“Askushi”, “dikushi” dhe “zarfi” - Bota Sot
“Askushi”, “dikushi” dhe “zarfi”

Opinione

“Askushi”, “dikushi” dhe “zarfi”

Nga: Fadil Lepaja Më: 14 gusht 2019 Në ora: 13:55
Fadil Lepaja

Tash, ndër ne, zarfi ka kuptimin e vet metaforik i cili lidhet me pushtetin e zgjedhur. Kur e hapëm zarfin dhe na doli një emër krejtësisht i panjohur, që rastësisht ishte femër, dhe jo rastësisht police, shumëkush u zhgënjye. Pas saj nuk punoi më zarfi, sepse u pa që nuk po jep rezultate ndër oligarkët që kanë pushtet informal më shumë se të gjitha institucionet tona vendore dhe ndërkombëtare bashkë. Prandaj, kreu i radhës erdhi nga vet rruga. Ishte kompromis i detyruar nga rruga. Thanë se do të vinin të festonin në sheshin e kryeqytetit, për zgjedhjen e tij, ende pa u votuar në parlament. Ardhja masive e paralajmëruar, paralajmëronte edhe luftën e mundshme qytetare, dhe konfrontimet me opozitën nëpër sheshe, e cila asokohe me protesta të dhunshme po kundërshtonin zgjedhjen e tij, për president. Kjo frikë bëri që përfaqësuesit e popullit, dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të populit të marrin vendim të ruajnë popullin.

Pra, për të ruajtur poullin nga konfrontimi, ata e zgjodhën, njeriun e fortë të oligarkisë në krye të shtetit. Por kujt i kujtohet tashmë kjo. Ndoshta vetëm tash, kur ai e ka sfidue krejt klasën politike, institucionet, me lojën e kufijve, edhe pse të gjitha institucionet përbetohen me dhjetëra herë, se nuk do të ketë lëvizje kufijsh, derisa fillojnë edhe vet të dyshojnë në fuqinë e tyre.

Nejse, kjo është histori, edhe pak pralajmërim i së ardhmes. Këto zgjidhje lidhen drejtpërdrejtë me kufirin. Do të ketë apo jo zgjedhje? Zgjedhjet edhe zgjidhjet nuk shkojnë gjithnjë bashkë. Mund të ketë edhe zgjedhje “teknike”, po përflasin dëshirat disa. Përndryshe, debatet vazhdojnë pafundësisht në media duke ngritur nivelin e stresit kolektiv.

Gazetarët tanë janë në qendër të vëmendjes edhe kur pushojnë. Dje e pashë një foto, të tij në “story”. Blendi, i famshëm gati sa Batoni, e kishte kapur një peshk sa gjysma e tij. Sa gjysma e vet. “Nuk qenka edhe aq i madh”, do të thotë dikush. I vogël ju duket juve, njeriu para të cilit rrëfehen autoritetet? Te ne para gazetarëve, “korleonët” rrëfejnë mëkatet live dhe duartrokiten!

Jo vetëm se madhësitë janë relative, te ne janë artificiale. Për shembull, ta zëmë se një çast je askushi dhe në mëngjes, pasi je zvarritur të bëjnë president. Apo e kundërta, je dikushi, zvarritesh dhe nuk të bëjnë! Me dashtë, të bëjnë edhe kryeministër, apo ministër. Populli? Jo mor, çfarë hyn populli këtu?! E ku dakordohet populli për të duhurit?! Prandaj zarfi.

Pra, thoshin, është askushi, por “Askushi” i thoshte vetes edhe Odiseu dinak kur po e verbonte Polifemin, apo kur po futej nën barkun e deleve për të ikur nga shpella. Kur e pyesnin perënditë, se çfarë ka Polifemi që bërtet, ai më kot u thoshte se e verboi “Askushi”. Askushi pra, i ka verbuar të gjithë zyrtarët tonë Ballkanik, dhe po luan me ta lojën e deleve. Nuk është pra, vetëm rrota jonë e mullinit ajo që sillet, dhe bubrreci ynë që krekoset se po e sjell. Ngjarja është shumë më e komplikuar kur e sheh nga bregu. Rrota ndërkombëtare është më e komplikuar. Është sikur orë zvicrane ku rrotët mekanike vendosen në raport të tillë që e shtyjnë njëra tjetrën drejt humenrës ose me playback të këthejnë në fillim. Mjafton të përmenden kufijtë dhe çështja e pazgjihur kombëtare. Tik-tak, bie ora e apokalipsës së paralajmëruar, kur do të shpërthejë sërish fuqija ballkanike e barotit, dhe gjithçka do të bëhet rrafsh? Pastaj do të na pacifikojnë sërish dhe, pastaj kuptohet, të pacifikuar, do të hyjmë në Evropë.

Epo, nëse bëhet fjalëpër të hyrë në Evropë, le të shpërthejë, do të pajtohen të gjithë pak a shumë. Le të na pacifikojnë përsëri dhe përsëri, derisa përfundimisht të paqtohemi krejtësisht me vetveten dhe me njëri tjetrin, duke u përqafuar si vëllezër, sepse në fund të fundit edhe duhet të jemi të tillë përkundër aq perandorive që kaluen këtej dhe lanë gjurmët e tyre identitare. Dikush la flija, dikush sharkia, dikund kisha, dikujt xhamia, dikujt teqe e dikujt universitete...

Pra, Askushi, është heroi ynë. Ai/ajo që nuk është as me këta, as me ata, as metë tjerët. Mjafton të jetë i pranueshëm nga “Olimpi” ynë politik ndërkombëtarë, dhe të na premtoj gjithçka, sidomos mundësinë për të lëvizur, për të shkuar atje...për të ikur nga këtu!

Por pse “Askushi” domosdo? Mund të jetë edhe “Dikushi” i cili mund të na premtoj se mund të rrijmë edhe këtu, e madje edhe të jetojmë mirë?! U pa puna, se votimet po na i nxjerrin vazhdimisht të njejtit numra. Është numër konstant i numrave në shitje. Votimet nuk po prodhojnë ndryshime . Pra, nëse zarfi mbetet opsion i vetëm, për ndryshime, çfarë preferoni ju të ju dali nga zarfi? “Askushi” apo “Dikushi”?

Apo, po vazhdojmë me “Playback”!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...