Politologu shqiptar tregon fajtorin e dështimit në referendum dhe pasojat e tij

Maqedonia

Politologu shqiptar tregon fajtorin e dështimit në referendum dhe pasojat e tij

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 1 tetor 2018 Në ora: 10:38
Maqedoni

Referendumi i së dielës në Maqedoni ka dështuar dhe kjo si pasojë e daljes së ulët të qytetarëve në votim.

Përpjekja për kalimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë tani do t’i takojë Parlamentit dhe në rast se nuk sigurohen 2/3 e votave, atëherë zgjedhjet e parakohshme janë alternativë.

Analistët politikë përgjegjësinë për dështimin e referendumit iu bartin partive dhe propagandave të tyre, gjersa shtojnë se dështimi i referendumit ndikon në pasigurinë në vend dhe ulje besimi në institucione.

Xhenis Sulimani, politolog dhe analist shqiptar në Maqedoni ka thënë për “Bota sot”, se referendumi ka dështuar si pasojë e propagandave të partive politike, të cilat të njëjtat kanë shikuar interesat klanore dhe nuk kanë njoftuar popullin për rrugëtimin euroatlantik.

Dështimi i referendumit, sipas Sulimanit, mund të ndikojë në pasigurinë në vend, në uljen e besimit të institucioneve dhe në rritjen e numrit të migrimit.

Sulimani ka thënë se tani më Maqedonia është në një sfidë tjetër.

“Përgjegjësinë për pasojat e dështimit të referendumit duhet të bartin partitë që në fushatë kanë propaganduar që të votohet "PËR". Të njëjtat më shumë kanë propaganduar partitë e tyre- interesat klanore- sesa e kanë njoftuar popullin për rrugëtimin euroatlantik. Dështimi do të ndikojë edhe më tepër në rritjen e pasigurisë në vend dhe në uljen e besimit te institucioneve. Nga ana tjetër, do të rritet numri i atyre që dalin jashtë vendit. Kështu, Maqedonia po e humb trurin, rininë”.

“Dështimi i referendumit tani e sjellë Maqedoninë pranë një sfide tjetër. Dy janë alternativat, arritja e 2/3 në Kuvend për t'i votuar ndryshimet kushtetuese që dalin nga Marrëveshja e Prespës dhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Për momentin shumica parlamentare ka 71 vota, d.m.th i duhen edhe plus 9, që do të thotë se është tejet e vështirë të sigurohen, kur kihet parasysh qëndrimi kategorik i VMRO-së, e që është kundër Marrëveshjes se Prespës dhe ndryshimit të emrit”, ka deklaruar Sulimani.

Image
Xhenis Sulimani

Në referendumin e së dielës në Maqedoni, dalja e votuesve ka qenë 36.6 për qind. Nga votat e numëruar, 94.2 për qind kanë votuar “për”, ndërsa 5.8 për qind kanë votuar “kundër”.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pas rezultateve të para të referendumit ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të dorëhiqet, por se vota pro e qytetarëve e obligon atë që procesin ta kalojë në procedurë parlamentar, e në që nuk sigurohen 2/3 e votave, nuk përjashtohet mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas Zaev fundi i nëntorit do të ishte kohë e përkryer.

“Parlamenti e ka radhën, dhjetë ditë do të bëjmë përpjekje, por në rast se nuk arrijmë të sigurojmë 2/3 e votave, atëherë alternativë mbeten zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Zaev.

Zaev ka thënë se shpreson që Parlamenti do ta respektojë vendimin e votuesve në referendum, që sipas tij, është i suksesshëm sepse mbi 90% e votuesve ishin PRO marrëveshjes.

Zgjedhjet i konsideron të domosdoshme, analisti politik Sulimani, dhe kjo për shkak të daljes së ulët në votim.

“Zgjedhjet, sipas meje, janë të domosdoshme, për faktin se kjo dalje e ulët dje deligjitimon bartësit e fushatës "Për". Kjo ishte një JO ndaj atyre që na kanë udhëhequr deri më tash. Dalja duhet të lexohet sikur: "Jo me këta politikanë në BE dhe NATO"”, ka pohuar Sulimani.

Në referendumin e së dielës ishin ftuar rreth 1.8 milion votues, ndërsa zhvillimet në Maqedoni që nga arritja e marrëveshjes më 17 qershor janë ndjekur me interes  të jashtëzakonshëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i dhënë mbështetje marrëveshjes.

Riemërtimi i vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, do t’i jepte fund kontekstit 27- vjeçar me fqinjin jugor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat