Gratë kontribuuan në të gjitha fushat për lirinë e Kosovës

Mitrovica

Gratë kontribuuan në të gjitha fushat për lirinë e Kosovës

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 13:59
Organizimi

Organizata joqeveritare Qendra për demokratizim të shoqërisë civile “Koralet" (QDSHC), për nder të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ka organizuar sot në qytetin e Mitrovicës një panel diskutimi të femrave nga ky rajon, të cilat kontribuuan në mënyra të ndryshme për lirinë e Kosovës.

Disa prej panelisteve rrëfyen përvojat e tyre, duke dërguar mesazhin e fuqishëm për kauzën e lirisë së Kosovës, sepse siç u tha, ato brez pas brezi qëndisën lirinë e vendit me punën, djersën dhe gjakun e tyre në të gjitha sferat e jetës

Besana Shera-Latifi, përfaqësuese e QDSHC-së, tha për KosovaPress se ky aktivitet promovon vlerat e grave të angazhuara në luftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe në mënyra të tjera.

Sipas saj, organizata të cilën ajo e përfaqëson, do të vazhdojë me organizimin e aktiviteteve tjera në të ardhmen, që kanë për qëllim fuqizimin e grave dhe grupeve të ndryshme të interesit.

Shera-Latifi: Po promovojmë vlerat e grave

“Ky aktivitet ka për qëllim promovimin e vlerave të grave të cilat kanë qenë të angazhuara në luftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe në mënyra të tjera…Kjo nuk ka në plan të ndalet me kaq, ne planifikojmë organizimin e aktiviteteve tjera në të ardhmen që kanë për qëllim fuqizimin e grave dhe grupeve të ndryshme të interesit”, ka thënë Sherra-Latifi.

Drita Kadriu, eksperte e çështjeve arsimore, potencoi  se gratë kanë dhënë kontributin e tyre në shumë rrafshe, sa i përket lirisë së Kosovës.

Ajo ka përmendur faktin se gratë kontribbuan si duke qenë të burgosura, po ashtu edhe duke qenë aktive në shëndetësi, arsim, në zhdukjen e analfabetizmit dhe fusha tjera.

Kadriu: Xherdanit të lirisë përveç burrave, iu bashkuan edhe shumë gra

“Xherdanit të lirisë përveç burrave, iu bashkuan edhe shumë gra, si Xheva, Fatimja, Antigona dhe shumë të tjera. Kontributi i grave për lirinë e Kosovës u dha në shumë rrafshe, si duke qenë të burgosura, ashtu edhe duke qenë aktive duke ndihmuar popullin, komunitetin në shëndetësi, arsim, në zhdukjen e analfabetizmit dhe të gjitha fushat jetësore”, theksoi Kadriu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat