Mitrovicë, mbahet konferenca ndërkombëtare për gjeoshkencë - Bota Sot
Mitrovicë, mbahet konferenca ndërkombëtare për gjeoshkencë

Mitrovica

Mitrovicë, mbahet konferenca ndërkombëtare për gjeoshkencë

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 15:42
Pamje nga mbajtja e konferencës

Kosova dhe në veçanti qyteti i Mitrovicës, për shkak të specifikave të saj, ka tepër nevojë për ngjarjet me karakter shkencor, të cilat kanë qenë të pakta dhe kanë mbetur nën hije të rrethanave politike prej pasluftës e këndej.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë konferencës ndërkombëtare për gjeoshkencë, ku po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, studiues dhe shkencëtarë nga shumë vende të rajonit e Evropës, profesorë, studentë etj.

Nikoqiri i kësaj konference, njëherësh rektor i Universitetit të Mitrovicës, Alush Musaj, tha se prania e shkencëtarëve dhe studiuesve nga vende të ndryshme evropiane, krahas atyre nga rajoni dhe vendi, i japin kuptim të mirëfilltë kësaj konference për gjeoshkencë.

“Ngjarjet me karakter shkencor janë një lajm i mirë për Mitrovicën, meqë mbledhin studiues nga vende të ndryshme në universitetin tonë, që përkundër sfidave po konsolidohet përditë e më tepër. Tani po bëhemi dëshmitarë të një organizimi shkencorë sikur ky sot, që është një inkurajim për të gjithë ne, si profesorë dhe studentë”, ka thënë rektori Musaj.

Marjan Dema, rektori i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, duke përshëndetur të pranishmit në këtë konferencë, tha se rastet e tilla të konferencave duhet shfrytëzuar jo vetëm për hulumtime shkencore,  por njëkohësisht edhe për ndërtimin e urave të miqësisë.

Ai potencoi interesimin e madh për ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, hulumtimeve, bashkëpunimit me ekonominë dhe të ngjashme, në universitetin e Prishtinës dhe universiteteve tjera në Kosovë.

Dema: Ta ngrisim cilësinë e mësimdhënies dhe bashkëpunimit me ekonominë

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ si universitet amë është shumë i interesuar që t’i ndihmojë universitetet e reja që dolën nga ky universitet. Pikërisht për këtë edhe jam këtu, që së bashku me universitetet e reja ta ngrisim cilësinë e mësimdhënies, hulumtimeve, cilësinë e bashkëpunimit me ekonominë, se ideja jonë është që të kemi një të diplomuar që është kompetent për diplomën, lider i mirë, inovator i mirë dhe ka ide, që ta kthejmë atë mentalitetin nga pritja prej të tjerëve, në mentalitetin të jemi krijues vetë”, u shpreh Dema.

Skender Sallahu, drejtor i Departamentit të minierave të Kosovës, bëri të ditur se konferencat e tilla kontribuojnë së paku në promovimin e sektorit minerar, i cili siç tha ai, po ballafaqohet me sfida të ndryshme.

Sallahu: T’i kontribuojmë promovimit të sektorit

“Me organizime të tilla të cilat shpresojmë të jenë tradicionale dhe jo vetëm një konferencë në vit, në mënyrë që t’i kontribuojmë së paku promovimit të sektorit dhe të këmbimit të përvojave”, theksoi Sallahu.

Musa Shabani, kryesues i bordit të komisionit të pavarur për miniera dhe minerale, tha se zhvillimi I gjeoshkencave ka rëndësi të madhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social, ideve shkencore, por edhe projekteve profesionale.

Sipas tij, pa përpunimin e mineraleve që ka planeti, nuk do të mund të mendohej zhvillimi teknologjik dhe industrial.

Shabani: Sektori i minierave i rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë

“Pa dijen, përzgjedhjen dhe përpunimin e mineraleve që ka planeti, as që do të mund të mendohej zhvillimi teknologjik dhe industrial. Akoma edhe sot kjo industri vazhdon të jetë e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë dhe modernizimin e saj”, potencoi Shabani.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Kosovë, Dillon Green, tha se sektori i minierave është bërthama për interesin ekonomik të të gjithëve.

Green: Minierat mund të jenë një forcë pozitive për pajtim

“Ne mendojmë se minierat mund të jenë një forcë pozitive për pajtim, që ofrojnë vende pune dhe zhvillim për të gjithë komunitetin. Ne mund t’i kalojmë çështjet e së kaluarës dhe intensifikojmë bashkëpunimin për hirë të ekonomisë“, tha ai.

Ndryshe, kjo konferencë e gjeoshkencës, që do të zgjasë dy ditë, është e para e karakterit  ndërkombëtar, ndërsa u organizua nga Universiteti i Mitrovicës ‘Isa Boletini’,  në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Shërbimin Gjeologjik i Kosovës. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...