Kufoma politike e Edi Ramës mban erë të keqe

Opinione

Kufoma politike e Edi Ramës mban erë të keqe

Asllan Bushati Nga Asllan Bushati Më 9 qershor 2019 Në ora: 08:33
Edi Rama

Nga 28 prilli deri më 23 maji bëra një vizitë private  në Shqipëri. Qëllimisht nuk takova asnjë politikan (as djathtas e as majtas), megjithëse kam miq  e të njohur në të dy krahët. Arsyeja ishte e thjeshtë: desha të testoj e të pjek  më tej mendimet e mija politike nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta e  personale me njerëzit për problemet e kohës që po kalojmë.

Kam qenë e vazhdoj të jem shumë i shqetësuar për situatën shumë të  rëndë e të komplikuar politike, ekonomike, shoqërore, sociale, kulturore, etike, morale, psikologjike etj, të vendit tim në këtë  tranzicioni kaq të  gjatë. Prandaj i pyeta shumë nga  dashamirët e mi se çfarë mendonin ata? Nga përgjigjet e tyre  më erdhi si rrufe në mendje një thënie e  Ramiz Alijës  se:” Shqipëria është vend i vogël dhe e mira dhe e keqja duken brenda ditës”. Kanë kaluar gati tridhjetë vjet dhe e mira sa duket zhbëhet  nga mentaliteti dhe primitivizmi që Ramiz Alija  dhe idhulli i tij  E.Hoxha  ngulët në mendjen e majtistëve shqiptar. Kurse e keqja është ngulur këmbëkryq jo deri në kockë por deri në palcë.

Marrë shkas nga sa më sipër, po e  përsëris për të disatën herë se pikëpamjet e mija politike janë të djathta. E deklaroj këtë   se kam  krijuar bindjen e plotë se: me qeveri e administratë më të vogël,  me taksa më të ulta, me më shumë liri për biznesin, me më shumë siguri për njerëzit e  pronën, me më shumë investime në arsim e shëndetësi, me  zgjedhje të lira, shtet ligjor e demokratik, me një kooperim më të mirë me investuesit e mëdhej ndërkombëtar, vendi im do të zhvillohet më shpejt e do të jetë më i begatë.

 Por kjo nuk më pengon të them se e pranoj opsionin e së majtës si një alternativë dhe mundësi (sipas filozofisë të së majtës europiane), por aspak sipas versionit enverist  e kriminal të rilindjes së Edi Ramës. Kjo filozofi allarilindase (në se mund të quhet e tillë) është shëmtia më e madhe  e asaj euro-perëndimore dhe ka rezultuar madje  edhe anti kombëtare.

Sot institucionet të  pavarura nuk ka në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë janë shkatërruar, Prokuroria është shkërmoqur e vepron nën urdhëratë politik të  Ramës dhe e ashtuquajtura  rilindja socialiste është kthyer në një shtet shtypës e shfrytëzues brenda shtetit. Pra  Edi Rama ka gjithë shëmbëlltyrën e një tirani pamaskë, pa kundërshtarë, pa institucione e pa media kundër tij. Ai ka paret e taksapaguesve (por edhe të krimit) shqiptarë dhe i trajton ato si pronë personale të Kryeministrit. Individi në Shqipëri  tashmë ndjehet totalisht i pa mbrojtur, banda të hajdutëve ordiner e profesionistë bëjnë kërdinë duke vjedhur në fshat e në qytet, njerëzit janë të shantazhuar nga bandat vetjake  e të lidhura me Qeverinë. Nuk ka qelizë të segmenteve të shtetit e të shoqërisë që nuk janë punësuar militantët socialist e enverist fanatikë. Realiteti shqiptar po ju a kalon edhe filmave të hollivudit.

Për Edi Ramën e bandën e tij, pretendimet e opozitës dhe përgjimet e zbardhura nga Bild, (për blerjen masive të votive në 2017-tën), nuk janë as të ligjshme, as të vërteta dhe as nuk përbëjnë asnjë fakt që të vërtetojnë paligjshmërinë e Qeverisë aktuale e aq më pak lidhjen e saj me botën e krimit. Turp për të gjithë ju të së majtës shqiptare që e sollët në fuqi këtë farë të keqe duke i bërë një dëm shumë të madh vetes dhe  gjithë popullit shqiptar.

Edhe Ju ndërkombëtarë që punoni në Tiranë, (kush më shumë e kush më pak), keni formësuar staturën e një gjysëm guvernatori urdhër dhënës dhe keni pranuar stabilitetin-“stabilokracinë” (edhe rrënues e shkatërrimtar)  në Shqipëri si më të rëndësishëm se demokracia.  Jeni bërë njësh me Edi Ramën duke mbyllur sytë e veshët edhe për veprimet kriminale e skandaloze të tij. Jeni bërë shtypës të zërit opozitar duke mbërritur deri atje sa i keni thënë hapur Lulzim Bashës se :”po shtove edhe një presje në dokumentin (në 2017-tën) që po ju servirim për firmë do ta konsiderojmë refuzim”. Cdo ditë thoni përralla e gjëra të ditura  edhe nga adoleshentët e barinjë në mal si: e hëna vjen para të martës, nënta para dhjetës, gushti pas korrikut, parlamenti është vendi i diskutimeve etj, sikur ne shqiptarët nuk dimë asgjë. Jeni  treguar krejt të njëanshëm e thjeshtë proqeveritar dhe tashmë jeni edhe të pabesueshëm. Turp edhe për ju. Historia do t’ju gjykojë si të pa ndershëm.

Opozita e tanishme, kam binjen e plotë se do të hyjë në historinë e Shqipërisë, si një mekanizëm që bëri e bën luftë primore për demokraci e shtet ligjor. Si një forcë që projektoi e udhëhoqi luftën kundër kriminelëve në parlament e në segmentet e shtetit. Që e vuri reformën në drejtësi në binarë kushtetues dhe që pranoi edhe sakrificë sublime për votën e lirë si baza e themeli i një shteti demokratik. Lulzim Basha e Oert Bylykbashi me shokë,  ju mësuan shqiptarëve e ndërkombëtareve se çdo me thwnw mendim juridik bashkohor europian e demokratik.

Me qetësi, prudencë e largpamësi, udhëheqja e PD-së dhe e opozitarëve afër saj, udhëhoqën revoltën popullore e cila medoemos  do të cojë  në rrëzimin e diktaturës së rilindjes së Edi Ramës, fundi i së cilës nuk është i largët. Edi Rama është tashmë në pikiadë të pandalshme. Ai është një kufomë politike që mban erë të keqe në cdo cep të Shqipërisë dhe në çdo segment të jetës.

Tani që Presidenti Ilir Meta, ja hoqi Edi Rames 30 qershorin si mundësi përplasje e premise për një konfrontim civil, duhet pritur që një mendje e sëmur si e tija të pjellë ndonjë idiotësi tjetër për të mbajtur pushtetin edhe  me dhunë e gjakderdhje. Opozita lypset të jetë e përgatitur që të shmangi me çdo kusht një konfrontim civil.

Edi Rama zgjedhjet e parakohshme i quan herezi , jo normale  dhe poshtëruese personale. Ky është mentaliteti i diktatorit, por socialistët e vërtetë duhet të kuptojnë se ndryshimi i sistemit  në Shqipëri është domosdoshmëri për të sotmen dhe të ardhmen. Të gjithë duam një Shqipëri për të gjithë , demokratike, ligjore “si gjithë Europa”.                                                 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat