Hashim dramaturgu dhe gjykata si teatër i tij

Opinione

Hashim dramaturgu dhe gjykata si teatër i tij

Nga: Kimete Berisha Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 16:10
Kimete Berisha dhe Hashim Thaçi. Foto ilustrim nga "Bota sot"

Krejt fatkeqësitë ndodhin prej intrigave: kërset lufta; ndahen dashnorët; prishet miqësia; shkatërrohen familjet; t'shkatërrohet puna, të gjitha të këqijat mbi këtë tokë ndodhin për shkak të intrigave dhe prandaj pa intrigë s'ka dramë.

Goxha njëfarë drame e luajti dje edhe Hashim Shekspiri në teatrin e gjykatës.

Por drama e ka katarsisin, lolo.

Gjykatësit e dinë rolin që ua ka dhënë Shekspiri, Kadri Veseli e Xhavit Haliti po ashtu e dinë, mezenskena gati, të gjithë aktorët në skenë kur Presidenti e bën regjinë e skenarit të tij (me asistent regjie Kadri Veseli) e lëshon intrigën si bombën dhe mendja e tij shpërthen lufta qytetare bëhet kiameti, veç për hatër të tij. 
(Kurrkush nuk e di kur bëhet kiameti?)

Mirë i ka lidh situatat dramatike, duhet me ja pranu, po megjithatë e ka bërë një gabim.

Amatorizmi dramatik erdhi në shprehje kur Hashim dramaturgu u habit dhe (sikurse Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti) dëshprimisht i doli në mbrojtje Murat Jasharit, bash atij që u zu me 'pelë përdore'.

Pse? Qysh mbrohet ai që ka dasht me t'vra! Dhe plus po zgjedh 'kush ka dasht me t'vra'. Po ke qejf me zgjedh 'vrasësës' Albin Kurtin!
Askush nuk e zgjedh vrasësin e tij, e as ti!

Murat Jashari s'ditka të shkruaj!

Ai nuk ka shkruar romane por të ka pyetur dhe ka konstatuar thjesht, për shembull të ka pyet 'kush e ka vra natën duar lidhur Behadin Hallaqin dhe ku e ka varrin ai'! Besa ka konstatu që 'ti e ke vra'. 
Gojën sa qorapa, ke mujt me thënë 's'di'.

Për Remzi Hoxhën të ka pyet kush e ka vra dhe ka konstatu se ata që e kanë vra kanë qenë të lidhur me Xhavit Halitin dhe Kadri Veselin.

Kush e ka vra cimerin tënd Ali Ukën-të ka pyet me emër e mbiemër e tash ti thua se ai s'di me shkru! 
Nëse s'di me shkru, ka mujt m'i diktu najkuj.

Ke mujt m'u përgjigj menjëherë, si njeri normal, me thënë s'di kush e ka vra. 
Ose me padit për shpifje. E ti lë që nuk e ke paditur për shpifje Murat Jasarin por plus çohesh e mbron me mish e me shpirt njeriun që ka dasht me t'vra!

Ai s'ditka me shkru por ditka me gju allti!

Qe, këtu ka ndodhur momenti kur ti e prish dramën që e ke nis bukur mirë.

Nuk duhet dije gramatikore për me ba pyetje, ndërsa që ka sëmundje psikike Murat Jashari që jeni organizu me thënë ju (si për Azem Sylën) s'ka lidhje se edhe gjeniu John Nash që ka dhënë kontribut fondamental në krijimin e 'teorisë së lojēs' ka qenë edhe shizofren, edhe gjenial.

Shizofrenia nuk të pengon me qenë i mençur.

Pra, 1400 e kusur pyetje ti ka bë Murat Jashari krejt për vrasje të shqiptarëve dhe shumë më mirë kish qenë m'u përgjigj bile në pyetjen për cimerin.

Nëse do të ishte 'e vërtetë' qysh thotë 'drama queen' se 'Albin Kurti fshihet pas 'Syrit të popullit' dhe ka dasht me 'vra' Hashim Thaçin, atëherë do të ishte e 'vërtetë' (qysh mendojnë shumica e shqiptarëve) se 'shumë vdekje në Kosovë, qoftë nga sëmundja, qoftë nga aksidentet, janë vrasje e likuidime'!

Kushdo që është 'dikushi' u sëmurë apo ka vdekur prej exheli në Kosovë, menjëherë dhe automatikisht popullit i ka shku e i shkon mendja në 'teori konspiracioni'.

Qe, dil pyeti popullin të tregon.

Krejt Kosova është e juaja, gjykatat janë tuajat, të politizuara, ata janë aparatçikët tuaj prandaj çdo njeri që i ka dy palë mend në kokë e di se ju me 'gisht' e ndani drejtësinë, qysh ua do loçka.

BE nuk tregon se ju jeni vetë Ligji, sepse keni arritur ta korruptoni edhe policinë evropiane edhe atë të Kombeve të Bashkuara.

