Gëzuar 7 marsin!

Opinione

Gëzuar 7 marsin!

Nga: Haki Latifi Më: 7 mars 2019 Në ora: 13:03
Xhemajli Brahim Jashari me nxenesit e tij

Dita e Mësuesit është festë kombëtare, e cila nuk është vetëm për punonjës të arsimit shqiptar, por edhe për nxënës e studentë, është një festë që festohet në çdo familje shqiptare. Kjo është një traditë e bukur e krijuar tek populli ynë. Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar, kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe atdhetar të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha, për zhvillimin e arsimit kombëtar.

Duke kujtuar 7 marsin –Ditën e Mësuesit nuk mund të lëmë në heshtje e të mos nderojmë edhe rolin e kontributin e mësuesve të palodhur dhe prindërve të urtë shqiptarë që mbajtën dhe mbajnë hapur shkollat shqipe në hapësirat shqiptare dhe në mërgatë.
Në shkretëtirën që krijoi pushteti i viteve të pas Luftës së Dytë Botërore, në Prizren dhe rrethinë u paraqitën dhe u veçuan edhe shumë arsimdashës për nga angazhimi atdhetar e intelektualë shqiptar.

Ata ishin mësues, por jo vetëm kaq. Ata ishin pishtarë që bënin dritë në errësirën e thellë që krijoi pushteti i atëhershëm antishqiptar. Që nga fillimi i ndjekjeve që i bëheshin popullit dhe kulturës shqiptare u vunë në ballë të qëndresës kundër shtypjes dhe kështu u dëshmuan Prizrenasve e banorëve të fshatrave të tjera se pushteti i ri jugosllav nuk e solli lirinë e propaguar, por e shtoi edhe më shumë shtypjen, duke mohuar të drejtat kombëtare shqiptare, si më parë. Angazhimi i tyre për rezistencë i hapi horizontet e reja prej nga shihej se në liri jetohet, kurse në kushtet jetësore që solli pushteti i ri në fakt për çdo ditë vdisje nga pak, se në liri shijohet drita e diellit, kurse realitetin të cilin e krijoi pushteti komunist jugosllav, në fakt ishte një greminë e errësirës dhe robërisë.

Image
Xhemajli Brahim Jashari

Fjala e tyre dilte nga burimet më të pastra kombëtare. Prandaj populli, veçmas rinia, u vetëdijesua se nuk ishin turq të cilët duhej të shpërnguleshin për Turqi, por se ishin shqiptarë të cilët jetonin në vatrat e tyre stërgjyshore, ku pushtetet e mëparshme kishin bërë çmos që të na asimilonin, duke hedhur gjuhën tonë në margjina të jetës shoqërore dhe duke përkthyer toponimet dhe mikrotoponimet shqiptare. Këto forma veprimi do ta sillnin harresën kolektive, si hyrje në asimilimin e plotë.
Ndër pasuesit e veprës së ndritshme të arsimit shqip ishte edhe mësuesi i parë i shkollës shqipe në Kabashin e Prizrenit, Xhemajli Brahim Jashari(1916-1989). (Miku im, Babai i bashkëshortes dhe gjyshi i fëmijëve tanë)

Mësuesi Xhemajli, i takon prietarëve të Mësuesve shqiptarë në shkollat e rrethit të Prizrenit, në të cilën në shenjë nderimi mund të quhen; Fisnikët e kombit. Ai dhe brezi i tij i mësuesve, vazhduan misionin e tyre duke e shpaluar kuptimin e lirisë dhe duke e zbërthyer bukurinë e saj përmes arsimit. Ata e morën brengën për liri mbi shpatullat e veta me tërë barrën që ka. Me të merrnin frymë, me të lëviznin duke e ngritur brengën shqiptare në një ëndërr e cila duhet të realizohet domosdo.

Mësuesi Xhemajli, me përkushtim të madh punoi për përhapjen e dijës dhe të shkrimit të gjuhës shqipe në fshatrat; Kabash, Korishë, Lutoglavë, Gorozhub dhe në Lugishtë- (Lubizhdë). Pushteti e burgosi mësuesin Xhemajli, më pas shpeshherë edhe ja ndërroj vendin e punës duke udhëtuar me dhjetra kilometra në këmbë siq është rasti në Gorozhub të Hasit për shkak të qëndrimit të tij atdhetar dhe kombëtar.
Shkoi në botën e amshuar i qetë, pa zhurmë dhe me plotë besimin se kishte kryer një punë të shenjtë kombëtare.
Ai iku në Amshim me heshtjen zyrtare edhe të kohës së sotit ndaj tij!

I qoftë i lehtë dheu i tokës së Arbërit për të cilin u angazhua dhe punoj me aq dashuri e përkushtim.
Një urim shumë të madh për të gjithë mësuesit/et, ata që i dhanë dhe i japin dritë, frymë dhe shpirt kombit.
Gëzuar ditën e mësuesit/es!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat