Vjosa Osmani - rikthim i frymës rugoviste dhe shpresës për të ardhmen më të mirë

Opinione

Vjosa Osmani - rikthim i frymës rugoviste dhe shpresës për të ardhmen më të mirë

Nga: Nehat Hyseni Më: 2 shtator 2019 Në ora: 14:18
Nehat Hyseni

Nostalgjia e viteve të nëntëdhjeta të shekullit XX, dmth për kohërat kur na mungonte liria, kafshata e bukës, siguria fizike dhe ekzistenca biologjike dhe ekonomike e gjithçka tjetër, meqë ishim përjashtuar nga puna, na ishin mbyllur shkollat, mediat informative dhe gjithçka tjetër, si duket na është kthyer në këtë fillimvjeshtë, tri dekada më vonë.

Asokohe regjimi fashist i Serbisë, në krye me Millosheviqin, na i kishte mbyllur të gjitha rrugët e kësaj bote, duke synuar që me terror të shfrenuar shtetëror, policor e ushtarak, të na gjunjëzoj e të na detyroj që të kapitulojmë para këtij regjimi, duke u bërë vegël e tij e nënshtruar e servile. Por, u pa puna se Serbia dhe Millosheviqi, nuk ia dolën, sepse u ballafaquan me shpresën e madhe gjithëpopullore, që prodhoi lëvizjen e pashembulltë demokratike “për liri e pavarësi”, që u emërtua si Lidhje Demokratike e Kosovës, në krye me intelektualin pacifist, Ibrahim Rugovën, të cilin bota e quajti “Gandi i Ballkanit”.

Pra, Ibrahim Rugova dhe lëvizja gjithëpopullore e organizuar në LDK, na “kompensonin” mungesën e lirisë dhe realitetin e hidhur të përditshmërisë së terrorit fashist të regjimit të Millosheviqit, me shpresën e mishëruar në frymën rugoviane, si antipod i së keqes dhe si sinonim i “lirisë e mirëqenies në ardhje”. Mrekullia qëndronte në faktin se ne, pra Shqiptarët e shtypur e të përdhunuar, besuam fuqishëm në liri dhe me sakrifica, sfida e durim të pafund dhe me ndihmën e botës demokratike, ia dolëm!

Paradoksalisht, tri dekada më vonë, njëzet vjet pas çlirimit nga Serbia dhe pothuajse dymbëdhjet vjet pas shpalljes së pavarësisë, tani gjëndemi në një situatë absurde, për shumëçka të ngjajshme me periudhën e përmendur, duke pritur “shpëtimtarin” që do na çliroj nga realiteti i hidhur në të cilin jemi katandisur. Natyrisht, kësaj radhe nuk presim çlirimin nga Serbia, por presim çlirim nga “çlirimtarët”, dmth nga ata të cilët paturpësisht pretendojnë se na çliruan nga Serbia dhe në emër të këtyre “meritave” na kanë bërë atë që as regjimi fashist i Millosheviqit nuk arriti ta bënte: vrasjen e shpresës se do të bëhet mirë, duke krijuar radhë të pafund të ikjes së të rinjëve nga “Kosova e lirë dhe e pavarur”, apo nga “Kosova 100% shtet”, që po na servon kryeministri aktual (në dorëheqje” dhe tarafi i tij i “çlirimtarëve”, që na izoluan deri në absurd nga bota e civilizuar dhe demokratike.

Prandaj, populli i Kosovës kam përshtypjen se është duke pritur që në mënyrë plebishitare dhe me shpresë e besim, që më 6 tetor 2019 ta realizoj çlirimin nga vetvetja, dmth nga klasa aktuale politike, të cilët në qershorin e vitit 1999 dolën nga skutat ku ishin strukur, për të defiluar në Prishtinë e gjetiu, për t’i dalur zot liririsë dhe çlirimit të vendit nga Serbia.

Mbase, ata më me qejf do donin që ta imitonin babain e tyre ideologjik, Enver Hoxhën dhe tarafin e tij, që triumfalisht hynë në Tiranë 75 vjet më parë dhe iu vunë në qafë Shqiptarve për 45 vjet me regjimin e tyre komunist, terrorist, jodemokratik e anticivilizues, që gjithashtu i izoloi nga bota e civilizuar e demokratike. Derisa nga Serbia na çliruan aeroplanët e aleaancës euroatlantike-NATO-s, më 6 tetor na mbetet neve, poqese realisht e dëshirojmë çlirimin nga krimi, korrupsioni dhe nga kapja e shtetit dhe institucioneve, që këtë ta realizojmë me votën tonë të lirë e demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat