PDK e Mitrovicës propozon emrat e kandidatëve, në mes tyre edhe i dënuari me dy vite burg për përvetësim

Mitrovica

PDK e Mitrovicës propozon emrat e kandidatëve, në mes tyre edhe i dënuari me dy vite burg për përvetësim

Më: 18 maj 2017 Në ora: 22:20
PDK, Mitrovicë

Dega e PDK-së në Mitrovicë i ka dërguar në qendër propozimet me emra për futje në listën e kandidatëve për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Çuditërisht pjesë e listës nuk është kryetari i degës, Avni Kastrati, i cili në zgjedhjet e vitit 2014 ishte kandidat për deputet, por që kishte humbur garën. Kastrati në Qeverinë e Isa Mustafës ishte zëvendësministër i MTI-së, por kishte dhënë dorëheqje, para disa javësh. Se a po tërhiqet Kastrati ngadalë nga politika, kjo nuk dihet, por që këto janë shenja që duhet analizuar.

Pjesë e listës janë: Rrustem Musa, Drita Kadriu, Lulzim Zeqiri, Bahri Shabani, Remzi Rrahmani, Ukshin Rrecaj, Murteza Zeqiri, Ali Bejta, Gëzim Shabani, Jehona Shyti, Esat Isufi dhe Nafije Rexha.

Futjen e emrit të tij në propozimet nga dega e ka konfirmuar zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Rrustem Musa, i cili në një prononcim për Veriu.info ka thënë se nuk ka qenë shumë i interesuar për të hyrë në listë, mirëpo ka thënë që nëse kryetari i partisë Kadri Veseli vlerëson se është i nevojshëm kandidimi i tij, atëherë ai do t’i hyj garës për t’u bërë deputet.

“Dega e PDK-se ne Mitrovice me ka propozuar të jem kandidat për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Mbrëmë i kam falënderuar kryesinë e degës për besimin e dhënë dhe njëkohësisht i kam njoftuar se unë nuk dëshirojë të jem në listë për deputet. Une mbaj poziten e këshilltarit të kryetarit te Kuvendit z. Veseli dhe nuk dëshirojë të këtë ndonjë keqkuptim eventual se kryetari mund të ketë interferim që unë të jem në garë për deputet”, ka thënë Zeqiri.

Drita Kadriu e cila është zëvendëskryetare e degës, në zgjedhjet e kaluara ishte kandidate për deputete, sikurse edhe anëtarja e kryesisë së degës Jehona Shyti, por asnjëra nuk kishin arritur numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhur deputete. Që të dyja tri vitet e fundit e kanë zbehur shumë aktivitetin politik në degën e Mitrovicës.

Për dallim nga to, anjëri prej të propozuarve të tjerë nuk ishte pjesë e listës së PDK-së në zgjedhjet e vitit 2014.

Në mbledhjen e mbrëmshme të kryesuar nga kryetari Avni Kastrati, i propozuari tjetër ishte edhe Bahri Shabani, është anëtar i kryesisë së degës, por që ishte dënuar me dy vite burgim me kusht nga gjykata për përvetësim në detyrë gjatë kohës sa ishte kryetar i BSPK-së.

Për dallim nga të porpozuarit e tjerë, ish drejtori i ATK-së në Mitrovicë, Ukshin Rrecaj, siç mësohet, e ka propozuar veten. Rrecaj njihet si person që ka përfituar nga kompania e mbeturinave ‘Uniteti’, ani pse kishte konflikt interesi. Për Rrecajn në vitin 2012 mediat kishin raportuar se ka tentuar të shkonte delegat në Kongresin e PDK-së me vota të fryera, gjë e cila ishte penguar pas rinumrimit të votave.

Ali Bejta është i propozuari tjetër, i cili në mandatin qeverisës komunal 2009-2013 ishte drejtor i Drejtorisë së Arsimit. Ai tash është zëvendësdrejtor shkolle dhe asambleist i PDK-së në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, pozitë për të cilën mësohet se është në konflikt interesi, pasi që sipas ligjit nuk mund të jetë asambleist dhe zëvendësdrejtor shkolle, pasi që kjo e dyta llogaritet si pozitë e shërbyesit civil.

Ndërsa, i propozuari tjetër është Esat Isufi, i cili është menaxher i zyrës regjionale të Telekomit të Kosovës në Mitrovicë, ku së fundmi kjo qendër kishte dalë se ka paguar më shumë se 10 mijë euro në muaj për energji elektrike gjatë periudhës së dimrit, që ishte dyfish më shumë sesa zyrat tjera.

I propozuar është edhe asambleisti Gëzim Shabani, i cili në tetor të vitit të kaluar ishte bërë lajm në media, pasi që ai dhe dy familjarë të tij njëkohësisht kishin përfituar specializime me pagesë nga Spitali Rajonal i Mitrovicës, duke qenë djali i sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabanit.

Murteza Zeqiri është anëtar i kryesisë së degës, por që në zgjedhjet e fundit lokale kishte garuar për pozitën e asambleistit, por nuk kishte arritur të zgjedhet, pasi që kishte marrë vetëm 152 vota. Kujtojmë se për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës kërkohen rreth 10 mijë vota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat