Kosova dekoron kundërshtarët e pavarësisë

Opinione

Kosova dekoron kundërshtarët e pavarësisë

Nga: Shaban Murati Më: 21 qershor 2019 Në ora: 08:23
Shaban Murati

Me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës presidenti i Kosovës dekoroi me motivacionin e kontributit për pavarësinë e Kosovës një grup njerëzish nga Shqipëria, në mesin e të cilëve ka njerëz, që jo vetëm nuk kanë shkruar një rresht e nuk kanë thënë një fjalë për Kosovën, por edhe që kanë qenë kundër pavarësisë së saj.

Kulmi i absurditetit arrin me dekorimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila ka shprehur botërisht qendrimin zyrtar “akademik, shkencor dhe politik” kundër pavarësisë së Kosovës në tetor të vitit 1998, në kulmin e luftës së përgjakëshme të popullit shqiptar të Kosovës dhe të UÇK për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka afishuar dhe shpërndarë brenda dhe jashtë vendit këtë qendrim në “Platformën për zgjidhjen e çeshtjes kombëtare shqiptare”, të botuar prej saj në tetor 1998.

Në respekt të së vërtetës historike dhe të kujtesës kombëtare mbarëshqiptare po publikoj artikullin tim të botuar në 1998 në përgjigje të “Platformës” zyrtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kundër pavarësisë së Kosovës.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë kundër pavarësisë së Kosovës

Akademia e Shkencave e Shqipërisë shpalli platformën e saj për zgjidhjen e çeshtjes kombëtare shqiptare, platformë e cila, duhet thënë që në fillim, se nuk është as shkencore dhe as patriotike. Kërkesa bazë, që shtron Akademia e Shkencave e Tiranës për Kosovën, është njohja e saj si element konstitutiv i Republikës Federale të Jugosllavisë. (Shih: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Platformë për zgjidhjen e çeshtjes kombëtare shqiptare”,Tiranë, 1998, fq.51). 
Cila është domethënia e kësaj kërkese platformuale të Akademisë së Shkencave?

Së pari, Akademia hedh poshtë dhe i kundërvihet kërkesës bazë themelore të popullit shqipar të Kosovës dhe të të gjitha subjekteve politike shqiptare të Kosovës për pavarësinë e saj. Akademia e Shkencave të Shqipërisë harron me dashje ose keqdashje se populli shqiptar i Kosovës në referendumin e tij plebishitar të vitit 1991 ka votuar njëzëri për pavarësinë e Kosovës. Kosova ka Kushtetutën e saj të miratuar nga deputetët shqiptarë, e cila përcakton dhe kërkon pikërisht pavarësinë e Kosovës.

Së dyti, Akademia e Shkencave e Shqipërisë kërkon të ligjërojë varësinë e Kosovës nga Beogradi dhe ta detyrojë popullin shqiptar të Kosovës të pranojë sundimin serb, duke kërkuar që Kosova të jetë pjesë konstitutive e Federatës Jugosllave. Akademia e Shkencave i faturon Serbisë pavarësinë e Kosovës dhe pranon sundimin serb për të.

Së treti, Akademia e Shkencave e Shqipërisë kërkon të rikthejë mbrapsht historinë e Kosovës dhe të detyrojë popullin shqiptar të pranojë statusin, që i dha atij Beogradi në 1974. I ashtuquajturi element konstitutiv ka qenë shpikja e Titos për të shmangur procesin e pashmangshëm të shkëputjes së Kosovës nga Jugosllavia. I ashtuquajturi element konstitutiv është një fasadë e dështuar politiko-juridike, që nuk e pengoi Sllobodan Millosheviçin jo vetëm të shkatërronte “elementin konstitutiv”, por nuk e pengoi që t’i shkatërronte fare Kosovës çdo lloj auonomie.

Së katërti, duke kërkuar që Kosova të kërkojë vetëm “elementin konstitutiv”, Akademia e Shkencava e Shqipërisë tenton të ruajë mini-Jugosllavinë. Është vërtetë e dyshimtë se përse akademia ëndërron të ruajë me çdo kusht Jugosllavinë Federale ose mini-Jugosllavinë.

Pyetja e parë, që del pas analizës së Platformës se Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për Kosovën, është se kush ia dha asaj mandatin që të flasë në emër të Kosovës dhe për ironi të fatit të mohojë të drejtën e pavarësisë së Kosovës në emër të gjoja popullit të Kosovës. Këtu dalim tek arsyet e tjera, që nuk kanë të bëjnë as me shkencën dhe as me patriotizmin.

Në interpretimin më indulgjent, që mund t’i bëhet platformës së saj, mund të thuhet se ajo është komplet jashtë kohe. Mirpo duke qenë platformë e një Akademia të Shkencave, indulgjenca përjashtohet. Dhe vërtet duhen kërkuar motivet nga niset kjo Akademi për të patur guximin të paraqesë platformë për gjoja zgjidhjen e çeshtjes kombëtare, që i kundërvihet çeshtjes kombëtare.

Frymëzimi i platformës është tipikisht dhe thelbësisht enverist, pra antishqiptar. Është vërtet për të ardhur keq se si Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka guximin të dalë kundër pavarësisë së Kosovës dhe pajtohet me shitjen, që i është bërë çeshtjes së Kosovës nga Enveri. Sepse është i njejti kurs enverist, që ka dominuar politikën dhe shkencat historike marksiste shqiptare gjatë 50 vjetëve, për të gjetur forma sa më të zbukuruara të varësisë së Kosovës nga Serbia. Një formë të tillë e gjejmë sot në këtë të ashtuquajtur Platformë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nuk është pa interes të nënvizohet momenti, kur Akademia e Shkencave e Tiranës vendosi të shpallë publikisht platformën e saj. Është momenti kulmor i një konflikti të përgjakshëm 8 mujor në Kosovë, kur nga një anë kemi agresionin kriminal dhe genocidin serb, që ka vrarë mbi dy mijë shqiptarë, ka plagosur dhjetra mijra, ka dëbuar nga shtëpitë mbi gjysëm milioni shqiptarë dhe ka djegur gjysmën e Kosovës, kurse nga ana tjetër kemi vullnetin masiv politik e juridik të shprehur të shqiptarëve për pavarësi, për t’i thënë “JO” sundimit serb, për të mbrojtur vatrat e shtëpitë e tyre me luftë.

Është lehtësisht e imagjinueshme përmasa e cinizmit të akademikëve të Tiranës kur mbi hartën e shkrumbosur të gjysmës së Kosovës dhe mbi varret masive të grave, fëmijve e pleqve shqiptarë të masakruar nga tanket dhe bajonetat serbe, ngrihen dhe u kërkojnë shqiptarëve të Kosovës të rrinë nën Serbinë, ashtu siç ishin në 1974, dhe t’ia falin Serbisë krimin e pashembullt masiv antishqiptar të vitit 1998.

Platforma e famshme shpallet publikisht tani, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diplomacia ndërkombëtare po konkretizojnë përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i gjetur një zgjidhje çeshtjes së Kosovës. Të gjitha partitë politike shqiptare në Kosovë, ajo e Ibrahim Rugovës, ajo e Adem Demaçit, ajo e Rexhep Qoses, dhe gjithë të tjerat, janë shpallur publikisht dhe zyrtarisht për pavarësinë e Kosovës. Tani del Akademia e Shkencave e Tiranës dhe u kundërvihet atyre dhe del me kërkesën që shqiptarët të rrinë nën Serbi. Kjo është për të ngatërruar punët edhe më shumë, për t’i ardhur në ndihmë diplomacisë dhe politikës serbe dhe për t’i dhënë asaj mundësinë që të thotë se ja edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë është kundër Kosovës dhe kundër popullit shqiptar të Kosovës.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë mund të shpallë jo një, por njëmijë e një platforma. Ato çvleftësohen nga vetë lufta dhe kërkesa e popullit shqiptar të Kosovës për pavarësi. Ata çvleftësohen edhe nga vetë kërkesa e popullit të Shqipërisë, i cili është që Kosova të ketë pavarësinë e saj.

Akademia mund të kërkojë të bëjë “diplomaci”, ashtu siç ka bërë në kohën e Enverit, kur për turpin e saj gjatë 50 vjetëve nuk botoi një monografi për Kosovën. Botimi tani i platformave të tilla shpjegon në një farë mënyre edhe heshtjen antikosovare, që ka mbajtur gjatë 50 vjetëve. Nuk mund të mbrohet dhe as të zhvillohet vija kombëtare dhe as të mbështetet interesi kombëtar me njerzit e Kominternit.

Nuk kemi të dhëna nëse Akademia jonë e Shkencave ka bërë para hartimit të kësaj Plaforme ndonjë konsultim në rrugën Francuzka 7 në Beograd. Por ajo që të vjen keq për akademikët e platformës është që të paktën të kishin mësuar diçka nga patriotizmi i Akademisë serbe të Shkencave në mbrojtjen e interesave të popullit të vet.

Dhe a mund të meritojë emrin “Akademi” një institucion i rëndësishëm shkencor, i cili nuk është në gjendje të bëjë as shkencë dhe as patriotizëm?

24.11.1998 .
(Nga libri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, Tiranë, 2018, fq.7).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat