Haradinaj në prehrin e enverizmit

Opinione

Haradinaj në prehrin e enverizmit

Prof. Dr. Eshref Ymeri Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri Më 20 qershor 2019 Në ora: 22:17
Ramush Haradinaj

Është me të vërtetë i çuditshëm qëndrimi i klasës politike kosovare ndaj Serbisë. Që prej vitit 2013, ajo klasë politike, përgjegjësinë e bisedimeve me Beogradin, ia pati ngarkuar Hashim Thaçit gjatë kohës që ishte kryeministër dhe më pas kur mori postin e presidentit. Ajo klasë politike dhe sidomos Kuvendi i Kosovës, nuk e dinin vallë që Hashim Thaçi ka qenë dhe mbetet argat i bindur i Beogradit (siç e ka deklaruar vetë presidenti Vuçiç), të cilit do t’i bënte lëshime pas lëshimesh, duke shpërfillur kryesoren e kryesoreve – kërkesën për dëmshpërblimet nga ana e Serbisë për të gjitha grabitjet dhe shkatërrimet që i shkaktoi Kosovës në tërësi dhe qytetarëve të saj në veçanti, duke iu grabitur edhe depozitat bankare?

Po a është menduar ndonjëherë për llogaritjen në vlera monetare të dëmeve kolosale që pësoi Kosova nga lufta agresive e Serbisë?

Le të njihemi me informacionin në vazhdim.

“Mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit (1990-1999), – thonë zyrtarë të qeverisë dhe analistë në Prishtinë. Por, kompensimi për dëmet e luftës deri më tani nuk është diskutuar gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që është zhvilluar në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian… Edhe pse kjo çështje nuk është trajtuar në bisedimet në Bruksel, kjo temë ishte ngritur një herë në procesin e negociatave të Vjenës, që janë mbajtur para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, kjo temë qe mbyllur menjëherë, pasi pala serbe një kërkesë të tillë nuk e ka pranuar… Haki Shatri, këshilltar për ekonomi në Qeverinë e Kosovës, i cili në atë kohë ka qenë pjesë e ekipit në Vjenë, thotë se faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka hezituar që kjo çështje të trajtohet” (Citohet sipas: “Mbi 22 miliardë euro dëme të luftës, të shkaktuara nga Serbia”. Faqja e internetit “albinfo.ch”. 16 qershor 2019).

Para disa muajsh është bërë publik një informacion interesant, i botuar në mediumin serb “Blic.rs”, i cili shkruante:

“Nëse do të gjykohet nga zhvillimet e fundit Beograd-Prishtinë, duket se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e ka ndërmend të ndalet. Në dokumentin e hartuar nga Haradinaj thuhet se ai kërkon kompensimin e dëmeve të luftës, pensionet e papaguara, kursimet që shqiptarët kishin në bankat e ish- Jugosllavisë, por edhe të tjera. Ndërsa askush, as në Beograd ose në Prishtinë, me siguri nuk mund të pretendojnë për çfarë mund të jetë një shumë e tillë. Por, shqiptarët nga Kosova, me sa duket, nuk kanë hyrë të papërgatitur për këto kërkesa. Kjo është, në fakt, rreth 22 miliardë euro dhe kjo shumë vlen vetëm për dëme të caktuara, të cilat Kosova i ka pësuar nga viti 1989 deri në vitin 1999, pikërisht gjatë periudhës së sanksioneve, për të cilat faji i vihet Serbisë” (Citohet sipas: “Mediat serbe: Haradinaj dëshiron kapitullimin e Serbisë – përveç njohjes, kërkon edhe 22 miliardë euro dëmshpërblim”. Faqja e internetit “Zëri.info”. 21 dhjetor 2018).

Nga ky informacion të krijohet bindja se klasa politike kosovare në krye të pushtetit, në procesin e bisedimeve me Beogradin, më në fund, i paska thirrur mendjes për respektimin e dinjitetit kombëtar të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të vet, dinjitet që lidhet pikërisht me dëmshpërblimet nga ana e Serbisë kriminale për të gjitha shkatërrimet që i bëri ekonomisë së Kosovës dhe pasurive të qytetarëve të saj gjatë viteve të luftës.

Megjithatë, qytetarët e Kosovës duhet të kenë mbetur të befasuar, për të mos thënë që duhet të jenë revoltuar tej mase nga një deklaratë e Kryeministrit Haradinaj, e bërë publike ca ditë më parë. Ja çfarë paska deklaruar ai:
“Njohja… çka mund të jep Kosova që të arrihet kjo marrëveshje, një pajtim, se tjetër nuk kemi çka japim. Pajtimi nuk është pak, do të thotë të kalohet mbi dhimbjen tonë, mbi të zhdukurit, mbi të vrarët, mbi dëmet, mbi dhunimet seksuale, me ekonomi të shkatërruar e të plaçkitur, e kur ne të pajtohemi, po japim shumë, më shumë se që dikush kish mujt me dhanë. Nuk po themi me harru, se nuk e bëjmë kurrë, por ne mund të pajtohemi ndonjëherë, për njohje. A është ky viti për këtë? Nuk mund të ngutem të them për këtë, por ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë dhe po ju tregoj që Kosova kur qëndron pas Amerikës, e bën për interesin e vet” (Citohet sipas: “Haradinaj: Pajtimi me Serbinë, vetëm në këmbim të njohjes”. Faqja e internetit “Radio Evropa e Lirë”. 03 qershor 2019).

Kjo është një deklaratë me të vërtetë skandaloze dhe tepër poshtëruese për dinjitetin e qytetarëve të Kosovës

Prof.dr. Luftulla Peza shkruan:

“Serbia i ka mbuluar krimet, çnderimet, vrasjet masive, dëmet ekonomike, etj., që bëri në Kosovë gjatë luftës dhe sjelljen e saj antishqiptare në veri të Kosovës. Të gjitha këto për fajin e shqiptarëve, që bëjnë sehir. Në anën tjetër, është diplomacia kosovare dhe shqiptare, që kanë vetëm emrin si të tilla, por, në të vërtetë, nuk funksionojnë në mbrojtje të Kosovës. Kemi diplomaci pa diplomatë profesionistë, të fjetur, që nuk dinë të thonë të vërtetën dhe t’i shpjegojnë botës dhe forumeve ndërkombëtare situatën reale në Kosovë dhe që Serbia është autore e krimeve në Kosovë dhe e luftës së ftohtë ndaj saj. (Citohet sipas: “Kosova nuk ka nevojë për njohjen e Serbisë”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 04 maj 2019).

Faik Krasniqi, njohës i zhvillimeve politike në vend, ka deklaruar:

“Askund në botë nuk ka ndodhur që viktima t’i kërkojë pajtim vrasësit. Kurse ne bëjmë kërkesa të tilla. Është shumë e çuditshme çfarë kërkesash bën lidershipi ynë” (Citohet sipas: ”Kritikohet ashpër thirrja e Haradinajt për pajtim me Serbinë: Askund në botë nuk ka ndodhur që viktima t’i kërkojë pajtim vrasësit”.Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 12 qershor 2019).

Prof.dr. Binak Maxharraj, artikullin e vet kundër këtyre deklaratave poshtëruese për popullin shqiptar të Kosovës, e ka titulluar “Kryeministër, a je n’vedi, apo të kanë lanë…?!” (Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 12 qershor 2019).

Deklarata revoltuese e Kryeministrit Haradinaj dëshmon fare qartë se ai ka rënë në prehrin e enverizmit, çka të kujton traditën e servilizmit të diplomacisë shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë pas vitit 1949.

Në veprën shkencore “Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949” (Shtëpia Botuese “GEER”. Tiranë, 2002), prof.dr. Beqir Meta ka hedhur mjaft dritë mbi traditën e këtij servilizmi me të vërtetë skandaloz. Interes të veçantë paraqert kreu III, që bën fjalë për përpjekjet e diplomacisë shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë. Autori na zbulon një faqe që mund ta quash me të vërtetë të turpshme në historinë e diplomacisë shqiptare, e cila, me servilizmin e saj të pështirë, pati njollosur dinjitetin tonë kombëtarë me hapat që kishte ndërmarrë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin shovinist grek. Janë 49 aksione të pastra diplomatike të qeverisë shqiptare, të fiksuara në periudhën mes viteve 1954 – 6 maj 1971, kur ajo s’la gur pa lëvizur për ta zbutur qeverinë greke që kjo të pranonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me vendin tonë.

Nuk ishte aspak e nevojshme që diplomacia shqiptare të hiqej zvarrë para shtetit shovinist grek për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Enver Hoxha dhe diplomacia shqiptare, para se të kërkonin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, duhej të shtronin para saj katër kërkesa kryesore.

Së pari, të shfuqizohej ligji i luftës me Shqipërinë.

Së dyti, popullsia e dëbuar çame të kthehej në trojet e veta stërgjyshore.

Së treti, Greqia të dëmshpërblente popullsinë çame për të gjitha shkatërrime e pasurisë së saj dhe për masakrat që kreu kundër saj.

Së katërti, të njihte minoritetin shqiptar në Greqi.

Pikërisht këto katër kërkesa duhej të përbënin katër shtyllat kryesore, ku duhej të mbështetej Enver Hoxha dhe diplomacia e tij në hapat që ndërmerreshin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë.

Çdo shqiptar i thjeshtë, me vetëdije kombëtare, çdo nacionalist shqiptar e ndien veten të fyer në dinjitetin e tij kombëtar, kur në faqet e këtij vëllimi njihet me qëndrimet arrogante, përbuzëse, shpërfillëse të shtetit shovinist grek ndaj kërkesave pa bosht kombëtar që ka bërë diplomacia shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Athinës, çka u arrit më 08 maj 1971.

Qëndrimet arrogante të diplomacisë shoviniste greke kanë shërbyer si mjet i përhershëm presioni ndaj diplomacisë shqiptare, me qëllim që kësaj të fundit t’i zhvateshin sa më shumë lëshime në interes të shovinizmit grekokaragjoz. Dhe këto lëshime, në fund të fundit, diplomacia greke arriti t’ia zhvatë me shumë sukses diplomacisë shqiptare, në dëm të interesave tona kombëtare.

Mosparashtrimi i katër kërkesave të mësipërme, përbënte lëshime të përmasave skandaloze që diplomacia shqiptare e servilit Enver Hoxha i bënte politikës agresive greke ndaj vendit tonë, lëshime që binin erë tradhti kombëtare.

Politikën e lëshimeve tradhtare të servilit Enver Hoxha ndaj Greqisë, e vazhduan dhe po e vazhdojnë pasardhësit e tij pas zëvendësimit të sistemit komunist me një sistem neokomunist pas vitit 1991: edhe sot e gjithë ditën, ligjin e luftës me vendin tonë Athina vazhdon ta mbajë në fuqi, ajo mohon kategorikisht Çështjen Kombëtare të Çamërisë dhe nuk e njeh absolutisht minoritetin shqiptar në Greqi.

Prandaj edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, si përfaqësues i klasës politike kosovare në pushtet, nën shembullin e argatit të Beogradit Hashim Thaçi, ashtu si edhe Enver Hoxha në raport me Greqinë, ka filluar ritualin e lutjeve në adresë të Serbisë për njohjen e Kosovës. Ky qëndrim i mbarë klasës politike të Kosovës, të përfaqësuar nga Thaçi dhe Haradinaj, të cilët janë shndërruar në lypsarë të pështirë në dyert e Beogradit për njohjen e Kosovës, e kanë fyer keq jo vetëm popullin kosovar, por edhe mbarë kombin shqiptar. Në këto kushte, Beogradi i shton edhe më shumë dozat e mospërfilljes dhe të përbuzjes jo vetëm ndaj klasës politike kosovare, por edhe ndaj kombit shqiptar në tërësi, çka ka ndikuar edhe në qëndrimin shpërfillës të Brukselit ndaj Kosovës, i cili, faktikisht, mbanë tërësisht anën e Serbisë.

Është mallkim për mbarë kombin shqiptar kur vëren që, nga radhët e tij, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, në skenën politike dalin politikanë mercenarë, pa kurrfarë morali kombëtar, servilë të të huajve, tradhtarë të interesave kombëtare. Fara e amoralitetit politik, e mercenarizmit, e servilizmit para të huajve, e tradhtisë kombëtare për interesat e grekosllavizmit, u mboll në trojet shqiptare që më 08 nëntor 1941 dhe vazhdon të lulëzojë deri në ditët tona.

Populli i thjeshtë, i cili e do me shpirt vendin e vet dhe është krenar për kombin e vet, do të dëshironte me gjithë zemër që politikanët e tij të ishin njërëz me moral të lartë kombëtar, që të deklaronin me zë të lartë nga foltorja e parlamentit evropian në Bruksel për padrejtësinë që i është bërë kombit shqiptar nga Perëndimi evropian me copëtimin e trojeve të tij etnike dhe të ngulnin këmbë që ajo padrejtësi të zhbëhet se s’bën, në mënyrë që trojet tona etnike të bashkohen në një shtet të vetëm kombëtar. Politikanët tanë le ta provojnë të bëhen burra, të paktën, qoftë edhe një herë të vetme në jetën e tyre. Njeriu një herë lind dhe një herë vdes. Por rëndësi ka që njeriu të vazhdojë “të jetojë” edhe pas vdekjes. Ata le të marrin shembull nga figura e shquar e kombit shqiptar, Atë Gjergj Fishta, i cili, në fjalimin e tij emblematik që mbajti në Konfrencën e Paqes në Paris në vitin 1919, deklaroi burrërisht:

“Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë”.

Me qëndrimin e lartpërmendur, Kryeministri Haradinaj ka nëpërkëmbur opinionit publik kosovar dhe mbarëshqiptar, por edhe në radhët e komunitetit evropian ka fituar një shpërfillje të heshtur për deklaratën e çuditshme që nxori nga goja, duke hequr dorë nga kërkesa për dëmshpërblimet që Serbia duhet t’i paguajë Kosovës për krimet dhe shkatërrimet e kryera dhe duke u mjaftuar vetëm me kujtimin atyre krimeve dhe poshtërimeve që iu bënë vajzave dhe grave kosovare nga bishat serbe të Millosheviçit. Me një deklaratë të tillë, Kryeministri Haradinaj e fyen rëndë popullin shqiptar të Kosovës, të cilit nuk ia ka vjelë mendimin absolutisht nëpërmjet zhvillimit të ndonjë referendumi.

Kur ishte në opozitë, Haradinaj ishte kundërshtar i rreptë i kalimit të 8200 ha tokë alpine kosovare në pronësi të Malit të Zi. Por kur mori postin e kryeministrit, e ktheu pllakën dhe atë territor ia dhuroi Malit të Zi. Ky qëndrim i tij me dy faqe lë për të dyshuar se në morinë e lutjeve, drejtuar Serbisë për njohjen e Kosovës, ai ka për të hequr dorë edhe nga vendimi që mori në vjeshtën e vitit të kaluar për vendosjen e taksës 100% për mallrat serbe.

Ndërkohë, nuk do të ishte keq që Haradinaj, bashkë me Thaçin, të emëronin një “llogaritar” që të mbante shënim numrin në iventarin e lutjeve të tyre para dyerve të Beogradit për njohjen e Kosovës. Jo për gjë, por thjesht për ta krahasuar me atë numrin 49 të lutje-kërkesave servile të Enver Hoxhës për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë.

Los Anxhelos, Kaliforni

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat