Mitrovica me 540 raste aktive të COVID-19, situata në monitorim të vazhdueshëm

Mitrovica

Mitrovica me 540 raste aktive të COVID-19, situata në monitorim të vazhdueshëm

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 17:39
Ilustrim

Gjendja si pasojë e pandemisë COVID-19 në Kosovë, vazhdon të jetë e rëndë. Sot janë konfirmuar 555 raste të reja të të infektuarve dhe 14 viktima. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë të mbajtur dje për media, tha se masat anti-COVID do të jenë të njëjtat, po ashtu edhe ora policore mbetet në zonat me numër të madh të rasteve.

Edhe Rajoni i Mitrovicës, është në monitorim të Policisë së Kosovës, pasi që rezulton në zonë të kuqe. Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Erseka Hasanaj, në një përgjigje për IndeksOnline ka treguar se cila është gjendja pandemike momentale në Mitrovicë.

“Në Komunën e Mitrovicës aktualisht janë 540 raste aktive pozitiv me COVID-19. Komuna e Mitrovicës në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës është në zonën e kuqe, andaj në orën 19:00 është e kufizuar lëvizja e lirë për të gjithë. Policia rajonale e Mitrovicës dhe inspektorët komunal janë në monitorim të situatës dhe respektimit të masave të reja. Në kuadër të QKMF Mitrovicë, është ndarë hapësirë e posaçme për dhënien e terapisë ditore intravenoze për të gjithë pacientët me COVID-19”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se ekipet e QKMF dhe të drejtorisë për shëndetësi kontaktojnë në baza ditore të gjithë personat e infektuar me COVID-19, për të monitoruar gjendjen e tyre shëndetësore.

“Po ashtu, gjatë kësaj jave do të furnizohemi me pakot mjekësore COVID-19, që gjatë javës do të bëhet edhe shpërndarja e tyre varësisht nga gjendja shëndetësore e pacientëve me COVID. Vlen të theksohet, se nga sot ka filluar edhe aplikimi për subvencionimin e të gjithë të infektuarve me COVID-19 në Komunën e Mitrovicës”.

Sa i përket testimeve PCR-RT që po kryhen, Hasanaj shprehet se ato po bëhen në tendën e vendosur pranë QRPSH-së, gjë për të cilën ka pasur ankesa nga qytetarët për shkak të motit të ftohtë.

“Testime PCR-RT kryhen në Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike në Mitrovicë që është në kuadër të IKSHPK-së. Testet kryhen në tendën e vendosur pranë QRSHP-së. Megjithatë, këto ditë pritet furnizimi me aparaturat e reja të testeve serologjike dhe të testeve PCR në këtë qendër, gjë që do të mundësoj shtimin kapaciteteve të testimit për të qytetarët e Komunës së Mitrovicës”.

Aktualisht sipas Hasanajt, po kryhen mbi 150 testime brenda ditës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat