‘Sonte s’dëgjohet Zonja e Parisit’

Opinione

‘Sonte s’dëgjohet Zonja e Parisit’

Nga: Nezir Kraki Më: 16 prill 2019 Në ora: 18:03
Nezir Kraki

Kambanat e Notre Dame nuk dëgjohen më. Dritat anësore që kalimtarit ia mundësonin panoramën e skultuar ndër shekuj në fasadat e saj sonte nuk ndriçojnë. Parisienët e turistët të pafuqishëm e shikojnë Zonjën e Parisit të mbuluar nga tymi dhe errësira. Disa i këndojnë, disa tjerë e vajtojnë, të gjithë e admirojnë. Loti është krejt i natyrshëm sonte.

Nuk mund të përshkruhet pesha e këtij monumenti në historinë, kulturën, kujtesën dhe zemrën e çdo parisieni, çdo francezi, çdo evropiani e çdo botërori. Gjithmonë ka qenë më shumë se katedrale, më shumë se monument, më shumë se vend lutjesh. Ka qenë zemra dhe fryma e këtij qyteti, e këtij vendi.

Ka qenë muzë kryeveprash botërore. Me shekuj inspiroi kolosë të artit e letërsisë. Victor Hugo sonte sigurisht rrotullohet në Panteonin e të mëdhenjve nga era e djegies që Zonja e tij frymëzuese lëshon.

Çfarë trishtimi!

Asnjë luftë, asnjë ndodhi nuk ia kishte shu dritat kësaj Zonje. Shtatë shekuj u ndriçua me pishtarë, një shekull e gjysmë me rrymën moderne.

Franca e krijoi. Veç Franca di t’ia rikthejë dritën Zonjës por shpirti i saj do mbetet me plagë. Kulmi i saj kurrë s’do t’i ketë më 1200 pishat e gdhendura në shekullin e 13-të nga dorë mjeshtri që shekulli ynë nuk njeh.

Çfarë errësire në zemër të dritës!

Në zemër të Parisit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat