Homazh për mikun tonë, Sherif Kaloshi

Opinione

Homazh për mikun tonë, Sherif Kaloshi

Nga: Reshat Kripa Më: 8 gusht 2019 Në ora: 21:56
Reshat Kripa

 

Ike i dashur miku ynë Sherif, ike dhe na le vetëm në rrugën tonë që kishim nisur Nuk do t’i harrojë kurrë ato ditë kur ti, në krye të Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë, luftoje me të gjitha forcat e tua që kjo shtresë të gjente vendin që i takonte në gjirin e shoqërisë demokratike të vendit. Dhe rezultatet ishin të qarta. Të përndjekurity politikë në ato vite kishin arritur shkallët më të larta të shoqërisë shqiptare, kishin gjetur vehten e tyre dhe një meritë të veçantë kishit edhe juve si drejtues i një institucioni që merrej më çështjet e tyre.
 Ishe i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familjeje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira.  Po, i dashur Sherif, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak Kaloshi, gjak fisniku që ndër shekuj e kishte treguar veten e tij.
  Në këto çaste më kujtohet një frazë e filozofit të shquar Niçe:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku…

Dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.
Ti i përkisje asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë Doje të jetoje i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën tënde. Doje të jetoje në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut,  jetoje në një epokë të gabuar. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e  lira, ndjenjat e shpirtit  të pastër. Jetoje në atë epokë kur kishe dëshirë për të studiuar dhe nuk të lejonin të studioje, kishe dëshirë për të punuar dhe nuk të linin të punoje, kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as  të jetoje. Jetoje në atë epokë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. 
 Të nderuar familjarë! Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë. Sherifi ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim  në krahun tonë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes mikun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.
 Qoftë i pëqrjeteshëm brez pas brezi ky kujtim!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat