Nga muaji korrik fillojnë dëgjimet buxhetore për planifikimin e buxhetit për vitet 2022-2024

Mitrovica

Nga muaji korrik fillojnë dëgjimet buxhetore për planifikimin e buxhetit për vitet 2022-2024

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 19:26
Pamje nga takimi

Drejtuar nga nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku tema kryesore për diskutim ishin përgatitjet për përcaktimin e buxhetit komunal për vitin 2022 dhe të Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2022-2024.

Fillimisht drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, njoftoi bordin lidhur me orarin e mbajtjes së dëgjimeve buxhetore për projekt- buxhetin e komunës për vitin 2022-2024, me ç’ rast tha se janë organizuar gjithsej tetë dëgjime, dhe do të fillojnë të mbahen nga 1 korriku.

Në këtë mbledhje u konstatua se procesi ka filluar me kohë dhe puna është duke shkuar mirë. U tha se për të pas një buxhet që i përmbush nevojat e qytetarëve, është e domosdoshme që në këtë proces të përfshihet një numër sa më i madh i qytetarëve, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të gupeve të interesit.

Për këtë arsye, Bordi, me propozimin e Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, vlerësoi se këto dëgjime buxhetore duhet të mbahen me sa më shumë pjesëmarrës, ku do të dëgjohej zëri i qytetarëve dhe përfaqësuesve të grupeve të interesit e shoqërisë civile dhe nga ku do të dilnin propozimet konkrete dhe prioritetet e shpenzimit të këtij buxheti, që domosdoshmërisht të përfshihen në versionin përfundimtar kur do të aprovohet edhe nga Kuvendi i Komunës.

Ndërkaq, drejtori i Inspekcionit, Fidan Ademi, informoi bordin lidhur me inspektimet e kryera nga kjo drejtori javën e kaluar, duke thënë se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë inspektuar lokalet që shkaktojnë zhurmë në orët e vona të mbrëmjes, dhe për disa shkelje që janë evidentuar në disa lokale inspektorët komunal kanë shqiptuar edhe gjoba.

Gjithashtu Bordi diskutoi edhe një sërë temash që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve, ku pati edhe propozime të ndryshme që kanë të bëjnë me rregullimin më të mirë të funksionimit në secilën drejtori dhe rritjen e kualitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat