kërkojnë një linjë të shpejtë sikurse është bërë në rastet e vaksinimit kundër kovidit në kohën e Pandemisë, kur duheshin certifikatat e imunizimit për udhëtime jashtë shtetit.

Paralizimi i aktiviteteve ekonomike shkaku i dokumentacioneve, sipas tyre mund të shkaktojë dëme miliona euro si për kompanitë private dhe për ekonominë e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat