Vizat dhe shtetërrethimi i vazhduar për qytetarët e Kosovës

Opinione

Vizat dhe shtetërrethimi i vazhduar për qytetarët e Kosovës

Nga: Fadil Lepaja Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 14:29
Fadil Lepaja

Dikur, viteve të 80-ta dhe 90-ta të shekullit të kaluar, për shumë të rinj shqiptar, edhe për qytetarë të  gjitha moshave e gjinive,  në ish-Jugosllavi, burgosja përjetohej vetëm si një ndërrim vendi, pra si një kalim prej një burgu më të madh, në një hapësirë më të vogël, diqysh si një kufizim i lirisë, individuale, të lëvizjes. Kjo për shkak se shqiptarët, nga një pushtet i instaluar, i jashtëm, prej Serbisë, trajtoheshin si një i burgosur kolektiv.

Ndoshta dikujt ky krahasim me principin evropian të lëvizjes së lirë, dhe kufizimin e saj, do të i duket i vrazhdë, por jo edhe për kosovarët, pasi krahasimi gjithnjë ka qenë dhe mbetet mënyrë e mirë me i pa edhe ngjashmëritë edhe dallimet në mes të fenomeneve apo gjallesave, në natyrë dhe në shoqëri. Kur krahasojnë, kosovarët, sot, pozitën e tyre dhe të fqinjëve në  raport me Evropën, atëherë për shumë kë iluzioni shprishet. Na do apo nuk na do Evropa në radhët e veta? Përse vetëm për kosovarët të jetë ky një shteg i gjatë dhe i vështirë me pengesa të pakapërcyeshme?

Pas lufte në Kosovë, ky burgu i madh, së paku për kolektivin shumicë është zhbërë,  edhe pse një pakicë është futur pastaj në një vet izolim të tmerrshëm tash gati dy dekada, për të ruajtur institucionet e Serbisë në Kosovë, me shpresën se do të rikthehet e kaluara dhe se shumica prapë do të përjashtohet dhe izolohet. Kështu ata e mendojnë drejtësinë dhe vetëm kështu mund të e paramendojnë se Serbia mesjetare të ringjallet në Kosovë. Si do të kombinohet Serbia mesjetare dhe Evropa moderne, kjo është një pyetje e cila në praktikë po ndodhë por në parim paraqet shkelje të gjitha parimeve evropiane.

Në një rreth më të gjerë, kjo pakicë e vet izoluar ende po e mban peng, përmes shtetit të Serbisë shumicën kosovare, sidomos me rrethimin nga jashtë, indirekt, përmes institucioneve evropiane dhe të lobit serb atje, i cili falë mbështetjes së fuqive jashtë evropiane kryesisht euro -aziatike, po arrin të imponoj këtë shtetrrethim për kosovarët.

Dialogu i imponuar me Serbinë, në rrethana kur përmes shantazheve dhe bllokimeve, Serbia po përpiqet të ndërrojë jo vetëm të tashmen e të ardhmen por edhe të kaluarën, duke u hequr si viktimë, ka ndërtuar mekanizma të robërimit të përsëritur të  kosovarëve, si liberalizimi i vizave dhe procesi i  integrimeve evropiane,  sa kjo në vend të një ëndrre më se normale të një komuniteti evropian të mbetur jashtë, është shndërruar në një makth, në një kufizim të drejtave elementare , dhe vlerave të proklamuara evropiane, për të vetmin komunitet të rrethuar nga të gjitha anët me vende dhe popuj të cilat për asgjë, nuk e meritojnë më shumë të jenë të dalluar dhe të pranuar nga Evropa.

Është komedi e llojit të vet, kur një vend i ndërtuar fund e krye nga evropianët, përfshi këtu ligjet dhe klasën politike madje, e cila është ngritur në pushtet dhe favorizuar pikërisht nga administrata ndërkombëtare dhe ajo evropiane, konsiderohet të jetë prapa në procesin e integrimeve me shtetin i cili u bombardua nga forcat e NATO-s, pra nga shumica e vendeve evropiane, me motivacion për të penguar një katastrofë humanitare të përmasave të gjenocidit. Kjo katastrofë e ndodhur humanitare, si pasojë e të cilës mbi një milion kosovarë u shpërndanë anë e mbanë planetit, sot e kësaj dite minimizohet, në përpjekje për të përfituar zyrtarët serb që të largohen nga Rusia dhe të pranojnë Evropën edhe pse në të gjitha anketat, qytetarët serb në Serbi, tregohen shumë më të interesuar për Euro-Azinë se sa BE-në.

Çka ndërtoi kështu bashkësia ndërkombëtare në Kosovë? Çfarë lloji institucionesh, ligjesh, dhe në fund të fundit çfarë drejtësie ndërtoi bashkësia ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian  në Kosovë, sa që as vet nuk duan dhe munden të e pranojnë? Përse tmerrohet Evropa kur shikohet në pasqyrën e saj në Kosovë?

Sa ndikoi selektimi kadrovik, i mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare, që sot të kemi një administratë dhe një klasë politike skajshëm të korruptuar, dhe jofunksionale?

Përsëri, edhe përkundër institucioneve të rendit dhe drejtësisë të krijuara krejtësisht nënë mbikëqyrjen dhe drejtimin e Evropës, BE nuk u besoi këtyre strukturave të cilat vet i krijoi, por u desh që nën ndikimin e Lobit Serb dhe aleatëve jashtë evropian të ngrihet një gjykatë speciale, për të gjykuar për krime të paragjykuara, dhe të satanizohet në përmasa ndërkombëtare një popull i cili me fajin e Evropës, edhe njëqind vjet më herët kishte mbetur koloni e Serbisë, edhe pse e njëjta asokohe  kishte kryer krime monstruoze ndaj shqiptarëve. Por, asokohe, Evropa nuk thirrej në parime, dhe luftonte mes vete, ishte thjesht raport i forcave, kur ata që e donin një Serbi të fuqishme, ishin më të shumtë dhe më të fuqishëm se sa ata që i donin shqiptarët e lirë.

A është edhe tash politika parimore e Evropës e kushtëzuar nga fuqia, nga raporti i forcave? A është Evropa frymë apo thjeshtë administratë e pa shpirt ku argat të lobeve të ndryshëm  dominojnë mbi të tjerët?

A është suspenduar turpshëm parimi i lëvizjes së lirë, i kosovarëve, vetëm për të përfituar vullnetin e Serbisë që të pranojë  të jetë pjesë   Evropës? A ka parime, apo ka vetëm fuqi, dhe interesa Evropa?

Kushtëzimi i lëvizjes së lirë, me bashkëpunim kolektiv, për të arritur marrëveshje të pafavorshme për një komunitet është turpi i Evropës së re, e cila me politikën diskriminuese, po u thotë shumë shqiptarëve që nuk janë të mirë se ardhur në Evropë dhe se për ta ka edhe alternativa të tjera: A duhet të pranojnë kosovarët çfarëdo kushti, sado i turpshëm dhe sado absurd që të jetë, vetëm që Serbia të pranojë të njoh ekzistencën tonë, apo duhet të insistojnë në parime dhe të vazhdojnë të mbahen të përjashtuar? A janë parimet, si ai i lëvizjes së lirë dhe të drejtave të tjera kolektive e individuale, mekanizëm robërimi apo çlirimi të popujve dhe individëve?

Është për të dyshuar, kur një Evropë të tillë përplot liri dhe parime, e përfaqëson një ish –komuniste,  pro ruse si Mogherini, apo një ish fashist, tash përparimtar, si Vuçiçi i cili ende mendon se Millosheviçi ishte një burrështetas i madh, e të mos flasim për modelin e politikanëve vendorë të përkrahur nga një pjesë e Evropës të cilët lan nam në përmasa ndërkombëtare për korrupsionin dhe keq qeverisjen, si dhe servilizmin,  dhe të cilët sot  e mbajnë peng të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat