Respekt për këtë vepër të madhe kombëtare

Opinione

Respekt për këtë vepër të madhe kombëtare

Nga: Asllan Bushati Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 07:18
Asllan Bushati

Këtë nëntor të 2018-tës, të gjithë shqiptarët në trojet etnike e në diasporë, përkujtuan 110 vjetorin e alfabetit të gjuhës sonë të mbrekullueshme shqipe. Unë duke qenë i shkolluar e specializuar për fushën e mendimit ushtarak, të sigurisë kombëtare dhe të politikave që lidhen me këtë sferë, do të shkelja si të thuash në një “fushë të minuar” në se do të tentoja të cfaqja mendime për fushën e gjuhësisë (morfologji, sintaksë, historisë së letërsisë etj). Por në të njejtën kohë duke qenë i apasionuar për ceshtje të sigurisë kombëtare, historisë së luftërave dhe të artit ushtarak, në këtë shkrim do të përpiqem të evitoj “fushat e minuara të gjuhësisë”, e në të njejtën kohë, duke përdor formën e katakizmit (pyet vetë e përgjigju vetë), do të fokusohem  vetëm tek aspekti i vlerave kombëtare.

Si fillim, le të ndalemi pak tek armiqësia  e madhe shekullore që turqit treguan me gjuhën tonë shqipe, gjë të cilën nuk e treguan me gjuhët e tjera të Gadishullit Ilirik (greqisht, serbisht, bullgarisht, rumanisht etj). Kështu pas periudhës Skënderbegiane, mbi trojet shqiptare ndodhi një shpërngulje  masive, trysni e pashembullt  për të pranuar turqizimin mbi ata që pranuan të qëndrojnë në trojet etnike, reprezalje e shtypje sa nga  fundi i viteve 1600 gjuha shqipe u ndalu  përfundimisht kudo (përvec në familje). Tregtarët, nënpunësit, jenicerët, ushtarët profesionistë shqiptar etj, që udhtonin nëpër vendet e perandorisë, nuk guxonin më të tregonin  prejardhjen e tyre  me fjalët: alban, arbresh, arvanitas dhe as arnaut, sepse kjo u kushtonte deri jetën. Për të treguar vendin nga vinin ata filluan të përdorin : atje ku shqipet rrinë (shqipet-rrinë; për Shqipëri), shqipet-nej për Shqipneja, shqipnija e të tjera forma dialektore të fjalës së sotme Shqipëri. Personalisht mendoj se kjo është periudha që shpiptarët filluan ta quajnë vehten shqiptar dhe vendin e tyre Shqipëri në ndryshim me formën alban dhe Albani që bota na njeh.

Greqia, Serbija, Bullgaria, Rumania etj, u shkëputën më shpejt nga Perandoria Otomane, kurse shqiptarët jo. Madje Konferenca e Shën Stefanit i coptoi keq  trojet shqiptare, sa i shtyu krerët shqiptar të kërkonin një zgjidhje për vetmbrojtje. Produkt i kësaj lëvizje  vetmbrojrëse është Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila tentoi bashkimin e katër vilajeteve  me përbërjë shumicë shqiptare në një shtet të vetëm.  Por ky  shtet më shumë i imagjinuar se sa i realizuar, nuk kishte një alfabet të përbashkët që të shkruante  e të  dokumentonte qenësinë e tij. Pra domosdoshmëria e të pasurit të një alfabeti të njësua të gjuhës shqipe u shtru si një nga nevojat më imediate të pas Lidhjes Prizrenit. Shumë intelektualë filluan të hartonin nga një të tillë, por seriozisht u proekupuan disa shoqata në trojet etnike dhe në diasporë ku më të përmendurat janë në : Shkodër, Elbasan, Korcë, Shkup, Manastir, Sofje, Bukuresht  dhe më e madhja në Stamboll me Frashërllinjtë.

Tani pyetja e parë që shtrohet për alfabetin e shqipes është se pse Kongresi u mblodh në Manastir e jo diku tjetër për shembull brenda kufijve të sotëm territorial të Shqipërisë? Po, Manastiri ishte qendra e vilajetit ku shumica e banorve ishin shqiptar nga trojet e sotme shqiptare në Maqedoninë Veriore, shqiptarët e zonës Follorinë –Fllamoros (flamur) sot në teritorin e Greqisë; Devolli, Korca, Kolonja, Pogradeci e deri Elbasani përfshiheshin në këtë vilajet. Manastiri ishte në rrugën Egnatia, dhe vazhdonte të ishte  qendër e rëndësishe politike, ekonomike e ushtarake e Perandorise Turke. Në Manastir kishte shumë dyqane të tregtarëve shqiptar, si dhe  Mihal Grameno kishte blerë një nga hotelet më të mira të qytetit. Jetonte Familja shumë e nderuar Qirjazi dhe  kishte një shoqatë (klub) shumë aktiv kombëtare . Po ashtu dy personalitete të Klubit të Manastirit (Femi Zavalani e Gjergj Qirjazi), u bënë inisiatorët e thirrjes së Kuvendit duke ju dërguar kërkesë gjithë shoqatave (klubeve)  shqiptare  (dhe disa personaliteteve si Faik Konica), që të zgjidhnin  vetë nga dy delegatë për në Kongres. Kërkesa e formuluar ju përcollë të gjithëve në variantin gegërisht dhe toskërisht. Pra, vec të tjerave, Klubi i Manastirit ishte ofruesi i mikpritjes së Kongresit.

Pse kryetari Kuvendit u zgjodh Mithat Frashëri? Ai u zgjodh për disa arsye: si përfaqësues i shumicës muslimane, si bir i Familjes Frashërlinjëve që i kishte kushtuar gjithcka ceshtjes kombëtare, si më aktivi i Shoqatës Stambollit si ideues dhe përpunues  i alfabetit  të Shoqatës Stambollit, si gjuhtare intelektual me personalitet të formuar e të mirpranuar nga antarët e tjerë.

Nga të zgjedhurit e tjerë drejtues  të Kongresit  ishin edhe: Luigj Gurakuqi  intelektual e atdhetar i formuar me pushkë e penë që përfaqësonte pjesën katolike dhe alfabetin latin. Gjergj Qirjazi, protestant dhe pinjoll i një familje me një aktivitet shumë të madh në rilindjen kombëtare dhe Thoma Avrami një atdhetar dinjitoz që përfaqësonte pjesën ortodokse .

Në këtë kohë fjalët e shqipes shkruheshin me alfabetin turk, arab, grek e latin dhe me dhjetra variante të të ashtuquajtur alfabete të krijuara nga individë të vecantë. Marrë shkas nga kjo, Kongresit ju paraqitën paraprakisht  si opsione të mundëshme  për zgjedhje alfabetet: latin, turk, arab dhe grek. Por ju la për detyrë  Komisionit të zgjidhte variantin më të mirë e më të përshatshëm për hapsirën dhe dimensionet që mbartëte  gjuha jonë.

 Në krye të Komisionit u zgjodh poeti e dijetari i madh i shqiptarisë Atë Gjergj Fishta. Ai me një punë shumë të mundimëshme, e me  shumë mjeshtëri  bëri që të kapërceheshin ndasitë krahinore e fetare  në mentalitet dhe  tek shkronjat e përzgjedhura ta gjenin veten gjithë fjalët e gjuhës  së folur shqipe, me zanore e bashktingëllore  të forta e të buta me dialekte e nëndialekte.

Alfabeti që zgjodhi Komisioni është pikërisht ky që ne kemi sot, i cili u miratu në Kongres. Relacioni për përfundimet dhe vendimet e Kongresit është përpiluar nga Gjergj Qirjazi e është përkthyer në anglisht nga Parashqevi Qirjazi.  Një kopje e vendimeve  ju është bërë me dije konsujve të  Austro- Hungarisë dhe Anglisë.

Sot pas 110 vitesh mund të duket një gjë e lehtë zgjedhja e  alfabetit të gjuhës  shqipe. Por po të këthehemi prapa në kohë, do të kuptojmë se  shqipja ishte e jashtligjëshme  dhe e dënueshme nga  autoritetet turke.  Shumica muslimane  e popullatës shkruante turqisht (ajo që dinte shkrim e lexim) dhe hoxhallarët arabisht, kurse  komunitetit ortodoks shkruante në greqisht dhe ai katolik në  alfabetin latin. Sot gjithë shqiptarët  kudo që janë e shkruajnë gjuhën tonë me një alfabet të njësuar me popujt perendimor, familjes së të cilëve u përkasim- pra me alfabetin latin.

Ju ndritë shpirit për mot e jetë o atdhetarë të mëdhej  të Kombit Shqiptar që na e latë të gatëshme ta gëzojmë këtë vepër madhore kombëtare  që ju e krijuat me mundim e durim shumë të madh. E meritoni të përulemi me respekt në këtë 110 vjetor e në vijimsi përpara : Gjergj Fishtës, Mithat Frashërit, Luigj Gurakuqit, Ndre Mjedës, Gjergj e motrave Qirjazi,  Mihal Grameno, Femi Zavalani, Thoma Avrami etj etj.                                                     

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat