Në Mitrovicë mbahet manifestimi ‘Shala heroike’ - Bota Sot
Në Mitrovicë mbahet manifestimi ‘Shala heroike’

Mitrovica

Në Mitrovicë mbahet manifestimi ‘Shala heroike’

Më: 8 janar 2020 Në ora: 15:17
Agim Bahtiri

Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, sot në Mitrovicë u mbajt manifestimi “Shala heroike”, i cili pasqyron veprën e ushtarëve të Zonës Operative të Shalës të Bajgorës, të cilët 21 vjet më parë kishin zënë rob tetë ushtarë serbë.

Ata u shkëmbyen më 13 janar me nëntë ushtarë të UÇK-së të zënë nga forcat serbe, ndërsa në lidhje me këtë gjatë këtij manifestimi u shfaq edhe premiera e filmit dokumentar “Shkëmbimi”, në regji të Fazli Muharremit.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se sa herë përmendet Shala, mburret e gjithë Mitrovica dhe Kosova.

Bahtiri: Sa herë përmendet Shala, mburret e gjithë Kosova

“Sa herë përmendet Shala, mburremi, unë personalisht si kryetar i komunës, por edhe e gjithë Mitrovica dhe Kosova. Këtë e kemi treguar në luftë dhe në paqe, në zhvillim, ekonomi, kulturë, kemi treguar se jemi prijetarë të të gjitha prioriteteve sa i përket vendit, por i kemi edhe gjërat për të cilat luftojmë si çdo objektiv që është në frymën e së mirës së gjithmbarshme, e sidomos të mirës së ardhmërisë tonë që janë fëmijët”, ka thënë Bahtiri.

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së familjarëve të dëshmorëve, theksoi se sa herë kujtohet dhe nderohet lufta e UÇK-së, nderohet ngjarja më e rëndësishme e historisë së re të popullit shqiptar, bashkimi kombëtarë. Sipas tij, akti i këmbimit të robërve të luftës të zënë në Shalë, ishte i mjaftueshëm për të dëshmuar para botës se UÇK-ja ekzistonte.

Jashari: Nderojmë luftën e UÇK-së

“Sa herë kujtojmë dhe nderojmë luftën e UÇK-së, ne nderojmë përjetësisht ngjarjen më të rëndësishme të historisë së re të popullit shqiptar, ngjarjen që ka realizuar lirinë e Kosovës pas afër një shekulli robërie, si dhe ngjarjen që ka hapur rrugën e madhe të procesit historik, bashkimit kombëtar…Këmbimi i robërve të luftës, qoftë edhe vetëm ky fakt, ishte i mjaftueshëm për të dëshmuar para armikut tonë shekullorë Serbisë, por edhe para qarqeve të caktuara evropiane që nuk e njihnin luftën tonë, se UÇK-ja ekzistonte”, u shpreh Jashari.

Ndërsa, Hysni Ahmeti, komandant i Brigadës 141 ‘Mehë Uka’, ka potencuar dy aspekte kryesore të ngjarjes së zënies rob të ushtarëve serbë. E para, shtoi ai, ishte vendosmëria e brigadës 141 që mos t’i dorëzojë pa shkëmbim robërit e luftës, dhe e dyta, ishte hera e parë që faktori ndërkombëtarë së bashku me serbët, u detyruan të ulen në tavolinën e bisedimeve për të negociuar shkëmbimin e luftëtarëve.

Ahmeti: Ishte hera e parë që ushtria serbe ka njohur UÇK-në si ushtri të rregullt

“Vlen të theksojmë dy aspekte kryesore të kësaj ngjarje, është vendosmëria e Brigadës 141 ‘Mehë Uka’, që mos t’i dorëzojmë pa shkëmbim robërit e luftës, dhe pika e dytë, ka qenë hera e parë që detyruam faktorin ndërkombëtar së bashku me serbët që të ulen në tavolinën e bisedimeve, për të negociuar shkëmbimin e luftëtarëve. Do të thotë, ishte hera e parë që ushtria serbe e ka njohur UÇK-në si ushtri të rregullt”, tha Ahmeti.

Regjisori i filmit dokumentar ‘Shkëmbimi’, Fazli Muharremi, ka sugjeruar që në të ardhmen të ketë sa më shumë filma për luftën, në mënyrë që të mos harrohet ajo.

Muharremi: 20 vjet pas luftës, asnjë film nuk është për Adem Jasharin

“Ky manifestim duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duhet të vazhdojmë me sa më shumë filma artistik për luftën, sepse po harrohet lufta. Njëzet vjet pas luftës, asnjë film nuk është për Adem Jasharin”, ka thënë Muharremi. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat