Aktiviteti fizik mund të ndikojë në uljen e rrezikut të vdekshmërisë nga pneumonia

Mjekësi alternative

Aktiviteti fizik mund të ndikojë në uljen e rrezikut të vdekshmërisë nga pneumonia

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 23:46
Foto ilustrim

Një studim i ri zbuloi se stërvitja në baza të rregullta mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të pneumonisë dhe ndikimin e saj të dëmshëm.

Studimi i publikuar në GeroScience Journal, vuri në dukje se aktiviteti fizik ndihmon në përmirësimin e niveleve të faktorëve të rrezikut të mundshëm si pesha trupore, hipertensioni, lipidet, faktorët hemostatikë, adipokinat dhe hormonet seksuale; zvogëlon inflamacionin sistemik duke reduktuar gjithashtu incidencën, kohëzgjatjen ose ashpërsinë e infeksioneve.

“Megjithëse studimi ynë nuk mund të përcaktojë sasinë dhe intensitetin e aktivitetit fizik, i cili është thelbësor për të parandaluar pneumoninë, disa nga rezultatet sugjerojnë se ecja për 30 minuta një herë në javë ka një efekt mbrojtës në vdekjen për shkak të pneumonisë.” tha autori kryesor i studimit, Dr Setor Kunutsor.

Dr Kunutsor së bashku me bashkëautorët S Seidu, Universiteti i Leicester dhe Jari A Laukkanen, deklaruan se zhvillimi i pneumonisë së rëndë si pasojë e COVID-19 dhe sëmundjeve të tjera të frymëmarrjes është një dukuri e zakonshme.

“Aktiviteti fizik i rregullt mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes nga COVID-19, te grupet me rrezik, si te të moshuarit edhe te ata me probleme shëndetësore,” shpjeguan autorët në studim.

Sidoqoftë, Dr Navneet Sood, Konsulent Pulmonar, deklaroi se rreziku i sëmurjes nga pneumonisë “mund ose nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me ushtrimet pasi mund të ndryshojë sipas rastit”, shkruan Indianexpress.

“Ushtrimet janë të dobishme për një jetë cilësore dhe sigurisht që ndikojnë në shëndetin dhe imunitetin e mushkërive, të cilat parandalojnë incidencën e pneumonisë, por efekti i tyre në vdekshmëri sapo të shfaqet pneumonia nuk është plotësisht i provuar. Ushtrimet e rregullta të frymëmarrjes dhe mënyra e jetesës aktive ndihmojnë për të mbajtur mushkëritë të shëndetshme. Sa më shumë t’i shtrijmë muskujt e mushkërive, aq më shumë i përgatisim për të luftuar kundër problemeve të frymëmarrjes“, tha ai.

Ndërkohë, studimi nuk vërtetoi shkakun dhe efektin, dhe për këtë arsye, nevojiten kërkime të mëtejshme për të treguar nëse rezultatet e demonstruara janë shkakore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e identifikon pneumoninë si një formë të infeksionit akut respirator që prek mushkëritë. Mushkëritë përbëhen nga qese të vogla të quajtura alveola, të cilat mbushen me ajër kur një person i shëndetshëm merr frymë. Kur një individ ka pneumoni, alveolat mbushen me qelb dhe lëngje, gjë që e bën frymëmarrjen të dhimbshme dhe kufizon marrjen e oksigjenit. Mund të shkaktohet nga bakteret, kërpudhat ose viruset.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat