Paralajmërim për protestë

Opinione

Paralajmërim për protestë

Nga: Rexhep Elezaj Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 22:29
Rexhep Elezaj

Së pari, aprovimi i ligjit me të cilin para 6-7 viteve treva e Rugovës u shpallë “Park Kombëtar”, gjegjësisht ata të cilët dolën me këtë ide idioteske, çdo gjë mund të jenë, por jo edhe shqiptarë, sepse kjo ide dhe ky propozim flet katërcipërisht, se bartësit e saj nuk kanë lidhje me specifikat dhe natyrën e kësaj treve, as në aspektin gjeografik-natyror, e as në aspektin nacional-kombëtar!? Për këtë konstatim, ne mund t’i sjellim me dhjetëra argumente, por këtu do e ceku vetëm NJË;

Nuk ka shembull në Evropë, ku tokat dhe pronat private të banorëve autoktonë dhe pronarëve të tyre, siç janë banorët e 14 fshatrave në trevën e Rugovës, që posedojnë tapi dhe vendime valide gjyqësore mbi pronësisë, që ato t’iu merren dhe uzurpohen përmes ligjeve, me të cilat iu shkelën të drejtat themelore mbi pronësinë, gjë që ky ligj është krejt antikushtetues, antihuman, antikombëtar si dhe mohues i të drejtave tyre elementare njerëzore mbi jetën dhe pronën..!? 

Në bazë të bisedave, debateve dhe takimeve me shumë banorë të trevës së Rugovës, pastaj në bazë të veprimeve dhe sjelljeve arrogante të pushtetarëve nga ministritë gjegjëse për pronat, ambientin dhe mbrojtjen e natyrës, gjithë ata të cilët kanë vepruar në çfarëdo mënyre qoftë, që treva e Rugovës të shpallet “Park Kombëtar”, të bindur në qëndrimin e tyre, banorët e kësaj treve kurrë nuk do të pajtohen dhe nuk do lejojnë që t’iu merren dhe uzurpohen pronat e tyre private dhe stërgjyshore, qoftë edhe me çmimin për ta flijuar jetën..!?

Së dyti, vendimi i disa organeve qendrore në Prishtinë (ministrive përkatëse) për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Bistrica (Lumbardh) të Pejës, është pa dyshim në esencën e tij, zbatim i koncepteve dhe qëndrimeve antishqiptare të kahmotshme të Serbisë. Ngase, askund në botë nuk kemi hasur që një pushtet qendror apo lokal qoftë, lumenjtë e shtetit të vetë t’i zhbëjë nga faqja e dheut, duke e futur (fshehur) ujin e tyre në gypa (siç kanë biseduar me një firmë austriake), me qëllimin më abnormal që në 5 punkte mbi këtë lum, filluar nga fshati Kuçishtë e deri në kilometrin e 5 të Bistricës mbi Pejë, të ndërtohen 5 diga për prodhimin e rrymës elektrike. Me ndërtimin e tyre Gryka dhe lumi pitoresk i Rugovës, Bistrica, do e humbë rrjedhën e ujit të pastër si loti, nuk do ketë më florë as faunë e domosdoshme për drunj, peshq, kafshë të egra dhe zogj të pyjeve dhe bjeshkëve të bukura të kësaj treve, e cila denbabaden ishte shqiptare, e ruajtur dhe e kultivuar me xhelozi ndër shekuj me gjithë begatitë e saj natyrore, ndër të cilat me ujin e gjelbër të saj, sikur sytë e bukur të dallëndysheve, shqiponjave dhe orrlave që jetojnë në shkrepat magjepse të këtij kanjoni unikat që gjallëron në gjirin e bjeshkëve të Rugovës kreshnike..!? 

Edhe ky projekt idiot, i ofruar nga njerëz që nuk kanë dalë kurrë jashtë fshatrave të tyre të prapambetura dhe primitive, tregon mbi mungesën e shkollimit, kulturës dhe shpirtit të tyre shkatërrues. Me një fjalë, janë budallenj dhe antikombëtarë të sojit dhe llojit më bizarë që ka prodhuar ndonjëherë populli shqiptar në Ballkan.

Image

Ta fusësh rrjedhën e lumit nëpër gypa të mëdhenj për të ndërtuar hidrocentrale të vogla, që nuk i plotësojnë nevojat as për qytetin e Pejës, ta shkretosh natyrën dhe klimën e saj të pastër si loti, në vend se në majat e bjeshkëve të kësaj treve të ngritën turbina me mekanizma për erë për prodhimin e rrymës siç veprohet në gjithë Evropën, është më shumë se sa tradhti e kulluar kombëtare. Pra, të aprovosh projekte dhe ligje me të cilat me dorën tënde e shkatërron ambientin, natyrën dhe ajrin e pastër nga i cili marrim frymë çdo ditë, vetëm për t’i ngopur egot e disa zhvatësve dhe hajnave të pasurive natyrore të trevës së Rugovës, gjejgjësisht të Kosovës, siç ishte rasti bizar me lumin në Deçan, është pa dyshim, vepra më djallëzore që mund ta bënë vetëm njeriu me psikikë të sëmurë dhe pa ndjenja njerëzore e kombëtare..!?

Prandaj, ju garantojmë, se bijtë, bijat dhe banorët e trevës së Rugovës (mbi 15.000) nuk do lejojnë kurrë që dikush me logjikë të sëmurë dhe me dorën e tij/tyre shkatërrimtare, të na e dëmtojë lumin më të bukur dhe më të pastër në Kosovës, siç është Bistrica e Rugovës (Lumbardh), i cili buron në disa vende të bekuara nga Zoti, në pjesën perëndimore të kësaj treve (në kufijtë me Malin e Zi), dhe i cili përveç se është një pasuri e jashtëzakonshme e kësaj ane, me ndikimet e tij tejet të rëndësishme ambientale për gjitha gjallesat që jetojnë në të dhe jashtë tij, nuk mund të na i zhbën dhe as shkatërrojë askush, derisa të frymojë edhe banori i fundit në këtë trevë pitoreske të cilën na e lanë amanet të parët tanë të fisit Kelmend..!?

Image

Për ta kundërshtuar këtë ide dhe projekt antikombëtar, banorët dhe udhëheqësit lokalë të komunitetit në trevën e Rugovës, kanë marrë vendim që me datën 25. 02. 2019, të thirrët protestë gjithë popullore, e cila do të mbahet në qënder të qytetit të Pejës, duke filluar në ora 12:00h.

Ndaj, ftohen të gjithë qytetarët, pa dallim se nga cili vendbanim vijnë, që sa më masovisht të marrin pjesë në këtë tubim protestues..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat