“Rruga e mëndafshit e energjisë”, një rregullator gjeopolitik

Opinione

“Rruga e mëndafshit e energjisë”, një rregullator gjeopolitik

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 4 dhjetor 2019 Në ora: 13:15
Foto ilustrim

Projekti i madh i BE për të furnizuar Europën me gazin e Azerbajxhanit dhe që është quajtur “rruga e mëndafshit e energjisë” për rëndësinë ndërkontinentale të tij, hyri në fazën konkrete të jetësimit. Në datën 30 nëntor Turqia përuroi përfundimin e gazsjellësit “Trans Anatolian Pipeline”, TANAP, i cili  me gjatësinë e tij prej 1850 kilometra mbulon territorin nga kufiri turk me Gjeorgjinë deri në kufirin turk me Greqinë në Ipsala të Edirnesë. TANAP është shtylla kurrizore e projektit europian “Korridori Jugor i Gazit”, të mbështetur nga BE dhe të financuar nga Banka Europiane EBRD, nga Banka Botërore, etj. Ceremonia e datës 30 nëntor do të thotë se “Korridori Jugor i Gazit”, si projekt strategjik i BE për të diversifikuar burimet e furnizimit të gazit dhe për të pakësuar vartësinë strategjike energjetike nga Rusia, tashmë mori formë funksionimi. “Korridori Jugor i Gazit” përbëhet nga tre gazsjellës, gazsjellësi i Kaukazit Jugor, gazsjellësi “TANAP” dhe gazsjellësi Trans Adriatik TAP, i cili kalon nga Greqia në Shqipëri drejtim të Italisë.“Korridori Jugor i Gazit” është gati për funksionim dhe pret vetëm përfundimin e gazsjellësit TAP, që gazi azer të nisë të rrjedhë në Italinë gjashtëmujorin e dytë të vitit të ardhshëm. Qysh këtë javë TANAP ka transmetuar në tubacionet e gazsjellësit TAP gazin azer për testet fillestare. Deri tani gazsjellësi TAP në tubacionet e tij 5 km deri në kufirin grek dhe 2 km brenda kufirit grek është i mbushur me gazin azer dhe sasia e këtij gazi brenda tubacioneve të TAP-it është aktualisht 256 mijë metra kub. Pra funksionimi i korridorit europian të gazit është realitet i prekshëm.

Image

Në këtë drejtim mund të thuhet se me ndërtimin e gazsjellësit TANAP, Europa ka siguruar një burim shumë të rëndësishëm të pavarur të furnizimit të gazit natyral për nevojat e saj të mëdha.  Sikurse theksoi ministri turk i energjisë në ceremoninë e përurimit,“TANAP është jetik jo vetëm për Turqinë, por edhe për sigurinë e furnizimeve energjetike të Europës”.

Përfundimi me sukses i ndërtimit dhe funksionimit të gazsjellësit “TANAP”është me rëndësi të madhe për Europën, sepse ai do të realizojë një burim të pavarur dhe sasira gazi, që nuk do të varen nga humori politik dhe gjeopolitik rus. Vërtet kapaciteti i “Korridorit Jugor të Gazit”, që pritet të kalojë nga TANAP në gazsjellësin TAP, do të jetë në kuotën prej 31-32 miliard metra kub në vit dhe planifikohet të shkojë deri në 60 miliard metra kub në vit, shifër që është e ulët në krahasim me ato 200 miliard metra kub gaz, që Rusia i shiti Europës në vitin 2018, por mund të thuhet se ndërtimi i korridorit europian të gazit ka krijuar një rregullator gjeopolitik në raportet midis BE dhe Rusisë.

Ka krijuar një raport të ri, sepse thyen monopolin e Rusisë në tregun e furnizimit të Europës me gaz. Strategjia ruse në planin energjetik ka qenë dhe është gjithmonë ruajtja e monopolit të tregut energjetik dhe e vartësisë së vendeve europiane nga gazi rus. Rusia gjithmonë përpiqet të ruajë monopolin e furnizimit dhe të pronësisë së saj mbi gazsjellësit me qëllim që kontrolli dhe diktati i saj mbi vendet marrëse të gazit rus të jetë sa më i plotë dhe i pakundërshtueshëm. Tani me korridorin e ri europian të gazit nga Azerbajxhani në Shqipëri ky monopol rus thyhet dhe kjo shpie në një fazë të re të ndryshimit të ekuilibrave energjetikë, strategjikë dhe gjeopolitikë.

Ka krijuar një raport të ri gjeopolitik, sepse ka përfshirë më shumë Ballkanin në strategjinë energjetike europiane dhe në rregullatorin e ri të tregut të gazit ndërkombëtar. Në korridorin europian të gazit, që kalon në katër shtete anëtare të NATO-s, Turqi, Greqi,Shqipëri dhe Itali, kemi shtrirjen e kontrollit europian dhe atlantik të këtij korridori strategjik, jashtë ndikimit dhe presioneve energjetike dhe strategjike të Rusisë. Korridori europian i gazit nga Azerbajxhani në Shqipëri thyen monopolin e furnizimit me gaz, që ka tentuar Rusia të krijojë edhe në Ballkan, edhe në Europë, me ndërtimin e gazsjellësve të saj në gadishullin ballkanik, që nga “South stream” i dështuar e deri tek gazsjellësi i ri, që ajo po ndërton në Bullgari dhe në Serbi.

Image

Në kuadër të planifikimeve energjetike, strategjike dhe gjeopolitike, merr rëndësi të veçantë për Ballkanin dhe për Shqipërinë fakti që “Korridori Jugor i Gazit”, do të kalojë nëpër gazsjellësin TAP, duke transmetuar gazin e gazsjellësit të sapondërtuar TANAP. Përbën një element të rëndësishëm strategjik për BE dhe për NATO-n fakti që Ballkani nuk mbetet më domen i gazsjellësve rusë, por dominohet tani nga Korridori europian i gazit. Ky element merr rëndësi të veçantë në dritën e përpjekjeve ruse për të neutralizuar ardhjen në Europë të gazit nga burime të tjera të Azisë, të Lindjes së Mesme apo të Afrikës së Veriut, nëpërmjet Ballkanit drejt vendeve europiane.

Shqipëria zë një vend të rëndësishëm tranzitimi në Korridorin europian të gazit, sepse me TAP-in lidh territorin e Ballkanit me territorin italian. Shqipëria është përfshirë në planifikimet e reja të vazhdimit të këtij korridori europian edhe në drejtim të veriut të Ballkanit, si nyje kyçe e transmetimit të gazit azer nga TAP i territorit shqiptar në gazsjellësin e ri Adriatiko-Jonian drejt Kroacisë dhe Italisë së Veriut. Shqipëria pritet të ketë përfitimet e saj të mëdha ekonomike, financiare dhe energjetike nga tranzitimi i gazit azer në territorin e saj dhe për të është shumë pozitive që mbaroi së ndërtuari gazsjellësi TANAP si pjesë e korridorit europian të gazit.

Vlen të theksohet me këtë rast fakti i rëndësishëm strategjik që BE dhe kompanitë e mëdha energjetike europiane këmbëngulën që gazi azer të kalonte nëpër territorin e Shqipërisë drejt ItaIisë dhe refuzuan propozimet greke, që kërkonin kalim direkt të tubacioneve të gazsjellesit TAP nga Greqia në Itali, duke shmangur Shqipërinë. Nga pikëpamja strategjike ka rëndësi që furnizimet e gazit azer në gazsjellësin tonë TAP do të vijnë nga gazsjellësi TANAP dhe Greqia do të jetë thjesht një shtet tranzitimi, i cili nuk do të mundet të përdorë gazsjellësin TAP si instrument presioni dhe ndikimi në vendimmarrjet politike dhe strategjike të Shqipërisë. Mungesa e rolit ndikues në korridorin europian të gazit duket është dhe një nga arsyet, që në Athinë nuk u tregua ndonjë entuziazëm i madh për përfundimin e gazsjellësit TANAP, që është furnizuesi i gazsjellësit TAP, saqë në ceremoninë e përurimit në 30 nëntor Greqia, megjithëse shtet pjesëmarrës i korridorit europian, dërgoi një delegacion të nivelit të ulët me zëvëndësministër, në një kohë që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, që nuk marrin pjesë në korridorin europian të gazit, dërguan ministra.

Përfundimi i gazsjellësit TANAP si boshti kryesor i korridorit europian të gazit përbën një arritje energjetike dhe gjeopolitike për Bashkimin Europian, por edhe për gjithë shtetet pjesëmarrëse të këtij korridori, përfshirë edhe Shqipërinë. Fakti që korridori evropian i gazit do të shërbejë si rregullator gjeopolitik, duke lidhur vendet pjesëmarrëse më shumë me BE-në dhe me NATO-n, dëshmohet nga shqetësimi i ri, që krijoi në Moskë përfundimi i gazsjellësit kryesor TANAP të këtij korridori.

Menjëherë në Rusi qarqet mediatike, politike dhe energjetike dhanë alarmin se tani që korridori europian i gazit mori formë konkrete funksionimi, do të krijohet një konkurrencë për kompaninë e madhe shtetërore ruse të gazit “Gazprom”, e cila është një nga instrumentet kryesore të politikës së jashtme ruse për ndikim në Europë dhe më tej. Në datën 2 dhjetor agjencia ruse “rosbalt.ru” shkruante se “shumë priren ta quajnë gazin azer konkurrent serioz të“Gazpromit” dhe a do të vuajnë interesat financiare dhe politike të gjigandit rus”. “Gazeta.ru” në datën 18 nëntor shkruante se TANAP mund të krijojë konkurrencë për “Gazpromin” për shitjen e energjisë në Europë dhe në Turqi. Kurse “Agjencia Ruse e Informacionit Ekonomik”shkruante në 19 nëntor se përfundimi i TANAP-it është negativ për “Gazpromin” në një perspektivë afatgjatë.

Image

Shqetësimi rus është padyshim financiar, sepse humbet monopolin dhe fitimet në tregun ndërkombëtar energjetik europian. Shqetësimin rus e bën më të ndjeshëm fakti që në koniunkturën e tanishme konstatohet një ulje e konsumit të gazit rus në shumë shtete europiane dhe hyrja e tanishme e gazit azer e pakëson në të njëjtën masë sasinë, që do të merrej nga Rusia. Ky ndryshim burimi, si dhe ulja e çmimit të gazit në tregun ndërkombëtar, pakëson në mënyrë të ndjeshme përfitimet financiare të Rusisë, e cila pikërisht mbi këto të ardhura nga gazi dhe nga nafta ka ndërtuar planet e projektet e rritjes së fuqisë ushtarake dhe strategjike ruse në shkallë kontinentale dhe globale.

Përtej humbjeve financiare dhe ekonomike, pakësimi i vartësisë energjetike të vendeve europiane nga gazi rus sjell edhe ngushtimin e hapësirave të diplomacisë dhe të shtetit rus për shtrirjen e ndikimit në vendet europiane. Përdorimi strategjik dhe gjeopolitik i gazit rus është manifestuar në mënyrë brutale në marrëdhëniet dhe politikën e Rusisë ndaj Ukrainës. Rusia po ndërton gazsjellësit e saj në veri të Europës dhe në  Ballkan e nisur nga interesa politike dhe gjeopolitike, për ta dënuar Ukrainën për orientimin e saj të integrimit europian dhe atlantik, duke e shmangur transmetimin e gazit rus për në Europë nga Ukraina. Ndërsa Rusia po bllokon Ukrainën, shikon se korridori europian i gazit hyri në funksionim, duke shmangur monopolin dhe presionin rus.

Ndërtimi i gazsjellësit europian të korridorit jugor të gazit krijon një fazë të re më konsoliduese në drejtim të marrëdhënieve midis shteteve pjesëmarrëse të këtij korridori, si dhe midis shteteve pjesëmarrëse dhe vetë BE. Shqipëria fiton kapacitete të reja pozitive strategjike, që e bëjnë atë të zërë një vend mëme peshë në skakierën ballkanike dhe të luajë një rol më aktiv në politikën kontinentale./Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat