Politizimi i historisë – krim kombëtar

Opinione

Politizimi i historisë – krim kombëtar

Nga: Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika Më: 30 maj 2019 Në ora: 17:11
Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

Kërkesa që iu paraqit parlamentit shqiptar për të njohur e dënuar 265 ish-kuadro të ushtrisë partizane që kishin kryer krime gjatë L2B, ishte një kërkesë e drejtë. Ajo ishte formuluar pas një studimi serioz të kryer nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK). Mirëpo ajo u hodh poshtë prej deputetëve të Partisë Socialiste, kurse Kryeministri i RSH, z. Edvin Rama kërkoi që ISKPK ta kufizojë periudhën e studimit të krimeve të komunizmit vetëm në vitet e sundimit të diktaturës së proletariatit. Mosaprovimi i kësaj kërkese dhe vendimi i z. Kryeministër të revoltojnë, por edhe më shumë të revolton qëndrimi i z. Spartak Braho, një ish-prokuror i kohës së diktaturës komuniste dhe sot deputet i Partisë Socialiste, i cili me arogancë dhe cinizëm e quan intelektualin e shquar z. Agron Tufa, drejtorin e këtij instituti, “neofashist e ballist, që hedh poshtë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare”, etj. Të evidentosh dhe të dënosh krimet e disa kuadrove komunistë të ushtrisë partizane nuk do të thotë se e mohon Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, por se e çliron vlerësimin e saj prej politizimit, prej mbivlerësimeve që iu bënë prej udhëheqësit të Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH), i cili, nga një anë shumëfishoi çdo bëmë të saj dhe të ushtrisë partizane dhe nuk i kritikoi kurrë gabimet dhe krimet që këto kryen gjatë luftës e mbas saj.

Për shkak të ekzistencës si dje dhe sot të shumë pushtetarëve nostalgjikë ndaj regjimit diktatorial dhe diktatorit, puna e ISKPK për gjetjen dhe dënimin e krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri ka ecur me hapa të ngadalshëm. Këtë proces vendet e tjera ish-komuniste të Europës Qendrore e Lindore, me përjashtim të Federatës Ruse dhe Serbisë, e kanë kryer me kohë. Më e keqja është se shumë ish-kuadro drejtues të luftës dhe ish-funksionarë të regjimit komunist, bashkë me bijtë e tyre, vijojnë të vuajnë nga nostalgjia ndaj asaj politike dhe atij regjimi që u siguroi karierë dhe poste të pamerituar.

Realisht ish-partizanët dhe ish-komunistët shqiptarë kanë bërë dhe bëjnë pjesë në dy grupe njerëzish: njëri grup që përbën shumicën ka pasur dhe ka njerëz që kanë qenë e janë të ndershëm. Shumë prej këtyre ranë dëshmorë për lirinë e atdheut. Kurse grupi tjetër që përbën pakicën, ka pasur dhe ka njerëz që kanë qenë dhe janë karieristë e të pandershëm. Pikërisht këta me në krye Enver Hoxhën, morën drejtimin e luftës dhe ecën sipas porosive të Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës. Bënë plot krime gjatë Luftës Antifashiste, duke vrarë pa gjyq shumë njerëz të pafajshëm, për arsye se nuk iu bindeshin urdhërave të tyre, ose se iu dukeshin armiq sepse kishin formim të lartë arsimor ose gjendje të mirë ekonomike. Mbas luftës, pasi PKSH-ja mori pushtetin, të tillë njerëz vijuan të kryenin krime edhe më tepërt. Përmes luftës së klasave e ndanë popullin në dy kategori: njerëz me biografi të mirë dhe njerëz me biografi të keqe. Janë pikërisht këta karieristë që nuk kanë dashur dhe nuk duan të reflektojnë e të kërkojnë të falur për krimet që kryen gjatë L2B dhe gjatë sundimit të diktaturës së proletariatit. Ata nuk duan të pranojnë faktin e hidhur se gjatë jetës partizane ose më vonë, dëshira për karierë i transformoi nga fshatarë e punëtorë të thjeshtë e të guximshëm, që dolën malit për liri, në njerëz servilë që për të zënë një post dhe për ta mbajtur atë kryen verbërisht çdo urdhër që u vinte nga lart edhe pse shumë nga këto urdhëra ishin të paligjshëm e kriminalë.

Duke i besuar dhe shërbyer verbërisht Enver Hoxhës për të fituar e mbajtur një post, këta njerëz u tranformuan në kriminelë. Frika se mos e humbnin postin e marrë dhe dëshira për të bërë karierë të mëtejshme, i shtyu ata nga krimi në krim. E zhdukën nga ndërgjegja e tyre të menduarit kritik dhe e zëvendësuan atë me drogimin ideologjik. Ata besonin me naivitet se çdo mendim e çdo vendim që delte nga goja e E. Hoxhës ishte i drejtë dhe nuk duhej diskutuar. Ata nuk kërkonin fakte për të kuptuar se ishte apo jo armik ky ose ai shqiptar, qoftë dhe miku e kolegu i tyre, të cilin e shpallte armik partia e udhëheqësi i saj. Ky drogim i këtyre kuadrove u përhap si sëmundje edhe në popull, shumica e të cilit jetonte nën terrorin që ushtrohej dita ditës dhe fukarallëkun e skajshëm, Për të mbijetuar populli e mbylli gojën duke u pajtuar me të keqen. Kjo situatë solli një shkatërrim moral në mendësinë e popullit tonë, shkatërrim që nuk ishte përjetuar as gjatë sundimit osman disashekullor.

Pjesa dërmuese e njerëzve që kishin pozita të larta në parti, ushtri dhe administratë mendonin dhe propagandonin si robotë se “Enver Hoxha, komandanti legjendar” ishte njeri i drejtë që jepte dënime vetëm për të mirën e atdheut e të popullit. Kishte ndodhur që kur arrestoheshin disa prej këtyre shërbëtorëve robotë, këta nuk besonin se urdhëri i arrestit ishte dhënë prej vetë Enver Hoxhës. Ky lloj drogimi u kishte hyrë në palcë shumicës së kuadrove, madje dhe shumicës së popullit, sa që edhe sot pas gati 30 vjet nga kapitullimi i sistemit të diktaturës komuniste, kur iu tregohen krimet e asaj kohe, ka njerëz si deputeti Spartak Braho që nuk besojnë se gjatë Luftës Antifashiste u bënë krime ndaj shqiptarëve nga disa komandantë e komisarë çetash, batalionesh e brigadash partizane.

Për të bindur deputetin Braho dhe përkrahësit e tij, si dhe zotin Edvin Rama, Kryeministrin e RSH, se gjatë Luftës Antifashiste u kryen shumë krime dhe se dënimi i krimeve të komunizmit duhet filluar që me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare, po rendis këtu disa fakte që dëshmojnë se Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt që nga themelimi i PKSH-së e në vijim kryen akte kriminale, që duhen cilësuar tradhëti kombëtare dhe që duhen dënuar sa më parë për të çliruar popullin nga nostalgjia komuniste.

Këtë artikull nuk e shkruaj se dua të mohoj Luftën Antifashiste Na-Çl, as të mohoj trimëritë e partizanëve dhe as dëshmorët, dhe as të justifikoj gabimet dhe krimet që kryen ballistët pas 10 shtatorit 1943, pasi Shpati (Enver Hoxha) u dha urdhërin sektet organizatave bazë të PKSH-së që të shpallej Balli Kombëtar armik e të sulmohej prej forcave partizane si tradhëtar e bashkëpunëtor i pushtuesit edhe pse deri atëhere ballistët nuk kishin bërë ndonjë bashkëpunim me pushtuesit gjermanë.

* * *

Mohimi i Shqipërisë së bashkuar ishte tradhëti kombëtare.

Pas pushtimit gjerman të shtetit Serbo-Kroato-Slloven, ky shtet u shpërbë. Sllovenia dhe Kroacia u shpallën shtete më vete, Hungarisë iu bashkua Vojvodina që banohej kryesisht nga hungarezë, Bullgarisë iu dha pjesa më e madhe e Maqedonisë, kurse Shqipërisë iu bashkuan në gusht të vitit 1941 pjesa më e madhe e Kosovës dhe territore të tjera të banuara nga shqiptarët, që i ishin dhënë padrejtësisht Serbisë më 1913.

Atdhetarët shqiptarë këtë ngjarje e quajtën fitore për popullin shqiptar, sepse pavarësisht se Shqipëria ishte e pushtuar dhe pavarësisht se kush e realizoi bashkimin, ky bashkim korrigjoi pjesën më të madhe të gabimit historik që i ishte bërë popullit tonë me vendimet e Konferencës së Londrës më 1913.

Në radhët e atdhetarëve dhe në popull u krijua një psikologji optimiste. Mendohej se sido që të mbaronte L2B, Shqipëria e bashkuar me Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Dibrën, Gostivarin, Kërçovën, Tetovën, Strugën, Gucinë, Plavën, Ulqinin etj, pas mbarimit të kësaj lufte, do ta hidhte edhe një herë në det ushtrinë italiane si më 1920. Një numër i madh nëpunësish dhe mësuesish u dërguan në territoret e bashkuar me atdheun mëmë për krijimin e administratës shqiptare dhe për hapjen e shkollave shqipe. Ata u pritën me dashuri prej banorëve vendës dhe punuan me përkushtim atdhetar.

Mirëpo Josif Broz Titua bashkë me udhëheqësit e Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ) nuk e pranonin faktin se më 1913 Serbisë i ishin dhënë më 1913, falë presionit të Rusisë Cariste, territore që banoheshin kryesisht ose tërësisht prej popullit shqiptar i cili ishte një popull autokton jo sllav. Ata filluan të thurrnin plane sesi këto territore t’ia rikthenin shtetit që do të krijonin mbas luftës me emrin Jugosllavi. Një situatë e favorshme për ta u krijua mbas sulmit të Gjermanisë naziste ndaj aleatit të saj Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) më 22 qershor 1941. Në korrik të atij viti, udhëheqësi i BRSS, J. V. Stalini, dha urdhër që në vendet e pushtuar nga ushtritë nazi-fashiste partitë komuniste të organizonin e të drejtonin luftën partizane kundër pushtuesve. Edhe atje ku nuk ekzistonin parti komuniste, këto duhej të krijoheshin sa më parë për të organizuar e drejtuar luftën partizane, me qëllim që Gjermania dhe Italia të mos i hidhnin të gjitha forcat ushtarake kundër BRSS.

Futja e BRSS në luftë i nxiti dhe më tepët J. B. Titon dhe udhëheqësit e tjerë të PKJ, të mendonin sesi të realizonin synimet e tyre shoviniste nacionaliste, pra të shpërbënin edhe Shqipërinë tashmë të e bashkuar me një pjesë të madhe të territoreve që i ishin marrë padrejtvsisht më 1913. Ata krijuan me djallëzi emrin Shqipëri e madhe, për të ngjallur urrejtje ndaj këtij shteti, ndonëse ajo nuk i përfshinte gjithë territoret shqipfolëse, si pjesa veriore e Kosovës, që iu la Serbisë; pjesa veriore dhe jugore e Maqedonisë, qv iu dha Bullgarisë; dhe Çamëria që iu la Greqisë.

Sipas pikave 2 dhe 3 të Kartës (Paktit) të Atlantikut të firmosur më 14 gusht 1941 prej drejtuesve të SHBA dhe Anglisë, së cilës iu bashkau dhe BRSS më 24 shtator 1941, popullit shqiptar i takonte që në fund të L2B të krijonte shtetin e vet etnik, pra një shtet më të madh se ai që krijuan pushtuesit nazifashistë në gusht 1941.

Pikat 2 dhe 3 të Kartës së Atlantikut shpallnin këto të drejta të popujve:

Territoret [e shteteve] duhet të jenë në përputhje me pretendimet e popujve që kanë probleme të ngatërruar nga padrejtesitë historike.

U lind e drejta të gjithë popujve për vetvendosje.

Mirëpo Titua filloi të punonte nën dhe pa marrë parasysh këto vendime të Kartës së Atlantikut edhe pse ato i firmosi dhe BRSS. Nga fundi i shtatorit 1941, ai dërgoi në Shqipërinë e bashkuar komunistin serb Dushan Mugosha, i lindur e rritur në Kosovë që dinte mirë shqip. Ky erdhi në Shqipëri dhe u lidh me anëtarët e kryesive të grupeve komuniste shqiptare. Pasi pa se këta synonin të krijonin një parti komuniste të pavaruru nga PKJ, një parti që të lidhej drejtpërdrejt me Kominternin dhe Moskën, Mugosha u njoh dhe me Enver Hoxhën dhe bisedoi me të. Duket se ky pranoi propozimin e tij se po të vihej në udhëheqje të partisë komuniste shqiptare do të bindej ndaj urdhërave të PKJ.

Kjo marrëveshje kuptohet nga një intervistë që ish-koministi Ymer Dishnica dha në vitin 1994. Doktor Dishnica tregon aty se E. Hoxha disa javë para se të formohej partia komuniste u thoshte me mburje shokëve gjatë takimeve në Kafe Flora, se ai do të bëhej kryetar i partisë.

Në mbështetje të marrëveshjes së D. Mugoshës me E. Hoxhën dëshmon dhe fakti se Miladin Popoviçi, si shkruan Y. Dishnica në intervistën e tij, u thoshte shpesh komunistëve shqiptarë “Keni fat që keni mes jush një Profesor si Enveri”, dhe sa herë e përmendëte emrin e tij midis komunistëve të tjerë, për t’ia ngritur prestigjin, e quante “Profesor Enveri”. Kurse komunistët si Koço Tashko, Ymer Dishnica, Zef Mala, Sejfulla Malëshova, etj, që kishin kryer shkolla të larta në Europë ose SHBA, i thërriste thjesht me emër, për t’i nënvlerësuar.

Edhe kërkesat që formuloi M. Popoviçi në mbledhjen e themelimit të PKSH-së, për tiparet që duhej të kishte ai që duhej të zgjidhej kryetar i partisë komuniste shqiptare, zbulojnë se Enver Hoxha ishte piketuar prej Dushanit për këtë post përpara se të mbahej mbledhja. Miladini, pasi dëgjoi delegatët e grupeve komuniste, i kritikoi kryetarët e grupeve komuniste për separatizëm dhe dha disa këshilla orientuese. Midis tjerash ai tha:

“Njeriu që duhet të zgjidhni për kryetar të përkohshëm të partisë duhet të jetë nga radhët e shqiptarëve myslimanë, meqenëse ata përbëjnë shumicën e popullit tuaj.

Ky person nuk duhet të jetë anëtar i asnjërës prej kryesive të grupeve ekzistuese komuniste, sepse do të sjellë frymën e grupit.

Ai duhet të jetë i pashëm që ta pëlqejë populli”.

Koço Tashkoja me naivitet u ngrit e tha se e kishin një person që i plotësonte këto të dhëna, ishte Enver Hoxha, të cilin grupi komunist i Korçës e kishte punësuat si shitës te Kafe Flora. Ai ishte mysliman i pashëm dhe nuk ishte anëtar i asnjë grupi komunist. U dërgua një delegat, i cili pasi e takoi Enver Hoxhën, e shpuri në mbledhje. Mbas disa diskutimeve, këtë e zgjodhën sekretar të përkohshëm të partisë…

Në procesverbalet e kësaj mbledhjeje, Partia Komuniste Shqiptare u quajt parti kombëtare, por asaj iu caktua që të shtrinte veprimtarinë e saj politike, organizative e ushtarake vetëm brenda territorit të Shqipërisë së paraluftës. Askush nga diskutantët nuk përmendi të drejtat e popullit shqiptar për vetvendosje e rregullim të kufijve të saj nga padrejtësitë historike të bëra më parë, si kishte shpallur Karta e Atlantikut, karta e aleatëve të mëdhenj antinazifashistë. Nuk u përmendën fjalët Kosovë, Shqipëri ekzistuese, territore shqiptare të bashkuar me atdheun mëmë, Karta e Atlantikut, e drejta pë vetvendosje, etj.

Kuptohet thjesht se mospërmendja e shtetit ekzistues shqiptar, të drejtat e popullit shqiptar sipas kartës së Atlantikut dhe mosmarrja përsipër që kjo parti e re politike kombëtare, ta shtrinte veprimtarinë e vet vetëm brenda territoreve të Shqipërisë londineze, donte të thoshte se jo vetëm Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, por edhe Enver Hoxha dhe drejtuesit e grupeve komuniste nuk e donin Shqipërinë e bashkuar dhe as krijimin e Shqipërisë etnike (Shqipërisë së vërtetë), që synonin kërkesat e Kartës së Atlantikut.

Pra, që në krijim PKSH ia dhuroi territoret shqiptare që i ishin bashkuar me të drejtë Shqipërisë në gusht të vitit 1941. Kësaj radhe këto territore i rijepeshin Serbisë pa presionin e Rusisë Cariste dhe të diplomacisë europiane, por prej partisë se re komuniste shqiptare, që u krijua si shërbëtore e PKJ.

Partitë komuniste ruse, serbe e jugosllave prapa paritit të internacionalizmit fshihnin synimet pansllaviste për asimilimin e popujve jo sllavë, duke vënë në krye të partive të tjera komuniste njerëz të nënshtruar e të bindur ndaj politikës e synimeve të tyre ekspansioniste.

Të pranoje e të punoje për shpërbërjen e Shqipërisë ekzistuese, të mos përmendje të drejtat e popullit shqiptar sipas Kartës së Atlantikut, ishte krim kombëtar, tradhëti kombëtare. PKSH gjatë L2B dhe pas saj, punoi me rrugë të ndryshme që t’ua mbushte mendjen anëtarëve të saj dhe mbarë popullit shqiptar, dhe ua mbushi herë me fjalë e herë me dhunë, se nuk duhej të mendonin për pjesën e popullit që kishte mbetur jashtë kufijve të vitit 1913.

Kjo tradhëti arriti kulmin në dhjetor 1947. Analisti Mërgim Korçës në bazë të dokumenteve të gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, ka vënë në dukje se në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh më 15 dhjetor 1947, në praninë e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç, Enver Hoxha deklaroi: “…tani që e likuiduam këtë pengesë (Nako Spirun – shënim sqarues i Mërgim Korçës), duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…”

Për këtë fjalim Enver Hoxha nuk bëri kurrë autokritikë. Ai nuk pranoi kurrë të kritikonte dhe dënonte gabimet dhe krimet që kreu gjatë Luftës Antifashiste dhe më vonë, derisa vdiq. Kurse pushtetarët dhe historianët tanë pas vdekjes së tij dhe deri më sot i kanë fshehur dhe nuk i kanë botuar dokumentet ku dalin qartë në mënyrë të pakundërshtueshme gabimet dhe krimet që kreu Enver Hoxha që më 8 nëntor 1941 deri nga mesi i vitit 1948, kur J. V. Stalini e detyroi të shkëputej prej Jugosllavisë dhe të lidhej me BRSS. Nuk ka pse të mos pranohet se gjatë gjashtë viteve të para të qëndrimit në krye të PKSH, Enver Hoxha ishte një shërbëtor i bindur i PKJ dhe se udhëzimet dhe urdhërat e saj e kishin detyruar të kryente shumë krime, madje dhe tradhëti kombëtare.

Mohimi i dëshmorëve të 7 prillit 1939.

Një tjetër tradhëti kombëtare e kryer prej PKSH është dhe mohimi i rezistencës që iu bë ushtrisë fashiste italiane më 7 prill 1939 dhe i dëshmorëve që ranë gjatë atyre luftimeve. Edhe pse pjesëmarrja ishte e pakët, forcat shqiptare të përbëra nga një pjesë e ushtrisë mbretërore, nga xhandarmaria dhe nga disa vullnetarë nga qyteti kryen një rezistencë të denjë në Durrës. Ata i shkaktuan ushtrisë italiane 124 viktima, kurse nga radhët e tyre ranë nëntë dëshmorë, të cilëve gjatë mbasdites iu shtua dhe një qytetar ortodoks, i cili e leu dhe e dogji veten me benzinë te sheshi i qytetit para ushtrisë italiane që ishte renditur për të festuar fitoren. Emrat e këtyre dëshmorëve janë:

Mujo Ulqinaku, Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi (Kallço), Ibrahim Osmani, Isak Metalija, Ismail Reçi, Ramazan Velia (Lezha), Hamit Vesho, si dhe qytetari që dogji veten, por emri i tij deri sot nuk është verifikuar ende.

Luftime u zhvilluan edhe në Sarandë ku ra dëshmor Mitro Dhimërtika; në Shkodër ku ra dëshmor Tonç Toma; në Berat ku ra dëshmor Zenel Blana dhe në Vlorë ku u ranë dëshmorë dy ushtarë, por emrat e tyre nuk janë verifikuar ende. Dëshminë se në Vlorë u kryen luftime më 7 prill 1939 dhe se aty ranë 2 dëshmorë na e ka dhënë Prof. Sami Repishti, i cili këtë fakt e kishte dëgjuar prej dy malësorëve ish-ushtarë të ushtrisë mbretërore që morën pjesë në ato luftime. Këta dy malësorë ia patën treguar z. Repishti gjatë jetës në burgun e Burelit, ku ishin të dënuar bashkë me të.

Menjëherë pas kapitullimit të Italisë Fashiste në shtator 1943, në saje të presionit që kreu mbi qeverinë shqiptare të kohës ish-pjesëmarrësi i luftimeve të Durrësit, Sami Koka, tashmë kolonel i Xhandarmërisë Shqiptare, qeveria shqiptare u lidhi pension patriotik 13 familjeve të të rënëve. Sami Koka nuk i kishte emra e dy të rënëve në Vlorë dhe as emrin e qytetarit dursak që dogji veten. Këto familje e morrën pensionin patriotik deri në nëntor të vitit 1944.

Qeveria komuniste që erdhi në pushtet, pas nëntorit 1944 në vend që të gjente emrat edhe te tre dëshmorëve të tjerë, i mohoi 12 dëshmorë, ua ndërpreu pensionin patriotik dhe njohu si dëshmor të 7 prillit vetëm Mujo Ulqinakun.

Dëshira për ta politizuar historinë e shtyu Enver Hoxhën që më vonë të thoshte se Lufta Antifashiste filloi me formimin e PKSH-së. Për këtë arësye ai mohoi 12 dëshmorët e 7 prillit dhe ia mohoi kontributin luftarak edhe majorit Abaz Kupi, i cili luftoi në Durrës si komandant i forcave të ushtrisë mbretërore. Abaz Kupin ai e pati shpallur armik e tradhëtar që në shtator 1943, ndonëse delegatët e Konferencës së Pezës (16 shtator 1842) ia kishin njohur kontributin e 7 prillit dhe e kishin zgjedhur bashkë me E. Hoxhën anëtar të Këshillit të Përgjithshëm Nacional.

Mohimi i Marëveshjes së Mukjes, fillimi i luftës së klasave.

Më 1-3 gusht 1943 u mbajt Mbledhja e Mukjes, ku delegatët e forcave balliste, nacionaliste e komuniste u ulën si të barabartë në tavolinë dhe zgjodhën Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë. Ky komitet përbëhej nga 24 vetë prej të cilëve dymbëdhjetë ishin përfaqësues të Ballit Kombëtar, gjashtë të Partisë Komuniste (PKSh) dhe gjashtë të forcave nacionaliste. Ky komitet formuloi Marrëveshjen (Proklamatën) e përbashkët për vijimin e luftës kundër pushtuesit italian dhe çdo pushtuesi tjetër që mund të vinte. Proklamata e këtij komiteti ishte kjo:

Popull shqiptar!

Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim.

Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës… Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.

Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.

Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Shqiptarë!

Nuk keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.

Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare.

Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!

Jashtë armiku zaptues!

Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!

Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!

Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!

Të dërguarit e Partisë Komuniste ia shpunë Enver Hoxhës Proklamatën e Mbledhjes së Mukjes në Vithkuq të Korçës, ku ishin mbledhur forcat partizane për krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese. Nesti Kërënxhi, njëri prej anëtarëve të delegacionit të PPSh-së, ka treguar se Enver Hoxha pasi e lexoi, e pranoi dhe tha: “Mirë e keni bërë”. Mirëpo në atë kohë doli nga çadra e tij Miladin Popoviç, i cili u afrua dhe kërkoi ta lexonte vetë proklamatën. Pasi mbaroi së lexuari pikën e dytë, ku përmendej e drejta për vetvendosjen e popujve dhe Shqipëria etnike, ai e grisi letrën dhe ia hodhi Enverit në fytyrë duke thirrur me inat: “Nanën Shqipnisë etnike! Enver mohoje!”

Kështu u hodh poshtë Marrëveshja (Proklamata) e Mukjes, arritja më e rëndësishme e forcave të përbashkëta antifashiste. Enver Hoxha, si ushtar i bindur i M. Popoviçit, filloi nga veprimet për ta mohuar e hedhur poshtë marrëveshjen e Mukjes. Ai formuloi më 10 shtator 1943, dhe u dërgoi organizatave të partisë në bazë, një shkresë sekrete ku urdhëronte që të shpallej Balli Kombëtar tradhëtar dhe bashkëpunëtor i pushtuesit, kur ushtarët e kësaj organizate e kishin luftuar pushtuesin po ashtu si forcat partizane.

Grisja e Proklamatës së Mukjes prej Miladin Popoviçit duhet dënuar prej historiografisë sonë si ndërhyrje në punët e brendshme të ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare Shqiptare, kurse mohimi i Proklamatës së Mukjes nga ana e Enver Hoxhës dhe udhëheqësit e PKSH duhet quajtur tradhëti kombëtare dhe duhet dënuar sa më rëndë. Ndërsa deri sot historiografia jonë e ka konsideruar thjesht si një nënshtrim ndaj emisarëve jugosllavë, pa gjykuar pasojat shkatërrimtare që solli ky vendim për të ardhmen e lëvizjes antifashiste të popullit tonë. Tek hedhja poshtë e vendimeve të Mbledhjes së Mukjes dhe te shpallja e Ballit Kombëtar armik, pa fakte e ka fillimet lufta e tmerrshme e klasave që filloi e zhvilloi PKSH e më vonë PPSH për të zhdukur gjithë ata shqiptarë që mendonin ndryshe, ose që partia i mendonte si kundërshtarë të saj.

Eshtë e kuptueshme se hedhja poshtë e Marrëveshjes së Mukjes dhe urdhëresa sekrete e Shpatit (Enver Hoxhës) e datës 10 shtator 1943, për t’ua kthyer ballistëve pushkët e partizanëve krijoi një gjendje çoroditëse ndaj forcave të Ballit Kombëtar, të cilat pas disa javësh filluan të ndodheshin edhe përballë pushtuesve të rinj gjermanë. Të ndodhur midis dy zjarresh, mjaft reparte të forcave balliste filluan të bashkëpunonin me pushtuesit gjermanë, sepse këta shprehën gadishmëri për të mos i asgjësuar. Kështu Balli Kombëtar nga një forcë ushtarake antifashiste që kishte luftuar disa vjet për çlrimin e vendit nga zgjedha fashiste, u kthye brenda muajve tetor-nëntor 1943 në një forcë bashkëpunëtore me pushtuesin e ri nazist.

Ky gabim i rëndë nuk mund t’i falet Balli Kombëtar, i cili ishte krijuar si një organizatë patriotike prej elitës intelktuale shqiptare që ishte edukuar në Europë e Amerikë, dhe që deri atëhere e kishte drejtuar me mençuri dhe kishte fituar simpati të madhe në popull, sidomos në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Por duhet kuptuar se në këtë gabim historik forcat e Ballit Kombëtar nuk i shpuri dëshira e tyre, por pushka partizane, politika armiqësore që nisi të mbante ushtria partizane. Udhëheqja e PKSH në shtator 1943 i shpalli edhe forcat prombretërore që drejtonte Abaz Kupi forca armiqësore, sepse ai luftëtarët e tij nuk mendonin njësoj si komunistët. Edhe pse këto forca nuk gabuan si forcat e Ballit Kombëtar, pra nuk bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë por i luftuan këta, Enver Hoxha dhe partia e tij i luftoi si forca kundërshtare dhe i shpalli tradhëtare, pa bërë ndonjë tradhëti. Abaz Kupi u detyrua të tërhiqte forcat e tij prej Frontit Nacional Çlirimtar edhe të delte si forcë më vete me emrin Partia e Legalitetit.

Ndryshimi që ndodhi në forcat partizane duke u kthyer ato nga forca që luftonin për liri si aleate të forcave nacionaliste, prombretërorëve dhe të Ballit Kombëtar, në forca që filluan të luftonin kundër pushtuesit, por dhe kundër aleatëver të tyre, ishte tregues i pamohueshëm se PKSh-ja, e shtyrë prej emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, krahas luftës për liri, filloi dhe luftën për marrjen e pushtetit si forcë e vetme politike. Ky aspekt i ri i dha Luftës Antifashiste edhe tipare të luftës civile. Aspekt ky që duhet dënuar prej historiografisë sonë.

Në Mbledhjen e Mukjes ishte vendosur që problemi i pushtetit të vendosej mbas çlirimit të vendit përmes votës së lirë të popullit. mirepo emisarët e Titos e mësuan Enver Hoxhën se komunistët nuk duhej ta ndanin pushtetin me askënd. Me një fjalë PKSh përqafoi që në atë kohë idenë e sundimit të Shqipërisë së nesërme si forcë e vetme politike, ashtu si sundonte Partia Komuniste Bollshevike në Bashkimin Sovjetik, përmes diktaturës komuniste. Që nga muaji tetor 1943 edhe pse forcat partizane kërkonin e merrnin ndihma nga Anglo-amerikanët dhe flisnin se aleatët e jashtëm antifashistë ishin tre: Anglia, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik, në fakt drejtuesit e PKSh-së filluan me zë të ulët të ngrinin lart Bashkimin Sovjetik, të flisnin me lavëdërime për Stalinin dhe Titon, por jo edhe për Çurçillin dhe Rusveltin.

Kështu emisarët jugosllavë ia arritën qëllimit: i përçanë forcat e armatosura shqiptare antifashiste në tre grupe, të cilët nuk mund të bashkëpunonin më midis tyre. PKSH dhe forcat partizane i luftuan ashpërsisht gjithë ballistët dhe legalistët si armiq e tradhëtar të atdheut. Pas mbarimit të L2B PKSH / PPSH dhe forcat e Sigurimit e të Frontit Demokratik vijuan t’i luftonin ish-ballistët, ish-nacionalistët, ish-legalistët dhe intelektualët e pavarur të formuar në Perëndim, si armiq të atdheut pa bërë asnjë tradhëti. Shumica e tyre u burgosën e u internuan në vendbanime të izoluar. Këtu jetuan edhe pasardhësit e tyre, qenie të pafajshme që trashëgonin “fajin” e prindërve dhe gjyshërve të tyre, që ata nuk i kishin njohur kurrë.

Për fat të keq psikologjia e luftës së klasave vijoi të sundojë edhe pas ndërrimit të regjimit më 1992. Komunistët, që brenda një dite u vetëquajtën socialistë, i luftonin nëpër artikujt e gazetave dhe në fjalime duke i quajtur armiq e tradhëtarë gjithë shqiptarët që u bashkuan në partitë e reja politike si Partia Demokratike, Partia Republikane, etj dhe simpatizantët e tyre. Po kështu edhe anëtarët e simpatizantët e Partisë Demokratike e ata të Partisë Republikane i quanin armiq socialistët dhe simpatizantët e partisë socialiste.

Kjo psikologji nuk na le të bashkëpunojmë si bij të një populli për të mirën e Shqipërisë e të popullit shqiptar.

Shumfishimi i numrit të partizanëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Na-Çl

Fatkeqësisht shumë ish-partizanë e ish-prokurorë si Spartak Braho nuk duan të mësojnë të vërtetat dhe nuk pranojnë se partia shtet ka bërë shtrembërime të mëdha, pra krime, lidhur me shumë fakte të kohës së Luftës Antifashiste dhe pas saj. Të tillë shërbëtorë të diktatorit e diktaturës janë mësuar me gënjeshtra e shumfishim të trimërive të tyre. Kanë thënë e thonë se Ushtria Nacional Çlirimtare arriti në 70.000 luftëtarë. Kuse në të vërtetë, si kanë shkruar autorët e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (FESH), Vëllimi II, viti 2008 në zerin Brigadat e Ushtrise Na-Çl, këto formacione ushtarake deri më 24 prill 1944 kishin gjithsej 5.075 partizanë dhe se më 28 nëntor 1944 arritën të kenë 26.877 partizanë. Më 29 nëntor 1944 u shtuan dhe 1200 partizanë nga rrethi i Shkodrës që formuan Brigadën e XXVII Sulmuese, e cila pas disa muajve u shkri pa dhënë asnjë dëshmor.

Kurse lidhur me numërin e dëshmorëve të rënë nga radhët e këtyre brigadave partizane, autorët e FESH-it duke u mbështetur në historikët që ishin shkruar për brigadat partizane, japin shifrat për dëshmorët e sejcilës brigadë. Duke i mbledhur numrin e të gjithë këtyre dëshmorëve arrihet numëri 1.967 dëshmorë. Duke menduar se në këtë numër nuk janë përfshirë dëshmorët e rënë nga formacinet e çetave partizane, mendoj se për numrin e përgjithshëm të dëshmorëve të Luftës Antifashiste nga radhët e forcave partizane duhet të mbështetemi në studimin e studiuesit Teodor Kareco “Jo 28.000 dëshmorë, vetëm 3.500” Tiranë 2014, 224 fq. Sipas këtij studiuesi, i cili ka verifikuar dokumente të disa arkivave të Shqipërisë, në vitin 1946 rezultojnë 2.396 familje dëshmorësh që merrnin ndihmë sociale. Nëse do të kishte dhe 25.604 familje të tjera dëshmorësh (28.000 – 2396 = 25,604), pyet me të drejtë studiuesi Kareco, si mundet ato të mos kërkonin e të mos merrnin ndihmën sociale? Dhe më tej sqaron se numëri prej 28.000 dëshmorësh është vetëm një shifër e sajuar prej Enver Hoxhës e thënë në Konferencën e Paqes në Paris, me qëllim që Shqipëria të merrte sa më shumë shpërblime (separacione) për dëmet e luftës prej Italisë e Gjermanisë.

Studiuesi Teodor Kareco duke studiuar edhe dokumentet e Ministrisë së Financave ku jepet fondi për krijimin e 4.000 vorrezave të dëshmorëve në gjithë Shqipvrisë, ku do të vendoseshin dhe dëshmorë të rënë gjatë Rilindjes dhe Luftës së Vlorës (1920) dhe të rënë të tjerë për lirinë e atdheut, e llogarit numërin e përgjithshëm të dëshmorëve të Luftës Antifashiste gjithsej në 3.500.

Zoti Spartak Braho me shokë nuk duhet të sulmojë studiuesit Agron Tufa, Kastriot Dervishi, Teodor Kareco, etj si ballist e neofashist, por të çlirojë bindjet e tij nga drogimi i propagandës së partisë shtet.

Të gjithë duhet të punojmë për të nxjerrë të vërtetën dhe për ta pranuar atë, sepse me gënjeshtra e mburma të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë arritëm në greminë. Sado e hidhur të jetë e vërteta duhet pranuar, se ndryshe nuk shkohet përpara, por mbetemi atje ku ishim 75 vjet më parë. E verteta çliron nga mendësitë e gabuara dhe ndriçon rrugën e së ardhmes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat