Çdo viktimë meriton drejtësi, por shqiptarët janë viktima të terrorit dhe gjenocidit shtetëror serb

Opinione

Çdo viktimë meriton drejtësi, por shqiptarët janë viktima të terrorit dhe gjenocidit shtetëror serb

Nga: Rexhep Elezaj Më: 24 maj 2019 Në ora: 13:32
Rexhep Elezaj

Me gjithë respektin që kam për ambasadorin e Anglisë mike në Kosovë, Exelencën e tij, Ruairi O’Connell, nuk mund të pajtohem me qasjen e tij, kur i barazon viktimat civile shqiptare të luftës së fundit në Kosovë me viktimat civile serbe, që sipas të dhënave zyrtare të Arkivit të Kosovës gjatë vitit 1998-1999 janë vrarë gjithsejtë 13. 535 njerëz, prej tyre 11. 843 shqiptarë, 1197 serbë dhe 526 romë, boshnjakë, e tjerë, që në fakt civilët serbë të vrarë gjatë luftës ishin viktimë e politikës dhe dhunës shtetërore të Serbisë të ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë. Pra, serbët lokal të vrarë gjatë luftës nuk mund të trajtohen viktima të luftës, siç ishin shqiptarët e vrarë nga një shtet gjenocidal, ndaj edhe erdhi tek ndërhyrja e NATO-s për t’i shpëtuar ata si dhe për ta ndaluar krimin dhe gjenocidin shtetëror të Serbisë ndaj 2 milion shqiptarëve të Kosovës..!?  

Ambasadori Ruairi O’Connell, në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, ka folur për krimet serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë, ku ndër të tjera ka thënë, “se përpos 10. 812 shqiptarëve të vrarë, në luftë janë vrarë edhe 2197 serbë. Në mesin e këtyre të fundit, ai ka thënë se ishin edhe gjyshja dhe gjyshi i shoqes së tij. Sipas tij, secila viktimë, meriton drejtësi..”, dhe më tutje shton; “Meqë po flasim për pranim të së vërtetës, ti po flet për 13.500 shqiptarë që janë vrarë, kjo nuk është e vërtetë, nuk ishin 13.500 shqiptarë. Si fillim a të brengos ty që vetëm shqiptarët janë vrarë, sepse nëse po, atëherë nuk mund të jemi miq. Faktikisht po, 10. 812 shqiptarë janë vrarë dhe 2197 serbë. Për mua secila viktimë meriton drejtësi..”, vazhdon përgjigja e ambasadorit..!? (Bota Sot, online, 23 MAJ 2019, ora: 18:50).

Pra, kuptohet qartë se ambasadori i nderuar, R. O’Connell, 11.843 shqiptarët e vrarë dhe të masakruar nga forcat shtetërore ushtarake dhe policore të Serbisë, sikur i barazon me 1196 civilët serbë të vrarë në Kosovë, kur të gjithë e dimë se serbët vendorë në tërë Kosovën, jo vetëm gjatë dy viteve të luftës, i kanë ndihmuar me të gjitha mjetet ushtarët, policinë dhe paramilitarët kriminelë serbë për të vrarë sa më shumë civilë shqiptarë, por edhe kanë qenë pjesëmarrës aktiv në vrasje, masakra, dëbim, shkatërrim si dhe djegien e mbi 650 fshatrave shqiptare të bëra rrafsh me tokë..!?

Kështu që, kur japim vlerësime rreth trajtimit të viktimave të luftës në Kosovë, duhet bërë dallimin esencial midis tyre, jo vetëm për nga vëllimi i numrit, por edhe për nga statusi i tyre ligjor, ngase të gjithë civilët serbë të vrarë gjatë luftës në Kosovë, në fakt kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejt në vrasjen e shqiptarëve si dhe mbështetës aktiv në dëbimin dhe masakrimin e 11. 820 civilëve shqiptarë!

Pra, edhe nga pikëpamja e ligjeve ndërkombëtare të luftës, civilët e vrarë serbë nuk mund trajtohen me të njëjtën drejtësi dhe ligje të luftës, sikur mijëra shqiptarët e vrarë në mënyrë sistematike dhe barbare nga një shtet anëtar i OKB-së dhe me urdhra nga krerët më të lartë politik dhe ushtarak, siç ka vepruar regjimi kriminal i Millosheviçit për 10 vite të okupimit klasik të Kosovës..!?

Tjetër aspekt është krahasimi human, njerëzor dhe biologjik midis viktimave civile kushdo qofshin, kur ato vriten në rrethana paqësore, që pa asnjë dyshim ndaj tyre duhet zbatuar drejtësi të njëjtë dhe pa asnjë dallim etnik dhe religjioz, por jo edhe kur bëhet fjalë për “viktima civile” të cilat kanë vrarë, djegur dhe masakruar komshinjtë e tyre shqiptarët, me të cilët kanë jetuar në fshatrat e njëjta, por që ishin dorë e zgjatur e policisë dhe ushtrisë së Serbisë, e që në mesin e shumë serbëve të gjallë nga Kosova që sot jetojnë në Serbi, ka shumë kriminelë që kanë vrarë shqiptarë ndaj të cilëve këtu e 20 vite nuk është ngritur kurrë ndonjë aktpadi, edhe pranë shumë kërkesave që kanë shtruar familjarët e shqiptarëve të vrarë, të cilët vazhdimisht, sidomos nënat shqiptare, duke bërë thirrje për sjelljen e tyre para drejtësisë që ta marrin dënimin e merituar, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tash ndaj asnjë krimineli serb me prejardhje nga Kosova..!? 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat