Në kërkim të seriozitetit të humbur prej 28 vitesh - Bota Sot
Në kërkim të seriozitetit të humbur prej 28 vitesh

Opinione

Në kërkim të seriozitetit të humbur prej 28 vitesh

Nga: Fahri Dahri Më: 13 korrik 2019 Në ora: 09:24
Fahri Dahri

Kanë ikur plot 28 vite në të cilat, ky popull i shumë vuajtur, ka pritur të çlirohej nga robërimi 2 mijë vjeçar, sa nga katër perandoritë e mëdha, aq dhe nga keqbërjet e fqinjëve grabitqarë, gllabërues dhe agresorë të pashembullt, me strategjitë e tyre ogurzeza “Naçertania” dhe “Megalloidea”.

Nuk do ndalemi tek historia, sepse tashmë është tepër e njohur, e saktë, e argumentuar me të mirat dhe të këqiat e saj ndërkohëra. Në këtë shkrim do të përqendrohemi në nja dy tre qendrime aktuale të dy organizatave të ashtuquajtura të djathta dhe të majta.

Këto do ti përdorim si shembull, për të provuar papërgjegjshmëritë, cektësitë dhe harbutëritë që aktualisht veprojnë në shoqërinë tonë, pikërisht nëpërmjet dyzimeve, dualizmit dhe, pse jo me dy pushtetet. Sigurisht pa anashkaluar disa analistë dhe media të cilat u shërbejnë “qorrazi” dy organoizatave që sapo u përmendën. Për shtjellimin e temës, detyrohemi të njihemi me disa përkufizime të veseve individuale, grupeve shoqërore e më shumë se kaq.

Mashtrimi: Sipas Kodit penal të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin Nr.7895, datë 27.01.1995, neni 143 mashtrimi trajtohet: “Përvetësimi i pasurisë private ose publike nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme ose duke fshehur fakte të vërteta, gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit, për vete ose persona të tjerë, përbën veprën penale të mashtrimit dhe dënohet me burgim deri në pesë vjet. Kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet. Kur vepra, ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.

Serioziteti: “Kur veprohet e sillet në mënyrë të matur, kur i mendon dhe vlerëson gjërat mirë, i kryen ato me ndërgjegje e me ndjenjë të thellë përgjegjësie; kërkues ndaj vetes e ndaj të tjerëve, të menduarit mirë dhe si duhet kryerjen e veprimeve; që bëhet a thuhet me gjithë mend; që është i vërtetë, i qëndrueshëm e i thellë, jo i cekët. Qendrime që kanë një rëndësi të veçantë, që nuk bëhen sa për të kaluar radhën ose me të qeshur, i mbështetur, me përmbajtje të thellë e të pasur, jo i lehtë. Që e ruan nderin vetjak dhe nuk luan në marrëdhëniet me të tjerët; që është në përputhje të plotë me normat morale dhe etike të shoqërisë”.

Mbështetur në këto dy përkufizime do përpiqem të analizoj qendrimet aktuale, siç u tha më sipër.

1)- Në gazetën Lapsi.al, të 11.07.2019, lexova shkrimin me titull: “Manipulo dhe korrupto ndërkombëtarët, që të shtypësh shqiptarët”.

Në vijim autori mendon: “Së fundi më kanë tërhequr vëmendjen dy deklarata kontradiktore që vijnë nga opozita. E para, është një letër e kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila iu drejtua një numri ambasadorësh perëndimorë, me kërkesën e ngritjes së një komisioni ndërkombëtar për të zgjidhur çështjen e Shkodrës, së cilës iu përgjigj ambasadori austriak duke i thënë se jemi në vitin 2019 jo në vitin 1913.

E dyta, ishte një deklaratë e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, sipas së cilës, problemet tona duhet t’i zgjidhim vetë, jo të na i zgjidhin ndërkombëtarët.

Janë dy qëndrime që shprehin një moment të dyzuar të mendimit politik shqiptar që tregojnë se, në një anë, Shqipëria mbetet ende, siç thoshte Fishta në vitet 1913, si ai zogu në fole që pret të vijë ta kojë “nana Evropë” dhe, nga ana tjetër, nevojën për të dalë nga këta shpërgënj e për të fluturuar. Fatkeqësisht, për momentin, letra e Ademit është tregues i kulturës dominante politike, kurse thirrja e Bashës mund të konsiderohet si ndër cicërimat e para të zogut që kërkon të dalë nga foleja.....”.

Analisti është i qartë në “kapjen” e dyzimit të mendimeve, brenda të njëjtit trup politik. Pikërisht këto dyzime, bile dhe më shumë, në mendimet politike të “racës sonë plitike” tregojnë folenë e lindjes, përpunimit dhe zbatimit të politikës :”Kundërshto gjithçka të mirë, të kujtdo që qeveris, për të penguar progresin dhe shtyrje kohore të zgjatjes së tranzicionit”.

Në shkrimin e analistit theksohet me të drejtë “dualizmi” politik, dhe thuhet menjëherë që në frazën e parë. Në të vërtetë, kjo nuk është ndonjë gjetje e re, ky dyzim apo dualizëm nuk është aspak i ri. Dypolitizimi i tejskajshëm tek ne, ka 28 vjet që jo vetëm është ulur këmbëkryq, por është përhapur shumë keq në të gjitha qelizat e shoqërisë shqiptare. Sa i drejtë dhe saktë është fillimi i analizës, gjatë shtjellimit humbet në kaosin e dyzimit të krijuar nga politka dhe rrëshqet, ashtu pa e kuptuar, si pa dashur në argumente të cilat shpien ujë në mullirin e palës të së keqes. Më troç, spikatet mirë qendrimi I bashkiakes në Shkodër, e cila për zgjidhje kërkon ndihmë nga të huajt, në një kohë që kryetari i organizatës së saj njëherazi është kundër ndërhyrjes së të huajve për zgjidhjet e problemeve tona.

Mendoj se këto dy qendrime, dmth dyzim mendimi brenda të njëjtës organizatë, në mendimin tim, duhet të trajtohet me më tepër seriozitet dhe forcë. Jo se nuk dihet apo nuk kuptohet, që duhen goditur fort, por është domosdoshmëri për vendosjen e bandierave ndaj përmbytjeve apo vërshimeve, vërsuljeve agresive, tepër konfliktuale të pandërprera mes dy “kampeve” të etur dhe të babëzitur për pushtet, pra për të mos kapërcyer në vijim duke vazhduar me sulmet ndaj grupeve të të njëjtës farsë. Nëse brenda “folesë së zogjve” nuk ka mendime të njëjta, nuk mund të përparosh, të kapërcesh folenë e zogjve dhe të shkosh tek “foleja e grenzave”, apo e “ gjarpërinjlve”. Prandaj analistët duhet ti “përvishen” mirë këtyre dy mendimeve dhe, po e them më trashë, dy strategjive të kundërta të një trupi të vetëm (kupto si në PD dhe në PS).
●- Trajtimi si humbje për të majtën më 30 qershor, është një mashtrim i madh shifrash, apo fallsifikim i realitetit duke përdorur shifra të pavërteta, si të vërteta. Është tepër qesharake përdorimi i 85% për të luftuar kundërshtarin. Ky argument është tepër qesharak dhe me një efekt të madh në mbarë shoqërinë për të humbur besimin ndaj kësaj apo asaj force politike. Është vërtet një argument qesharak, të bën të vësh duart në kokë dhe të ulërish se çfarë mendje kanë politikanët tanë. Pa përdorur shifrat e INSTAT-it, le të ecim me përvojën e mbas nëntëdhjetës lidhur me pjesmarrjen në zgjedhje.

Me rrumbullakime, përqindja e pjesmartësve në zgjedhje nga 1992 e këndej ka rezultuar afro tek 50 %-shi. Të drejtën për të zgjedhur më 30 qershor 2019 e kishin 3.536.015 votues. Afro 1,2 milionë votues nuk janë rezident në Shqipëri, kështu votues efektivë rezultojnë përafërsisht 2.336.000. Sipas përvojës rreth 50% marrin pjesë në zgjedhje, ose afro 1.170.000 votues. Tradicionalisht 700 votues i përkasin të së majtës dhe mbi 500 mijë votues janë të së djathtës. Në rastin e 30 qershorit, sipas disa publikimeve votuan afro 770.000 votues, shifër kjo e përafërt si në rastet e zgjedhjeve me “përballje kandidatësh”.

Besoj kuptohet, rezultoi një situatë normale, ose më saktë dolën në votime ata votues që i përkasin tradicionalisht të së majtës; ndërsa votuesit e të së djathtës dhe që përbëjnë mbi 500.000 votues, nuk dolën në votime. Sipas këtij rasti, kërkohet që çdo organizatë politike të analizojë faktet pozitive dhe negative mbi bazën e shifrave reale, të mos nxitet nga fryrja e numrave, mbasi fryrjet fallso, ose mbi normat bëjnë që tullumbacet e “politikanëve”, analistëve dhe mediave të pëllcasin në ajër dhe rrezik që copat plastike të mos arrijnë të bien as në tokë.

Nëse do ecim me llogjikën se 85% e popullsisë ishin kundra të majtës, apo kundra zgjedhjeve të 30 qershorit, do të ndodhemi jashtë realitetit dhe përpara një mashtrimi të madh shifror, gjë që duke mos pasqyruar të vërtetën kalohet në pabesushmëri të elektoratit dhe më e dëmshmja humbet bërja e analizës reale, si rrjedhim nuk arrihet nxjerrja e faktorëve të vërtetë, qofshin pozitivë apo negativë, nuk arrihet të përcaktohet diagnoza (sipas mjekësisë) dhe recetat bëhen të paefektshme për pacientin-popull.

Nëse do ecet me argumentin që përdor e djathta, dmth me 85 %-in për mos pjesmarrjen në zgjedhje, edhe nga organizata e majtë, duke përdorur si anallogji rastin e protestave ku përafërsisht morën pjesë rreth 50 mijë protestues, fjala është tek një argument edhe ky foshnjarak, të trumbetojnë se: “Në protestën e fundit morën pjesë rreth 50 mijë shqiptarë, të cilët përkrahën Lulin e C0, ndërsa 3.486.000 mijë shqiptarë e bojkotuan protestën”!!!??. Këto dy postblloqe politike, po i quajmë kështu, nuk zgjidhin asgjë, nuk argumentojnë ndonjë të vërtetë, vetëm se e bllofojnë klasën politike dhe bëjnë qesharake, të pabesueshme, pse jo dhe tallje për popullin.

Po pse more zotërinj politikanë, analistë apo media, me këto përralla do argumentojmë besimin e këtij populli ndaj këtyre politikanëve?. Personalisht mbetem i hutuar për nivelin e ulët të argumenteve që duhen përdorur për një “Shqipëri si gjithë Europa”.
●- Le të njihemi me llogjikat, analizat dhe përvojat e njerëzve që me seriozitet dhe përkushtim duan të ndihmojnë për një Shqipëri të lirë, demokratike. Në fjalën e saj e dërguara me punë Leyla Moses Ones pati një mesazh për politikën shqiptare duke kujtuar historinë e SHBA-ve. (Marrë nga lapsi.al. 11.07.2019).

“Rreshti hapës i Kushtetutës së SHBA thotë se mund të ketë një “bashkim më të përsosur”- bazuar në këto ideale të barazisë, lirisë, drejtësisë dhe llogaridhënies. Në kohën kur botën e sundonin monarkët, në një kohë kur marrëdhëniet shoqërore siguroheshin nëpërmjet lidhjeve të varësisë, klientelizmit, gjakut dhe fiseve, këto fjalë ishin shpërthyese dhe novatore. Sot, këto fjalë ta ngrohin ende zemrën me thellësinë e tyre dhe cilësinë e tyre vizionare. Ne e dimë se demokracia është e rrëmujshme, por parimet themelore të saj, ushtrimi i integritetit, përparësia e sundimit të ligjit dhe mbrojtja e një shtypi të lirë janë që të gjithë elemente që farkëtojnë forcën dhe pavarësinë e institucioneve që i shërbejnë popullit”.- tha Ones.

Shumë qartë, saktë dhe drejtëpërdrejtë tregohet rruga që duhet të ndjekin të katër pushtetet në Republikën e Shqipërisë.

2) - Do të ndalemi edhe në një tjetër eveniment sa habitës aq dhe i pakonceptueshëm, por që zbulon temperaturat e larta të etheve të pushtetit, të cilët për ti bërë “gropën” njëri-tjetrit, nuk i tremben aspak mashtrimit, sajesave, gënjeshtrave të cilat na serviren nga palët, mjafton që të nxisin mosbesim, dyshime dhe qendrime të kundërta në elektoratin shqiptar. Mjafton që “votat” të rrjedhin në ato kuti të asaj pale që ka më tepër sukses në mashtrime, në sajesa dhe demagogji.

Veprime të tilla, i shërbejnë pikërisht dëmtimit të parimit më themelor të demokracisë që identifikohet “me zgjedhje të lira dhe demokratike”. Mashtrimi politik dhe mediatik, duke shtrëmbëruar të vërtetat në interes të njërit apo tjetrit grupim politik, është një tjetër mjet për të goditur rëndë “votën” e lirë.

●- Le të ndjekim qendrimet e dy palëve politikë, lidhur me rritjen e çmimit apo të tarifës së karburantit. Ish deputeti i PD-së Agron Shehaj tregon ligjin për taksen e re . “Edi Rama po mashtron, njësoj si për taksën e Rrugës së Kombit. Taksë apo tarifë, shqiptarët do ta paguajnë më shtrenjtë karburantin. Qeveria mashtron qytetarët duke mohuar taksën e re mbi naftën. Ligji i ri parashikon shprehimisht që burimi financiar i agjencisë mbi menaxhimin e rezervave të naftës do të jetë: “Tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që shiten në Republikën e Shqipërisë..”

Opozita, në të drejtën e saj, ka akuzuar qeverinë se do të grabisë sërish xhepat e shqiptarëve duke rritur çmimin e naftës. Sipas denoncimeve qeveria do të vendosë një tarifë të re që do të përdoret për blerjen e sasisë së rezervës kombëtare të naftës që do të ruhet në depozita. Kjo tarifë ende e pa përcaktuar do të vendoset mbi çdo litër naftë që blejmë dhe konsumojmë”.

Nga ana tjetër, qeveria nëpërmjet Ministres së Financave, e ka mohuar krejtësisht një gjë të tillë. Në një postim në rrjetet sociale që është bërë Share, pra është konfirmuar edhe nga Kryeministri, ajo ka shkruar: “Kur e humbet debatin, i humburi kapet pas sajesave! Kjo m’u kujtua duke dëgjuar Lulzim Bashën që flet për rritje të taksës së karburantit. Një tjetër produkt i një fantazie gjithnjë e më shumë për të ardhur keq! S’ka rritje taksash, s’ka taksa të reja!”, shkruajti Denaj në Twitter.

Në një Shqipëri, në një vend, për të njëjtën çështje, dy qendrime krejtësisht të kundërta. Kush mashtron? Po e vërteta ku është?. Sigurisht nesër do të dalë ose e vërteta, ose mashtrimi!. Sot njëra palë akuzon, pala tjetër mohon; ndërsa populli rri e dëgjon, rri e pret, rri e mendon:“Çfarë po ndodh, të gjitha palët dinë shqip, po pse nuk merren vesh dhe të na japin lajme të gëzuara, që të na rrisin shpresat, të na bëjnë optimistë se Shqipëria do bëhet”!?. Kujt i duhen mashtrimet, shpifjet, gënjeshtrat, sajesat, kur ato nuk janë në karakterin, moralin dhe gjenezën e kombit tonë? Askujt! Atëhere bëni çmos dhe na i çrrënjosni nga politika, nga ekonomia, nga mjedisi social, sepse “palca” kombëtare nuk i gëlltit dot më tej.

Uroj të kem kontribuar sadopak në kthjellimin e disa prej politikanëve, analistëve dhe mediave, për të gjetur seriozitetin e humbur gjatë këtyre 28 viteve, të heqin dorë nga mashtrimet, gënjeshtrat dhe “kurdisjen” e konflikteve, “kacafytjet” vend e pa vend.

Ekspert ekonomie Fahri Dahri

Itali, më 14.07.2019

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...