Grekët mund ta bëjnë pelegrinazhin në Shqipëri, ndërsa çamëve u ndalohet të vizitojnë varret e gjyshërve - Bota Sot
Grekët mund ta bëjnë pelegrinazhin në Shqipëri, ndërsa çamëve u ndalohet të vizitojnë varret e gjyshërve

Opinione

Grekët mund ta bëjnë pelegrinazhin në Shqipëri, ndërsa çamëve u ndalohet të vizitojnë varret e gjyshërve

Nga: Arben Llalla Më: 12 shtator 2019 Në ora: 23:30
Arben Llalla

Prej 15 vitesh shoqata e veteranëve ushtarakë dhe policisë të Ksanthit organizon një pelegrinazh për të nderuar heronjtë grekë që janë vrarë në Shqipëri. Kjo shoqatë ushtarako-policore në emër të ndihmës për shkollat greke në jugun e Shqipërisë organizon katër herë në vit udhëtimin e pelegrinazhit të heronjve duke vizituar vendet ku adartët dhe ushtria greke që nga viti 1913-1949 janë vrarë në përpjekjet e tyre për të aneksuar jugun e Shqipërisë. Udhëtimi prej 5 ditësh me dy autobusë nis nga kufiri i Konispolit, me vizita në Delvinë tek vendet, ku kanë luftuar grekët më 1913-1914 për të shpallur autonominë e Veriut të Epirit. Më tej, ky rrugëtim vijon në Sarandë në takime me krerët e pakicës greke, kurse dhurohen ndihma shkollore si libra, fletore, atlase, në mënyrë që fëmijët e vegjël grekë të mësojnë, pasi shteti shqiptar “ushtron dhunë mbi ata”. Kjo është motoja e këtyre grupeve që na vijnë nga fqinji ynë jugor.

Ditën e dytë të këtij misioni këta ushtarakë e policë pensionistë, të cilët janë stërvitur me vite për sulme ndaj Shqipërisë vazhdojnë udhëtimin për të vizituar Himarën dhe fshatrat rreth saj, vende ku ka luftuar ushtria greke me në krye Jorgo Zografin për të përfunduar në shkollën greke “Omiros”.

Të tretën ditë programi është për të vizituar Tepelenën, Përmetin, Këlcyrën dhe lartësinë 731, ku janë vrarë me mijëra grekë gjatë luftës së 1940-1941, pa harruar vizitën tek Shën Kozmain për të përfunduar në Gjirokastër në takimet me përfaqësuesit e diplomacisë greke dhe Mitropolitin Dhimitrios. Ditën e fundit këta grekë pelegrinazhin do e vazhdojnë në Bularat për të vizituar shkollën e fshatit dhe varrezat e ushtarëve grekë. Por, sivjet programit të këtij pelegrinazhi i është shtuar edhe homazhe tek varri i Kostandin Kacifës, si dhe tek vendi ku mbeti i vrarë ky kriminel, i cili cënoi rendin publik më 28 tetor 2018.

Grupet paramilitare greke kanë ngritur iniciativën për të ndërtuar një kishë tek kodra, ku u vra Kacifas e për ta shpallur vend të shenjët me emrin “Shën Kacifas, martiri i flamurit të greqizimit”.

Këta grekë do të priten zyrtarisht më 24 shtator nga Mitropoliti Dhimitër i Gjirokastrës, nga Konsulli i Përgjithshëm grek Llambros Kakisis si dhe nga këshilltari  i Ministrisë së Arsimit të Greqisë për shkollat greke në Shqipëri, Vasilius Sotirudhas.

Por, përse shqiptarët nga Çamëria nuk kanë të drejtë të vizitojnë varret e të parëve të tyre, varret e çamëve që ranë dëshmorë për çlirimin e Greqisë në Luftën e Dytë Botërore? Ka patur mbi 3.000 çamë që luftuan në ushtrinë ELAS-EAM kundër pushtuesëve italianë dhe gjermanë.

Pra, grekët mund të vijnë të çirren të na fyejnë brenda në shtëpinë tonë, ndërsa çamët nuk mund të vizitojnë as si turistë, varret e gjyshërve dhe shtëpitë e tyre.

Është e qartë se më 22 shtator dogana e Qafë Botës nuk do i ndalë këta dy autobusë, si dhe qindra libra të propagandës greke kundër Shqipërisë që do sjellë Shoqata e ushtarakëve dhe policëve të Ksanthit. Me vete këta “turistë”-provokatorë do sjellin libra për t’i shpërndarë nëpër shkollat e Shqipërisë, ku mëson pakica greke si në Mesopotami, Delvinë, Sarandë, Gjirokastër e deri në Himarë.

Si është e mundur që shteti shqiptar lejon libra të tillë, madje pa paguar as doganë? Kur në nëntor 2016 u ndaluan dy shoferë të MPJ të Shqipërisë, sepse mbanin në bagazhin e tyre disa libra shkollorë për fëmijët shqiptarë që jetojnë në Greqi, dhe u dënuan me 30 ditë burg nga Gjykata e Janinës, vetëm pse dhjetëra Abetare në shqip. Shoferët e MPJ-së së Shqipërisë ishin Altin Tafa dhe Agim Asllani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...