Mbasi e ke bë me intriga, mundem me të lënë pa gjumë me intriga, por s'po du.

Shkojmë me intriga të lehta të bazuara në intuitë. 
Kështu na shkon mendja neve:
zemra na thotë se ju jeni kriminelë.

Mendimet, ndjejjat e parandjenjat, krejt janë të lira. S'ka ligj që mundet me t'i ndal mendimet.

Si ti që je i lirë të thuash se pas 'Syrit të popullit' qëndron Albin Kurti, edhe ne jemi të lirë të themi se ju qëndroni pas të gjitha të këqijave njëzet vjeçare që kanë ndodhur në Kosovë. 
Intuitë ti, intuitë na. 
Ty të ka thënë dikush, neve na ka thënë dikush.

Kështu qysh ka 'menduar' Hashim Thaçi për Albin Kurtin, kështu mendon populli për ata që kanë vdekur 'tap-rrap', ose janë 'vetëvrarë', mendon populli se po vdesin gjinja kishe në aksidente veç pse kanë qenë 'dëshmitarë të krimeve'. Ti vetë ke thënë se gjysma e më shumë e dëshmitarëve janë vra, ke folë me një palë fjalë si të Rada Trajkoviçit, edhe ajo ka thënë njësoj si ti.

Pra, nëse ti je 'i lirë' të mendosh se Albini ka dasht me të 'vra', ne jemi 'të lirë' të mendojmë se Ju dëshirat i keni bë realitet.

Ti e Xhavit Haliti kush ju ka dalë përpara e ua ka zënë udhën, në një mënyrë apo tjetër e keni 'rahatu'.

A ke fakte se Albini ka dasht me të vra!
Jo nuk i ke, se ai që ka fakte-s'ka fjalë.

Kur Presidenti s'ka nevojë për fakte, As populli s'ka nevojë për fakte. 
Edhe nëse do të kishe fakte se 'Albini është kriminel', kjo s'do të thotë që mbasi 'Albini është kriminel' ti nuk je kriminel'!

Ti e ke lehtë se bën be rrejshëm, kur të akuzojnë, i tubon 24 pleq. E ne që nuk bëjmë be rrejshëm, për neve aty përfundon intriga, pa katarsis.

Sikurse Hashim Thaçit që i ka tregu 'dikush', edhe neve popullit na ka 'tregu' 'dikush' se ju jeni kriminelë dhe qëndroni pas mafisë tokësore e nëntokësore në Kosovë.

Bile neve na ka tregu dikush që me ligj nuk bëhet as dëshmitar.

A doni intriga! 
Dikush s'ka çka humb (se ua keni marrë të gjitha) e të rras me intriga.

Pra mbasi ja ke nis me intriga, na e ke çel udhën t'i themi do gjana që po na brejnë.

Kadri Veseli para Hashim Thaçit u çartë në gjykatë, kqyrke m'u rreh (kish policë që i buzëqeshnin me admirim) por pak më i matur e më impulsiv se dramaturgu, i cili direkt në temë ua mbylli derën gazetarëve, e ua çeli sytë gjykatësve, u tregoi kush është 'vrasësi'.

Sikurse Kadriu, ashtu edhe Hashimi, dhe sidomos më i urryeri i të yrryerve Xhavit Haliti, të gjjthë e morën në mbrojtje Murat Jasharin. Why? 
Qysh merret në mbrojtje njeriu që ka dasht me ju vra!

Ndoshta edhe Dick Marty s'din me shkru? 
Hashim Thaçi ka thënë më 2010 se e di kush prej shqiptarëve ia ka shkruar raportin Dick Martyt por asnjëherë s'e ka zhvilluar dramën deri në fund.

Apo ndoshta edhe Dick Marty është i smutë psikikisht! Prandaj premtove publikisht se do ta padisësh për shpifje, por nuk e padite.

Ramushi thotë se s'do t'i lejojmë kriminelët ta marrin ligjin nē dorë, kurse disa nga ligjvënësit e Kosovës lë që janë kriminelë, po edhe janë dënu me burg për krime dhe vrasje.

Duhet me qenë kogja trim me guxu me jetu në një vend ku e udhëheqni ju!

P.S. Kësaj i thonë 'ironi dramatike':
-Te Makbeth i Shekspirit, audienca e di se Makbeth sillet 'lojal' ndaj Duncan gjatë kohës që e planifikon vrasjen e tij. 
- Te Hamleti, Ne e dimë se Hamleti e dinkush ia ka vrarë babën dhe nuk është i çmendur. Ai thjesht i mashtron të tjerët derisa e planifikon hakmarrjen. 
- E te 'Lufta e yjeve', Luke nuk e di se Vader është babai i tij, deri në episodin e pestë, por shikuesi e merr vesh më herët ?.

Ka punë me qenë dramaturg, Hashim 'drama queen'!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat