Greva në arsim dhe zgjidhja

Opinione

Greva në arsim dhe zgjidhja

Prof. Dr. Agim Hyseni Nga Prof. Dr. Agim Hyseni Më 28 janar 2019 Në ora: 10:46
Foto ilustrim

Sistemi arsimor është  pjesë përbërëse e shoqërisë që shpreh sfidat,, ngritjet dhe rëniet e saj si dhe kahet e zhvillimit të shoqërisë. Arsimi në botë po mplaket më shpejtë se arsimtarët. Por çfarë është gjendja në Kosovë? Arsimi në Kosovë sot është në gjendje shumë të mirë, madje  është në gjendje  të shkëlqyeshme në raport me vitin dhe vitet vijuese. Kjo gjendje pasqyrohet dhe bazohet në rangimin dhe trajtimin institucional aktual të arsimit, në vendin që e ka në ligën e prioriteteve institucionale: e dyta në radhë – nga fundi. Gjendja e arsimit pasqyrohet në statusin e  arsimtarit që nuk mundet ti shkolloj fëmijët e vet.

Pozita në të cilën e kemi sjell ne arsimin, duke shkelur dëshirat dhe ëndrrat e nxënësve dhe qytetarëve për shkollim, flet për pasojat e mësimeve të trashëguara nga kolonializmi, tash të shqipëruara. Të gjithë ne dhe shumë të tjerë më të mirë që nuk janë në mesin tonë, arritëm të ruajmë një sistem të tërë arsimor nga “Ata” por, dështuam ta mbrojmë arsimit nga Ne, nga qytetarët e shoqërisë sonë. Në këto pozitë në të cilën e kemi sjellë veten, ne, lufta ka me qenë si me e ruajt këtë nivel të arsimit që e kemi. Shumica e liderëve dhe partive politike nuk kanë pse të përmenden. Vërtet, pse të përmenden? Po ne, arsimtarët?  Po qytetarët?

Arsimi si prioritet qeveritar kosovar  nënkupton jo vetëm proklamimin e interesimit por edhe planifikimin, zhvillimin i strategjisë së sistemit arsimor cilësor nga institucionet shtetërore në raport me nevojat  dhe kërkesat e tregut. Nënkuptohet zbatimi në praktikë i strategjisë zyrtare për zhvillimin e arsimit. Interesimi i proklamuar nuk ka munguar asnjëherë. Madje për marrjen e këtij dikasteri, vazhdimisht ka pasur konkurrencë të fortë në mes të partnerëve qeveritar, ka pasqyruar edhe vazhdon të shprehë  fuqinë e partisë në koalicionin qeveritar.  Duke ditur interesimin dhe vullnetin e qytetarëve për arsim, të njohur në shkallë botërore si rezistencë paqësore aktive kundër aparteidit shkollor në Kosovë, si të mos shfrytëzohet, si mbulesë, ky vullnet i nxënësve dhe arsimtarëve e prindërve, si të lëshohen nga dora  të gjitha ato mundësi dhe investime kapitale në arsim, për shkolla, konvikte e pajisje të tjera materiale në sistemin më të madh publik në vend. Interesimi i proklamuar për arsim cilësor, d.m.th. për subjekt, për shkollarë ka qenë maskë e përkthyer në praktikë si interesim për objekte, për shkolla- të drejta të rezervuara qeveritare. Objektet pra shkollat duhet emëruar me emrat më të nderuar, që dhanë gjithçka, edhe jetën, për çlirim të vendit. A ka  krim të rënde se sa të vritet i vrari, heroi, atdhetari, përmes keqpërdorimit të emrave të tyre. A janë atdhetarë ata që i kryejnë këto vepra?! Nëse dikush e di që janë keqpërdorur emrat më të mëdhenj të kombit si emra shkollash në lagje, në fshatin a qytetin ku jetojmë, dhe heshtim, madje i zgjedhim keqbërësit, atëherë jemi bashkëfajtorë, dhe i kemi përfaqësuesit që i meritojmë. ‘Populli që zgjedh politikanët e korruptuar nuk është viktimë, por është bashkëpunëtor’.(George Orwell)

‘Meritor’ për këtë gjendje deri më sot janë Ministrat e arsimit, pa përjashtim, që nga i  pari e deri te i parafundit. Të shpresojmë që aktualja të ndryshoi. Përveç meritave të përgjithshme për gjendjen në shoqëri ‘meritat’ më të mëdha  për gjendjen në arsimin e lartë i takojnë të parit të vendit, pavarësisht nga pozita si Kryetar partie, Kryeministër apo President, pa pëlqimin e të cilit deri në këtë vit shkollor nuk ka patur mundësi të zgjidhet në mënyrë të pavarur një rektor i vetëm i një  universiteti ‘autonom dhe i pavarur’ në vend. Por, ndoshta këtë nuk e dinë akademikët e profesorët universitetit të Prishtinës a më gjerë – përndryshe do të reagonin. Po nëse e dijnë e heshtin!  As intelektuali nuk është më siç ishte dikur!

Sa më e lartë që ka qenë thirrja dhe titulli i Ministrit të arsimit aq më të larta kanë qenë ‘meritat’ për gjendjen aktuale në arsim.

Pa merita, si duket nuk jam as unë si Zëvendësministër i arsimit, për një mandat.(2008-2011), pavarësisht se kam pranuar detyrën me shpresë që të ndikoje nga brenda kalasë qeveritare në interes të arsimit. Kam shpresuar të kontribuoj si edhe më parë si anëtarë i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës në Prishtinë gjatë okupimit. Të gjitha projektet a idetë modeste të paraqitura më janë përkrahur nga kabineti:  studimi pa shkëputje nga puna e arsimtarëve; Avancimi në karrierë i arsimtarëve;  Përzgjedhja, përmes konkurrencës së vlerave të përformancës, dhe mirënjohja institucionale e arsimtarëve më të suksesshëm të vitit; Këshilla që në Universitetin e Prizrenit, në formim e sipër, mund t’i hapim, jo më shumë se dy- tri katedra, por të ngritura me standarde evropiane; Çështja e integrimit të teksteve dhe arsimit në gjuhën shqipe në rajon...Por, asnjëra nga propozimet nuk është realizuar siç është miratuar! Po ndalem te kërkesë e paraqitur që në fillim të mandatit tim, çështje e zbatimit të obligimit për shpërndarjen e teksteve falas për nxënës të Republikës, të përkrahur nga kabineti po ashtu njëzëri. Organizojmë konferencë për shtyp në emër të MASHT me të ftuar Drejtorët komunal të arsimit, ekspertë të fushës  dhe media. Në fjalën e rastit theksoj rëndësinë e zbatimin të ligjit  me vendimin për fillimin e shpërndarjes falas; Rëndësinë e kulturës së leximit  që nuk kemi pasur mundësi që ta zhvillojmë normalisht; Zhvillimin e kulturës së ruajtjes së librit si vlerë; si dhe në fund, jo për nga rëndësia, zhvillimin e vetëdijes shtet formuese përmes librit  dhe institucionalizimin e solidaritet në mes të nxënësve – ngase librat bazë do përdoren nga nxënësi për një vit shkollor për ty kthyer pastaj të padëmtuar në shkollë  dhe kështu të fitojnë të drejtën që i njëjti/a të marr librat falas të klasës vijuese. Mesatarisht një libër cilësor do të përdoret 10 vite shkollore. Është kjo praktikë e vendeve më të zhvilluara demokratike.

Prej asaj kohe, për nja 10 vite, ne që zëmë nga vendet e fundit në Evropë për lexim të librit shënojmë nga vendet e para për hedhjen e librave të rinj.  “Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim”, do thoshte Visar Zhiti, por tani jo me veprat e diktatorit por me tekste të reja mësimore. Deri më tash do kishim kursyer rreth 60.000 (Gjashtëdhjetë milion Euro) dhe nxënësit do vazhdonin të furnizoheshin me libra falas, do ngritej kultura e leximit si dhe cilësia në arsim.

Prandaj, projekti ideor, -e jo praktika e zbatuar në Kosovë me vite radhazi,-  që shquhet për të mirë edhe nga Shqipëria edhe nga Mali i Zi, patjetër që vlen të konsiderohet.

‘Meritor’ për këtë gjendje janë në radhë të parë veprimet e paramenduara të krerëve të Institucioneve – por jo për interes të qytetari as të cilësisë në arsim. A thua a ka ‘merita’ për këtë gjendje në arsim edhe një profesor akademik, një mjek a zyrtar qeveritar apo joqeveritar, një gazetar, një prind fëmija i të cilit i ka marr dy vite me radhë librat e rinj– pa i kthyer librat e klasës paraprake dhënë po ashtu falas? Kjo ndodhë në një nga vendet më të varfëra  evropiane! Për heshtje të madhe ndaj këtij fenomeni së shpejti do te vijmë në gjendje që , fatkeqësisht, askujt mos ti shpërndahen  tekstet falas; Nëse shpenzohen mjete pa përgjegjësi minimale në një ‘imtësi’ si kjo normalisht se nuk do ketë burime të mjaftueshme për paga të merituara të arsimtarëve. Po për zhvillimin, motivimin institucional në karrierë përmes vlerësimit profesional të përformancës? Prandaj, opinioni se për aq sa arsimtarëve, mjekëve, punëtorëve do t’u epen pagat e merituara për aq do të zvogëlohen gjasat për keqpërdorime të buxhetit – si në shembullin konkret. Pse? Sepse rrogën e  arsimtarit të garantuar me ligj nuk mundet askush ta kushtëzoj me ‘dhënien vullnetare’ të 10 apo 20 apo 30 apo 40 apo 50 apo 60%-shit.

Në çfarë pozite do ta vëmë prindin, përfshi arsimtarin që nuk mundet të shkolloj fëmijët e vet? Nëse prindi detyrohet, bie fjala, a do t’iu blej, secilit nga 3 fëmijëve të vet, çdo fillim viti  librat e rinj – apo do ti blej vetëm për njërin ndërsa të tjerët do të shërbehen me librat e përdorur nga anëtarët më të mëdhenj të familjes. Nëse në këtë mënyrë racionale veprojmë në familje pse këtë kulturë nuk e kërkojmë ta ngremë në kulturë shtetërore.?  A mos është koha të pyesim dhe të vazhdojmë të pyesim pse, duke u nisur nga vetja si prind, si qytetar.; A mos është koha që secili të përfshihet zëshëm në dialog? Nëse vazhdojmë të presim që dikush tjetër të na prijë atëherë tepër mirë jemi, ‘për momentumin.’ Liderët historik të shtetit tonë u vranë ose vdiqën. Këta të gjallët nuk po ndihen bash mirë.

Ndonëse mendoj që nënshkrimi i memorandumit parazgjedhor për bashkëpunim i SBASHK me PAN ka qenë gabim që nuk duhet të përsëritet, një gur i vogël i sprovës së shtet ndërtimit mbi baza ligjore dhe të përgjegjësisë ndaj fjalës e premtimit publik  është realizimi, mbajtja e fjalës dhe zgjidhja urgjente e kërkesës së arsimtarëve të vendit me tri opsionet e mundshme të SBASHK. Tejkalimi i vetvetes nga të dyja  palët: të Qeverisë dhe të SBASHK-ut, në një takim brenda ditës sipas traditës demokratike të Lindjes së largët, takim nga i cili nuk dilet pa e gjetur marrëveshjen, do të shënonte një hap në zhvillimin e vetëdijes shtete formuese dhe një model të mirë për zgjidhjen e sfidave të ngjashme.

Proklamimet në trajtën: “Nëse greva nuk ndërpritet dhe nxënësit vazhdojnë të humbasin orët mësimore, Komuna e Mitrovicës do të kërkoj staf mësimor vullnetar për ta mbajtur mësimin në shkolla” , nuk përkojnë me teorinë dhe praktikën vetëdijen demokratike për angazhimin e secilit për gjetjen e zgjidhjes, në pajtim me ligjet në fuqi.

Perspektiva teorike e këtyre praktikave shprehet në mënyrë origjinale nga Bertrol Brecht, në poezinë e tij( në një shqipërim të lirë): ZGJIDHJA

/Pas kryengritjes së 17 qershorit/ Sekretari i Bashkimit të Shkrimtarëve/ Kishte shpërndarë fletë qarkorë në Stalinal/ Ku  deklaronte  se njerëzit/ Kishin humbur besimin e qeverisë/ Dhe mund ta fitonin atë vetëm/ Me përpjekje të dyfishuara. A nuk do të ishte më e lehtë/ Për qeverinë në këtë rast/ Që të shpërndajë njerëzit/ Dhe të zgjedh njerëz të tjetër?

Këto proklamime ngjajnë me teori dhe praktika të tejkaluara nga vet mësimdhënësit në të kaluarën jo të largët të vendit tonë. Se si duhet angazhuar secili për të ndihmuar gjetjen e zgjidhjes, deri në gjetjen e zgjidhjes më të arsyeshme,  na tregon vepra dhe veprimtaria e figurave të ndritshme nga Komuna e Mitrovicës si bashkëpunëtori e miku ynë Agim Hajrizi apo kolegu e profesori i nderuar Latif Berisha.

Dua të shpresoj që edhe Kryetari në fjalë, edhe të gjithë që duam një zgjidhje racionale të çështjes do  të angazhohen e të ndihmojmë procesin deri në zgjidhje.

Meritor për gjendjen e krizës në arsim deri më sot janë Ministrat dhe ministritë e arsimit, pa përjashtim, që nga e pari e deri te i parafundit.

Ata që e kanë shkaktuar krizën në arsim nuk munden të zgjidhin krizën. Pavarësisht në çfarë pozita kanë. Por, kanë obligim, si të gjithë të tjerët, të angazhohen pandërprerë për gjetjen e zgjidhjes, urgjentisht, deri në gjetjen e zgjidhjes në interes të nxënësve, në radhë të parë, si dhe të edukatoreve, arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat