9 Maji, Dita e Europës – Europa e bashkuar, shqiptarët ende te përçarë

Opinione

9 Maji, Dita e Europës – Europa e bashkuar, shqiptarët ende te përçarë

Më: 20 maj 2019 Në ora: 11:31
Foto

Reflektim per Europen e bashkuar dhe shqiptaret e perçare

Europa e bashkuar

Dita e Europës që shënohet çdo vit më 9 maj feston paqen, pajtimin dhe bashkimin në Europë. Rëndësia e kësaj feste është integrimi europian, vzioni i lulëzimit të paqes, lirisë e mirëqenjes së qytetarëve të saj. Kjo datë lidhet me përvjetorin historik të “Deklaratës së Schumanit”. Në një fjalim të tijin në Paris më 1950, Robert Schuman, në atë kohë ministër i Punëve të Jashtme të Francës, e shpalosi idenë e tij për një formë të re të bashkëpunimit politik në Europë, qq do ta bënte të pamundur, të paimagjinueshme luftën në mes të shteteve, popujve të Europeë. Vizioni i tij ka qenë që të krijojë një institucion europian ku arrihet një marrëveshje e përbashkët për të rregulluar prodhimin e thëngjillit dhe çelikut. Gati një vit më vonë është nënshkruar një traktat për të krijuar një korporatë të tillë.Ishte përcaktuar për thëngjillin dhe çelikun, sepse këto janë dy prodhime të domosdoshme për të bërë luftë. Ky propozimi i Schumanit merret si fillimi i krijimit të Bashkimit Europian (Europian Union). “Dita e Europës” është futur për herë të parë në vitin 1985 nga Komuniteti Europian (Europian Community), pararendës i Bashkimit Europian, që është krijuar më 1 nëntor të vitit 1993 dhe sot në gjirin e tij përfshin 28 shtete.

Ministri Schuman e ka bërë këtë deklaratë pikërisht më 9 maj, sepse kjo datë shënon edhe mbarimin e Luftës së Dytë Botërore në Europë, fitoren mbi fashizmin e nazizmin, që për pesë vite e shkatërruan kontinentin europian, duke shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve dhe shkatërrimin e shumë vendbanimeve, objekteve materiale, industriale e kulturore. Nganjëherë në histori ndodhë që shtetet e qytetëruara të drejtohen nga individë e forca te errëta politike, të cilat sjellin shkatërrime për vendet e tyre dhe vendet tjera. Por, shtetet e qytetëruara e me traditë politike e shtetërore i pranojnë gabimet e tyre dhe zotohen se ato nuk do të përsëriten më dhe këtë e dëshmojnë me vepra konkrete. Per t’i rënë më shkurt, kundërshtarët, armiqtë e djeshëm sot janë bërë aleatë, miq të sinqertë dhe janë duke punuar për zhvillimin e përparimin e kontinentit europian. Gjermania, shteti që i shkaktoi gjithë ato tmerre gjatë luftës, sot ëshëe bërë forca motorike, timonierja e zhvillimit e demokratizimit të Europës. Të tjerat i ka thënë historia dhe nuk ka nevojë që të zgjatemi më tepër ketu.

Shqiptarët e përçarë

Po çka është duke ndodhur me shqiptarët? Është duke ndodhur e kundërta me atë që po ndodh në Europë. Shqiptarët në shtetin e tyre prej 2 – 3 milionësh ende janë të përçarë në vijat e taborreve të para 75 viteve të shkuara. Në Europë lufta ka mbaruar 74 vite më parë dhe menjëherë pas saj kontinenti ka filluar t’i sherojë plagët e luftës, duke bërë pajtimin, duke u përpjekur për të ndërtuar një jetë të re. Nga ligjërimi (diskursi) i përditshëm, skena e ashpërsuar politike,debatet televizive, shkrimet e komentet në gazetat e shtypura dhe ato elektronike, postimet e ndryshme në Facebook me përmbajtje e gjuhë ideologjike staliniste, fitohet përshtypja se një formë e luftës qytetare ende është duke vazhduar në Shqipëri. E kam fjalën për Shqipërinë londineze, sepse në trojet tjera shqiptare nuk ndodh një gjë e tillë në një shkallë aq të zgjëruar, me përjashtim të disa individëve e grupeve të caktuara që ende janë bunkerizuar në kështjellën e tyre bolshevike – staliniste. Lufta kunder fashizmit nuk është atribut, pronë e komunistëve. Ndoshta të gjithë komunistët kanë qenë antifashistë, por jo të gjithë antifashistët kanë qenë komunistë. Gjatë kohës së luftës marreveshja në mes të kombëtarëve (nacionalistëve) dhe komunistëve për nëe luftë të përbashkët kombëtare (Konferenca e Mukjes) dështoi, sepse komunistët shqiptarë ishin të tërhequr për hunde nga dy nacinalistë serbë (edhe pse ata ishin malazezë, dallim jo i madh): Milladin Popoviqi e Dushan Mugosha. Ata (komunistët) luftuan për ideologji, për pushtet dhe jo për një Shqipëri demokratike. Bijtë e Stalinit, siç e quanin veten komunistët, nuk luftojnë për Shqipëri – bijtë e Skenderbeut, po. Shqipëria u pushtua më 7 prill të vitit 1939, por komunistët u zgjuan nga gjumi kah fundi i vitit 1941, sepse në qershor të atij viti ishte sulmuar Bashkimi Sovjetik. Me kokën në Moskë e Beograd e me këmbët në Shqipëri, nuk luftohet për atdhe. Edhe njëherë, historia e tregoi se çfarë shteti krijuan komunistët, një regjim çnjerëzor që u përmbysë nga vetë populli. Prandaj, nuk po zgjatem keëu më tepeë, sepse nuk është qëllimi i këtij shkrimi dhe tani dihet mirë sesi përfundoi sundimi komunist.

Lëviz, ec përpara

Mirë e ka thënë Mit’hat Frashëri: “Shqiptarë do t’i fitojnë të gjitha luftërat sapo të kenë përfunduar luftën e fundit ndërmjet tyre”. Prandaj, jemi ku jemi, sepse ende jemi duke luftuar me njëri– tjetrin. Meqenëse e përmendëm Mit’hat Frashërin, duhet theksuar se kthimi i eshtrave të tij në atdhe nxori ne pah këto kundershti, acarime, përplasje politike. Gjuha e ashpër e fyese ndaj personalitetit të Mit’hat Frashërit tregon nivelin e mjerueshëm kombëtar të kundërshtarëve të tij, mendjen, gjykimin e të cilëve e ka paralizuar ideologjia e dështuar bolshevike. Kryetari i Kongresit të Manastirit, nënshkruesi i dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, atdhetari, shkrimtari, publicisti, libërdashësi, diplomati Mit’hat Frashëri tërë qenien e tij, gjatë tërë jetës së tij e kishte vënë në shërbim të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Ndër shekuj emri i Mit’hat Frashërit do të përmendet me respekt dhe vepra e tij do të vlerësohet gjithmonë, ndërsa kundërshtarët e tij do të përfundojnë ëe koshin e plehërave të historisë. Prandaj, shqiptarët të marrin mësime nga Bashkimit Europian, pjesë e të cilit deëhirojnë të bëhen e të mos i vazhdojnë betejat e dështuara të etërve, gjyshërve të tyre. Për keëo raste amerikanët e kanë një shprehje të bukur: Move on (lëviz, ec, vazhdo përpara). Por, ne shqiptarët nganjëherë i ngulim këmbët si dikushi në baltë dhe nuk mund të ecim përpara. Është koha, madje tejshkuar, për një pajtim të sinqertë kombëtar. Më mirë vonë se kurrë.

Filadelfia, 19 maj 2019

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat