Shqipëria dhe Kosova në tollovi demokratike, politike, sociale, juridike e mediatike

Opinione

Shqipëria dhe Kosova në tollovi demokratike, politike, sociale, juridike e mediatike

Nga: Skënder Kapiti Më: 4 prill 2019 Në ora: 20:59
Skënder Kapiti

Nisur nga realiteti dështak dhe traumatik gjithpermasor e gjithinstitucional: demokratik, politik, ekonomik, social, juridik dhe mediatik ku ndodhet Shqipëria ende dhe më keq akoma edhe sot, nuk është se kjo gjëndje erdhi papritur, por kjo është në vazhdën e vijimësisë së keqe, të pandërprerë dhe të shpeshpërsëritshme me trauma e skandale politike, paqëndrueshmërie dhe jostabiliteti, gjendje e cila ka 30 vite që nuk po ndryshon dhe as nuk përmirësohet por vetëm sa përkeqësohet.

Shqipëria është e mbytur në probleme që kërkojnë zgjidhje. Por nuk po dihet se çfarë problemi nuk ka Shqipëria, apo çfarë problemi është zgjidhur në Shqipëri, dhe nuk duket dhe a nuk është fakt se çfarë problemi kanë zgjidhur politka, shteti, pushteti dhe shoqëria shqiptare në këto 30 vite?!

Edhe kur dukej se politika e pushteti në Shqipëri zgjidhnin ndonjë problem apo politikë, ajo ishte një zgjidhje emocionale shumë afatshkurtër, por që më pastaj prej kesaj “zgjidhjeje” buronin probleme të tjera edhe më të mëdha. P.sh : çfarë ndodhi në Shqipëri me shtetin ligjor dhe me demokracinë gjatë këtyre 30 viteve të këtij tranzicioni, që fillimisht u dukën si shpëtimtare që po e nxirrnin Shqipërinë nga diktatura?! Asgjë të mirë, por shumë shpejt edhe euforia demokratike dhe shtetligjore u venit pasi si ngritja e shtetit ligjor dhe demokracia me standarde moderne vetëm sa rezultuan mashtrime dhe dështime të mëdha.

“Demokracia” dhe “shteti ligjor” tipik shqiptar prodhuan një anarkodemokraci, një drejtesi politike te kriminalizuar e të korruptuar, një anarko-tollovi politiko-demokratike dhe socio-ekonomike, një shtet narko-trafiku.

Pra, prej 30 vitesh Shqipëria mbahet peng , e pazhvilluar dhe e prapambetur demokratikisht, civilizisht, juridikisht, ekonomikisht dhe e paintegruar qoftë së brëndëshmi por as edhe së jashtmi për në BE. Pra Shqipëria ka problem demokracinë dhe drejtësinë, që më së fundmi falë tërësisht BE-së por kryesisht SHBA-ve më në fund për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo tollovi , apo qorrsokak demokratik, ligjor dhe politik ku ndodhet prej 30 vitesh, ato, pra SHBA dhe BE, ndërhynë me këmbëngulje dhe e detyruan me presion politikën dhe politikanët shqiptarë për miratimin e VETTING-ut.

Në këtë udhëkryq e tollovi demokratike e juridike është zhytur thellë edhe Kosova, si një kopje identike e Shqipërisë.

Këtë reformë, VETTING-un, për nga rëndësia SHBA dhe BE e konsideronin me të drejtë si reforma jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe kjo do të thotë se ato çfarë pseudoreformash të deritanishme të bëra nga politika e politikanët shqiptarë kanë qenë reforma “jetike”hajnije, vjedhje, grabitjeje e pasurimi e mireqenie vetëm për ta, për interesat e tyre të ngushta personale,klanore e partizane. Dhe prandaj edhe armiqtë më të mëdhenj të VETTING-ut ishin politika ,politikanët, prokurorët dhe gjyqtarët si dhe shumica e mediave mercenare politiko-korruptive dhe shoqëria civili e kapur dhe e manipuluar nga pushteti e politika. Dhe prandaj, se është një gjëndje e tillë edhe sistemi politik dhe drejtësia edhe në Kosovë, dhe prandaj, jane kunder VETTING-ut edhe atje, edhe politika, edhe pushteti, edhe drejtësia kosovare.

Shqipëria sot ballafaqohet me tollovitë që kanë bëjnë me pronat e shqiptarëve, me dhjetra e dhjetra vendime politike e qeveritare , me ligje e paligje, me gjyqësi e vetëgjyqësi ato kanë shkaktuar deri edhe humbje të mëdha jetësh njerëzore prej manipulimeve, falsifiklimeve, vjedhjeve e grabitje të pronave të qytetarëve dhe të pasurive kombëtare e shtetërore, aq sa pothuajse të gjitha familjet shqiptare janë në gjyqe prej krimeve pronesore politike, prej vendimmarrjeve shtetërore e gjyqësore kriminale shumë qytetarë shqiptarë e kanë mbushur edhe Gjykatën e Strazburgut me padi në kërkim të të drejtave të tyre pronësore.

Pra, tani pas VETTING-ut skandalet e rënda kriminale te akumuluara që janë bërë me pronat në Shqipëri priten te shperthejne.

Shqipëria është e zhytur në problematika të tjera ,pothuajse në të gjitha sferat jo vetëm demokratike, shtetërore, politike, juridike e pronësore si më kryesoret të cituara më lart, por në Shqipëri janë problem edhe mediat të cilat shumë prej tyre akuzohen se janë madje edhe zëdhënëse të kauzave antishqiptare.

Probleme të rënda shoqërore janë edhe papunësia, droga, trafikimi i qënieve njerëzore, plehrat e hedhurinat, ndotja dhe rrënimi i ambjentit, ujit, ajrit e territorit; varfëria, arsimi, pensionet, shëndetsia si dhe kryeproblemet me krimin e korrupsionin, probleme që janë bërë madje edhe shqetësime ndërkombëtare për BE-në, pasi prej këtyre dhe prej kësaj gjëndje të rëndë paqëndrueshmërie politike, pasigurie juridike, pasigurie pronësore dhe ekonomike, prej humbjes së besimit dhe të shpresës , akoma sot shqiptarët janë dhe mbeten shqetësim ndërkombëtar për numrin e madh të azilkërkuesve, për eksodin ku shqiptarët dhe Rinia shqiptare janë nder të parët në Botë që kërkojnë largimin nga Shqipëria.

Kurrë në historinë e shqiptarëve asnjë armik e pushtues i huaj nuk mundi dhe nuk i bëri kaq shumë dëm edhe imazhit kombëtar se sa elita politikle shqiptare e këtyre 30 viteve.

Kjo elitë politike e keqe, antipublike dhe antikombëtare, e papërgjegjshme dhe e kriminalizuar dhe e korruptuar do të shënohet si turp dhe fatkeqësi kombëtare, pasojat dhe dëmet e së cilës janë të mëdha dhe të zorshme për t’i ndrequr e përmirësuar, dhe që do të kushtojnë shtrenjt dhe do të kërkojnë mund dhe shumë kohë për të ndryshuar gjëndjen drejt ndryshimit për nga përmirësimi dhe nga më e mira.

Fillimi i ndryshimit për të dalë nga kjo tollovi dhe qorrsokak apo udhëkryq demokratik,politik, juridik, mediatik dhe shoqëror ku ndodhet Shqipëria por edhe Kosova do të fillojë kur shqiptarët dhe shoqëria shqiptare do ta ndëshkonte demokratikisht me votë të lirë, ta largonte këtë elitë politike nga pushteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat