Ezopi, Sokrati, dhe gjuha e pakafshuar e bulizmit politik...! - Bota Sot
Ezopi, Sokrati, dhe gjuha e pakafshuar e bulizmit politik...!

Opinione

Ezopi, Sokrati, dhe gjuha e pakafshuar e bulizmit politik...!

Nga: Ilir Çumani Më: 25 mars 2019 Në ora: 15:51
Ilir Çumani

Ezopi, fabulisti më i shquar i të gjitha kohërave, është një nga rrëfenjësit më interesant, i cili, me filozofinë e tij të konceptuar dhe të ndërtuar nga përvoja e tij personale e jetësore si skllav, tërhoqi vëmendjen e mbarë njerëzimit, duke e përcjellë atë brez pas brezi, qysh nga koha kur ai jetoi në Greqinë e Lashtë, në vitet 620 – 560 para Krishtit. Mesazhet e tij kanë qenë dhe mbeten filozofike dhe universale, mjaft impresionuese e frymëzuese. Ato do të mbeten përgjithmonë aktuale, tepër edukative për vlerat morale që mbartin në vetvete. Mes shumë rrëfenjave të tij, ai ka një fabul mjaft interesante, e cila qëndron si një margaritar në veprën e tij fabulistike. Ka të bëjë me gjuhën, jo në kuptimin fiziologjik dhe anatomik, por si një mjet komunikimi përmes së folurit dhe të shprehurit. Ai e paraqet simbolikën e përdorimit të gjuhës në mënyrë dykuptimore: Në mënyrën më të mirë, por, edhe në mënyrën më të keqe. Në kuptimin e mirë, Ezopi e përkufizon kështu: “…Gjuha neve na bashkon.

Pa gjuhë, neve nuk mund të shprehim dot asgjë. Gjuha është kyç i shkencës, arma e arsyes dhe e së vërtetës. Me ndihmën e gjuhës, ne shprehim dashurinë tonë. Me gjuhën, ne japim mësim, bindim, detyrojmë, këndojmë, përshkruajmë, vërtetojmë, vendosim. Me gjuhën, shqiptojmë fjalët: ‘Nënë’, ‘Zot’, ‘E dashur’. Me gjuhë themi ‘Po’. Gjuha i urdhëron ushtarët që të korrin fitore. Me gjuhë lavdërojmë poezinë e Omerit, këndohet te statujat e Fidhjas, nga zotat e Olimpit deri te tregimet mbi Trojën, nga Odet e poetit, deri te mësimet e filozofit. E gjithë Greqia është ndërtuar me anë të gjuhës, me gjuhën e bukur dhe të qartë të grekëve, e cila do të tingëllojë ndër shekuj….”. Ndërsa në kuptimin e keq, Ezopi e përkufizon kështu: “Gjuha është gjëja më e keqe që njohim në këtë botë. Gjuha është burimi i të gjitha grindjeve, është prodhuesja e të gjitha fjalëve, është ‘mëma’ e të gjitha të këqijave. Gjuhën e përdorin poetët e këqij, që na lodhin në Piacë… Shkojnë te gjuha filozofët që nuk dinë të mendojnë, politikanët e pamëshirshëm dhe të padrejtë që duan të sundojnë popullin e tyre… Gjuha shpif, mbulon, shtrembëron, shan, fyen, pështyn, tradhton, thotë maskarallëqe. Me gjuhë themi: ‘vdis qen, skllav’. Me gjuhë themi ‘Jo’. Me gjuhë, Akili shprehu tërë mërinë e tij. Me gjuhë, Odisea kurdisi kurthet e tij. Ja përse gjuha është gjëja më e keqe prej të gjitha atyre gjërave të këqija që njohim deri me sot…”.  

Por, le të kthehemi në aktualitetin e sotëm shqiptar. Në mitingun që pasoi Kongresin e PS-së, organizuar në sheshin “Skënderbej” me rastin e rikonfirmimit për një mandat të dytë për Tiranën të kryebashkiakut Veliaj, Kryeministri Rama, i vendosur në krah të Erionit, u shfaq euforik, i vendosur e besimplotë përgjatë gjithë fjalës së tij përpara aradhës së mbështetësve dhe simpatizantëve të forcës politike që ai përfaqëson. Ai u përpoq të dukej me këmbë në tokë dhe i paepur, pas gjithë atyre tallazeve dhe rrebesheve politike të ardhura deri tani, dhe atyre që do të vijnë në ditët në vijim nga fronti opozitar, i cili, është përfshirë në një valë të pandërprerë protestash e revoltash duke i listuar Kryeministrit përmes denoncimeve të bëra herë pas here publike një seri skandalesh që lidhen, sipas saj, me keqqeverisjen e tij të korruptuar. Opozita, e akuzon Kryeministrin në lidhje me shpërdorimin e pushtetit të kapur nga oligarkia dhe krimi i organizuar siç janë tenderët, koncesionet, shitblerja e votave, skandali me kosto super të shtrenjtë, që kap vlerën e 48 milionë eurove për 2 kilometër rrugë në autostradën e Unazës së Re, keqpërdorimin i fondeve publike përmes PPPve, për aferën e ndërtimit të Teatrit të ri dhe betonizimin e një pjese të konsiderueshme e truallit ku ndodhet teatri ekzistues, si pjesë kyçe në qendër të Tiranës, që e identifikon kryeqytetin me historinë e vjetër të saj. Kryeministri akuzohet nga opozita për zhbërjen e Gjykatës Kushtetuese dhe kapjen e Gjykatave dhe Prokurorisë, për përdorimin e tyre politikisht prej tij, zotërimin e të gjitha pushteteve nga një njeri i vetëm që është KM etj., etj.

Për të gjitha këto, opozita e bashkuar i ka vënë Kryeministrit një kusht të vetëm, si një alternativë për të qetësuar dhe normalizuar situatën e rënduar politike që ka mbërthyer vendin gjatë muajve të fundit, përmes një kërkese shumë të qartë dhe të panegociueshme: largimin e tij si Kryeministër dhe ngritjen e një qeverie teknike tranzitore, të përbërë vetëm nga teknicienë profesionistë jopartiakë, të cilët, të jenë neutralë e të paimplikuar me asnjë forcë politike, garantues dhe gardianë të një procesi të ndershëm, të rregullt e të paanshëm zgjedhor për zgjedhjet e qershorit. Deri këtu, çdo gjë është normale, në një situatë kur i gjithë vendi ndodhet në një ngërç institucional dhe politik, në një krizë tashmë e konfiguruar qartësisht edhe nga vendimmarrja e opozitës pas djegies së mandateve, e cila, me sa duket, ka gjasa që tensionet sociale dhe politike në vend do të shtohen edhe më shumë për shkak të klimës që ofrojnë edhe zgjedhjet lokale. Madje, një kërkesë e tillë që vjen nga opozita, është tërësisht legjitime, si një e drejtë kushtetuese dhe demokratike kur vihen re se po cenohen standardet dhe kolonat kryesore të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Nga ana tjetër, është në të drejtën e Kryeministrit që të përdorë të gjitha mjetet politike e konsensuale për të gjetur rrugëzgjidhje efikase, adekuate dhe të favorshme për zgjidhjen e kësaj krize politike që po i kushton jo pak, si demokratëve, ashtu edhe socialistëve. Pra, të gjithë shqiptarëve, e në veçanti axhendës europiane të vendit për integrimin europian. Në fjalën e tij, Kryeministri la të kuptojë se ishte dakord të dialogojë, të bëjë marrëveshje me opozitën, duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit. Ai tha se është i gatshëm që së bashku me opozitën, të ulet dhe në mënyrë konsensuale të bëjë ndryshimet e nevojshme në Kodit Zgjedhor, pse jo, të ndërhyjë edhe në Kodin Penal për të ashpërsuar ligjin për të gjithë ata që kriminalizojnë procesin zgjedhor duke u përfshirë në shitblerjen e votës. Madje, Kryeministri avancoi edhe më tej, duke paraqitur ofertën që të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur në disa rrethe zbatimi i projektit përmes pilotimit të numërimit të votave me sistem elektronik, si një garanci për standarde më të mira në këto zgjedhje. Përpos qëndrimit publik të Kryeministrit, retorika e tij në mitingun e së shtunës, ashtu edhe diskursi politik i maxhorancës qeverisëse në Pallatin e Kongreseve, nuk të bind se vërtet ekziston vullneti politik nga qeveria e rilindjes për të kontribuar në zbutjen e krizës dhe zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar përmes një marrëveshje konsensuale. Për këtë, pa dyshim, barra bie mbi të gjithë klasën politike shqiptare, por përgjegjësia më e madhe i takon maxhorancës, që përfaqësohet nga Kryeministri Rama. Në fjalën e tij, ai i bëri të qartë opozitës joparlamentare shqiptare se nuk do të ketë pushtet në tavolinë. Nga ana tjetër, ai deklaroi se nëse opozita ka zgjedhur të tradhtojë zgjedhësit e saj, maxhoranca nga ana tjetër nuk do të lëshojë mandatin e saj, pasi ka një kontratë me qytetarët që i besuan qeverisjen e vendit. Dhe është në të drejtën e tij të mendojë e të shprehet kështu. Mirëpo, Kryeministri nuk ka kurajë të thotë se në 2017-ën, kur mori besimin e shumicës së qytetarëve për të qeverisur vendin, ende nuk kishin dalë në dritë të gjitha ato skandale e zullume që bëjnë përgjegjëse maxhorancën qeverisëse dhe kreun e rilindjes, z. Rama.

Në këto rrethana, ndodhemi në një situatë krejt të ndryshme të raportit që maxhoranca ka sot me votuesit e saj. Sepse, përveç popullit opozitar, një pjesë e konsiderueshme e mbështetësve të PS–së tani e kanë humbur besimin te qeverisja dhe kjo ka krijuar një çarje jo të vogël mes tyre, që të çon në prishjen e njëanshme të kontratës së besimit edhe përpara afatit. Kur qeveritë janë ineficiente dhe të kapura gafil në korrupsion dhe skandale njëra pas tjetrës, zgjedhësit nuk mund të presin që t’i bëjnë fresk qeverisë dhe ta mbajnë edhe për shumë kohë në kurriz deri sa të vijnë zgjedhjet e radhës. Kjo ndodh gjithkund, në çdo vend të botës demokratike. Deklarata e Kryeministrit pak ditë më parë, kur u shpreh se nga kjo krizë dëmtohet ekonomia e vendit, turizmi dhe imazhi i vendit përballë kancelarive të huaja, por jo qeveria, flet për një papërgjegjshmëri totale për një burrështetas, i cili së paku duhet të gjej forca dhe kurajë të dalë mbi interesat personale të partisë dhe të vendos në favor të zgjidhjes së krizës së përgjithshme për të ardhmen e vendit. Vetë qeveritë e kontestuara nga shumica popullore, të cilat ndiejnë pak përgjegjësi dhe dinë të lexojnë mirë vendimin e sovranit, ato marrin përgjegjësitë për t’u dhënë zgjidhje krizave të krijuara, pa pritur zgjedhjet e radhës, me synimin e vetëm për të minimizuar kostot sociale dhe politike që i shkaktojnë këto kriza në dëm të popullit, në dëm të vendit. Këtë gjë e di fare mirë maxhoranca, por e di edhe më mirë Kryeministri Rama, i cili, nga njëra anë, gjatë fjalimit të tij në sheshin “Skënderbej”, ofertonte me tone të vetëpërmbajtura marrëveshje konsensuale me opozitën joparlamentare, dhe nga ana tjetër, me gjuhë provokuese e të padenjë për një Kryeministër, shantazhonte, etiketonte me një fjalor fyes prej bulizmi politik rivalët e tij politikë, popullin opozitar, duke e ndarë aradhën e mbështetësve të tij të ulur në karriget e kompozuar bukur në sheshin “Skënderbej” në “ne”, dhe ata që mendojnë ndryshe nga Kryeministri, në “ata” dhe “Kadri”. “Boll e kemi kafshuar në këto 6 vjet të qeverisjes gjuhën”, tha Kryeministri. Nga sot, nis ofensiva jonë frontale…”, duke iu drejtuar kreut opozitar me epitetet poshtëruese dhe denigruese “Arusha Luli” dhe “Lider pa hallate…” apo drejtueses së LSI -së me nofkën: “Doktoresha e Shkencave Oroskopike” etj. Duke sulmuar kundërshtarët politikë, popullin opozitar, median dhe të gjitha ata që mendojnë ndryshe nga ai, kuptojmë edhe më mirë se në çfarë situate të vështirë dhe pa asnjë rrugëdalje ndodhet sot njeriu që ka në dorë sot fatet e një populli, i cili i ka besuar, por që në mungesë të argumenteve, programeve zhvillimore për daljen nga kriza, e ka katandisur vendin në një mjerim ekonomik, njerëzit i ka zhytur në një varfëri, në zhgënjim dhe dëshpërim të pashpresë…Nëse vërtet Kryeministri Rama e ka seriozisht kur deklaron se në këto 6 vite qeverisjes, ai me të tijtë ka kafshuar gjuhën, atëherë kjo deklaratë e tij është shumë shqetësuese, madje më e frikshme se ajo që ka përsëritur për të disatën herë nga foltorja e Parlamentit, duke thënë se:”S’keni parë gjë akoma…”.

Ngase Kryeministri ynë, edhe pse deklaron se ka “vetëkafshuar” gjuhën, të gjithë e dinë se ai nuk ka lënë foltore, Parlament, institucione, sheshe publike, ekrane, dëgjesa e forume ku përmes fjalës, gjestikulacioneve dhe drejtimin e gishtit tregues për këdo dhe cilindo që mendon ndryshe nga ai, të frustojë dhe kërcënojë me soj-lloj epitetesh e sharjesh, ka etiketuar e shantazhuar kundërshtarët politikë, gazetarët, mediat, popullin opozitar si Kadri, Kazan, Tepsi etj. Ka kërcënuar me burg cilindo qytetar të pambrojtur e të pamundur në këtë vend, ka fyer publikisht popullin fisnik e bujar të Kukësit, duke provokuar dhe prodhuar përmes këtij zhargoni dhe fjalori të ulët modelin më të shëmtuar të bulizmit politik. Tashmë, të gjithë shqiptarët e dinë dhe janë dëshmitarë të shumë skenave dhe sjelljeve të manifestuara nga Kryeministri ynë në Parlament, në studiot e ndryshme televizive, në dëgjesat publike, përmes së cilave ka provokuar krizën më të madhe politike në historinë e pluralizmit në Shqipëri, e për rrjedhojë edhe krizën më të madhe sociale, krizën e besimit qytetar. Për këtë arsye, iu referova në fillim të shkrimit mençurisë ezopiane, ngase që nga ajo kohë duket aktuale dhe mjaft domethënëse përkufizimi i tij në lidhje me gjuhën e përdorur, pasojat që ajo sjell kur nuk e përdorim si duhet dhe sa duhet. Së fundi, një sugjerim krejt dashamirës për Kryeministrin e vendit, nëse i ka mbetur sadopak ndërgjegje dhe përgjegjshmëri prej burrështetasi. A nuk ka ardhur koha që vendi ynë të drejtohet nga të urtët, të aftët dhe të ndershmit….!? Kjo këshillë nuk vjen nga unë, por nga një mendje e ndritur që vjen që nga koha e lashtësisë, Sokrati, i cili konsiderohet si babai i etikës, i filozofisë morale dhe filozofisë në përgjithësi. E nëse e doni vërtet këtë vend ashtu siç edhe jeni deklaruar, nëse ju dhimbset sadopak populli, të cilit ju i përkisni, bëhuni i pari nismëtar për t’u larguar me nder nga politika sa nuk është vonë. Pas teje, le ta ndjekin këtë shembull të gjithë ata që e kanë sunduar skenën politike shqiptare, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta në këto 30 vitet më të vështira dhe më të dhimbshme për një popull si ky i yni. Qoftë edhe për këtë, pavarësisht të gjithave, do të ketë vend edhe për mirënjohje, pasi kjo e fundit është virtyt i patjetërsueshëm për çdo shqiptar!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...