Mantelbardhët në Mitrovicë paralajmërojnë katastrofë humanitare

Mitrovica

Mantelbardhët në Mitrovicë paralajmërojnë katastrofë humanitare

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 14:55
Protesta

Mantelbardhët e institucioneve shëndetësore nnë Mitrovicë kanë vazhduar sot protestën kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Protesta u mbajt në oborrin e spitalit në Mitrovicë, ndërsa protestuesit përveç flamujve të Serbisë mbanin pankarta me mbishkrime në gjuhën serbe e angleze ‘EU hapi sytë’, ‘Stop dhunës nga Prishtina’, ‘Duam paqe jo luftë’ dhe të ngjashme.

Danica Radomiroviq, drejtoreshë e Qendrës Klinike në Mitrovicë, situatën aktuale e ka quajtur kritike për institucionet shëndetësore, duke paralajmëruar edhe katastrofë humanitare.

Radomiroviq: Mund të ndodh katastrofë humanitare

“Nëse ky vendim i paarsyeshëm vazhdon të mbetet në fuqi, mungesa e ilaçeve dhe materialit sanitar, mungesa e oksigjenit, do të rrezikojnë punën e institucioneve shëndetësore deri në atë masë, ambulantave, spitaleve, sa gjendja është pothuajse kritike, dhe paralajmëron katastrofë humanitare”, u shpreh ajo.

Drejtori i spitalit në Mitrovicë, Millan Ivanoviq, e ka quajtur situatën aktuale për serbët në Kosovë jashtëzakonisht të vështirë, e cila tha se duhet të zgjidhet vetëm me unitet dhe bashkim të të gjithë serbëve.

Ai e ka quajtur Kosovën një shtet të brishtë, ndërsa ka potencuar heqjen e taksave, lirinë dhe lirimin e të akuzuarve të fundit, si kërkesa themelore të serbëve.

Sipas tij, Prishtina po tenton t’i destabilizojë serbët në mënyrë që të ikin dhe ta braktisin Kosovën.

Ivanoviq: Nuk po na lejojnë të transportojmë ilaçe

“Masat ekonomike tani janë kombinuar edhe me arrestime të serbëve, nënave dhe shoqeve më të ngushta të Oliver Ivanoviqit, me akuza të rrejshme…Sikur ne nuk e dimë kush i ka vrarë mijëra serbë. Mos vallë serbët i kanë vrarë, kidnapuar ata. Janë të njëjtit që po ushtrojnë sot dhunë ndaj serbëve ata të cilët janë në plan të parë, në mënyrë që t’i destabilizojnë serbët, që t’i detyrojnë të jenë të dëgjueshëm, përkatësisht që të ikin. Gjërat janë të qarta…Nuk po na lejojnë të transportojmë ilaçe, material sanitary dhe oksigjen…Duan që ne të shkruajmë Kosova Republikë në këto barëra. Po nëse shkruajmë Kosova Republikë dhe këto ilaçe ua japim pacientëve, ilaçe të një shteti të brishtë, do t’i helmojmë pacientët tonë”, ka thënë Ivanoviq.

Zëvendësdrejtoresha e Shtëpisë së shëndetit në Mitrovicë, Milena Nikoliq, tha se serbët sot të qetë qëndrojnë dhe luftojnë për mbijetesë.

Prishtina, shtoi ajo, ua ka marr serbëve më themeloren dhe më të duhurën, ushqimin, ilaçet dhe të drejtën e lirisë.

Nikoliq: Nk mund të na merrni dashurinë ndaj Serbisë

“Nga këtu i dërgojmë porosi Prishtinës, mund të na merrni ushqimin, ilaçet, kjo flet për juve si njerëz, mund të na merrni edhe sigurinë, por kurrë nuk mund të na merrni dashurinë ndaj shtetit tonë të Serbisë, dashurinë ndaj Kosovës tonë”, theksoi Nikoliq.

Ndryshe, protesta e sotme që zgjati rreth një orë ishte e qetë, ndërsa përveç prezencës së kryetarëve serbë në dorëheqje dhe disa deputetëve serbë të Parlamentit të Kosovës, ishin ftuar edhe disa nga ish futbollistët e njohur nga Beogradi si Dragan Xhajiq, Mitar Mërkela, si dhe drejtori i klubi Cërvena Zvezda, Zvezdan Terziq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat