Mallkimi si "uratë", apo fati i Kosovës si "trofe" lufte të varur mbi qindra lapidarë heronjsh...!?

Opinione

Mallkimi si "uratë", apo fati i Kosovës si "trofe" lufte të varur mbi qindra lapidarë heronjsh...!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 27 qershor 2019 Në ora: 06:18
Rexhep Elezaj

Pas qëndrimit bukur të gjatë në atdhe dhe mbresave të grumbulluara në mënyrë sugjestive dhe shumë zhgënjyese brenda qenies time njerëzore, seç m’i kujtuan ato dy thëniet e arta të poetëve “Rilindas”, atë të Migjenit tek: Recital i Malsorit; “0, si nuk kam një grusht të fortë, t'i bij mu në zemër malit që s'bëzanë, ta dij dhe ai se ç'domethanë i dobët - n'agoni të përdihet si vigan i vramë”, dhe, atë të Mitrush Kutelit: “Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret”..!

Sepse, kurrë në jetën time nuk do besoja, se pas gati njëqind viteve këto dy thënie epike do tingëllonin edhe sot, posikur t’ ishin thënë para një dekade, pra një muaji, një dite apo para një ore..!?

Kudo që shkova pash mjerim, varfëri, dëgjova rënkim, mallkim, ofshamë, urrejtje, sharje, kritika prej më të rëndave që kam dëgjuar në jetën time...!? Pash ndërtesa grandioze shumëkatëshe të zbrazëta, shtëpi dhe vila me vlera prej miliona eurosh, pash rrugë të pandriçuara, kalldrëme të hapura plotë rrezik për kalimtarë, takova punëtorë të vuajtur, të lodhur, të leckosur si skllav me nga një rrogë të mjerë prej 230 eurove, duke punuar në shi dhe pishë të diellit përvëlues, pa sigurime shëndetësore, pash dyqane plotë mallra, me ndonjë, ose pa asnjë blerës, pash mbeturina me tonelata të shkapërderdhura si stërvinë, edhe aty ku kishte kontejner për grumbullimin e tyre, por të pa zbrazura me nga disa ditë, pash dhe çka nuk përjetova në atdheun tonë të shtrenjtë, për lirinë dhe pavarësinë e të cilit secili prej nesh kemi dhënë nga pjesë të jetës dhe mundit tonë personal dhe familjarë për më shumë se tri dekada, qoftë duke dhënë jetën për të më të dashurit tonë, qoftë duke dhënë edhe kafshatën e fëmijëve tanë nga diaspora heroike..!?

Për pesë muaj, nuk takova as edhe një shqiptar të çfarëdo moshe, që të thoshte se është i kënaqur me pagën mujore, me kushtet e jetesës, siç nuk hasa as edhe një njeri të vetëm, i cili nuk e mallkonte pushtetin qendror dhe atë lokal, sidomos udhëheqësit e institucioneve qendrore në Prishtinë, si njerëz hajna dhe oligarkë të pamoralshëm që Kosovës dhe fëmijëve të tyre po ua shkatërrojnë jetën dhe të ardhmen nga papunësia, korrupsioni, nepotizmi dhe nga hajnitë pa kufi..!?

Dhe vërtetë, lakmia, uria, hajnia, vjedhjet, rrenat, pabesia, mashtrimi, denigrimi dhe diskriminimi i tmerrshëm i punëtorëve (skllav) nga bosët e tyre shkizofren dhe të egër, njerëz pa të drejta për punë dhe pushim me nga 12 orë punë në ditë, me rroga poshtëruese që as 10 ditë nuk mund t’i mbajnë familjet e tyre, e deri në vuajtje dhe varfëri ekstreme..!?

Tani, shtrohet pyetja në të cilën sot për sot, askush nuk mund t’i jep përgjigje të sakët; është, apo nuk është Kosova shtet, ka populli shqiptar i Kosovës fat të jetojë i lumtur dhe t’i shijojë të mirat e kësaj bote, njëjtë sikur gjithë popujt tjerë përreth, apo është i mallkuar që skamjen dhe vuajtjet t’i ketë si “uratë” nga oligarkët mizorë, të cilët përveç jetës së tyre luksoze si dhe epsheve të shfrenuara, nuk shohin asgjë tjetër para syve të tyre prej çikllopësh të pangopshëm të natës së errët kosovare në fillim shekullin e 21-të..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat