Në cilën hartë është (zh)vendosur Kosova, Edi?

Opinione

Në cilën hartë është (zh)vendosur Kosova, Edi?

Nga: Fadil Lepaja Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 15:17
Fadil Lepaja

Rrjeti thyhej nën peshën e zisë, që kullonte nga rroba e zezë, e kryeministrit shqiptar. Tashmë, askush më nuk përpiqet të dekodoj veshjen, të tij.

Kush e deshifron kodin e veshjes së kryeministri shqiptar, e kalon testin e tij të inteligjencës. Deri tash, rezultatet janë dëshpruese, sikurse ato të kosovarëve në “PISA”.

Nejse, edhe Edi, sikur “PISA”, vazhdimisht e teston popullin e tij. Ky nuk e meriton këtë popull, jo falënderues, por këtë fat e kishte ai, sikurse edhe populli me të.

Të kuptohemi, ishte periudhë krize këto ditë. Krizë e përgjithshme, kur ekipe nga i gjithë regjioni, përpiqeshin të shpëtojnë çfarë mund të shpëtohet nga qyteti “potemkin”, ndërtuar me leje të (sh)paguara, dhe do ti, në gjithë këtë kaos, ekipet ndërkombëtare, një qytetari ja shpëtojnë gruan nga rrënojat, pa e pyetur fare. Jo vetëm e shpëtojnë (fatlumen) nga ndërtesa, pa e pyetur burrin e saj, por e “shpëtojnë” edhe nga ai, dhe e zhvendosin në një hotel. Kur kjo ngjarje adresohet te kryeministri shqiptar, nga ana e bashkëshortit të injoruar, dhe komentohet nga ai, ajo bahet virale.

I pikëlluar, i shkretë dhe skajshëm i shqetësuar dukej, bashkëshorti “i pafat”, i cili i ankohej Edit për çështje protokolli. Ja kanë marrë gruan. Ai nuk e kishte kuptuar, në krejt atë kaos institucional, se kush ja ka marrë, as ku ja kanë quar, por ankesa e tij kryesore duket se ishte pse krejt kjo qenka bërë pa lejen e tij.

Pra, e marrin gruan “e burrit”, e (zh)vendosin në një hotel, pa e pyetur kreun e shtëpisë, së shkatërruar nga tërmeti. Tash ishte shkatërruar shtëpia, e jo familja, pretendon ai. Kjo është drama e njeriut të zakonshëm. Ai, natyrisht, si “kreu i shtëpisë”, pasi mbeti pa shpi edhe pa grua, ku do të përplasej me hallin e tij, ja që i zë rrugën kreut të qeverisë, të cilin me që ra fjala, në atë tollovi as që e pyeste kush gjë. Por Edi nuk ka nevojë ta pyesin, mjafton të ndiqet nga kamerat, se ai flet vet, e thotë çfarë ka për të thënë, lë namë dhe ikë në storien e radhës.

Në fund të fundit, mjafton se sillet vërdallë, i veshur me rrobën e tij plot mesazhe të koduara. Që ta keni të qartë ju, rëndësia e Edit i tejkalon kufijtë nacional. Ai është njëri nga “trojka” e famshme e “mini-shengenit”. Ai lëvizë kufij, ai luan me shtete dhe popuj. Ky po që është rol.

“Më kanë marrë gruan, pa më pyetur”, vazhdon avazin, bashkëshorti i nëpërkëmbur. Këtu është ai momenti dramatik, kur Edi kapet fyt a fyt me Lekë Dukagjinin, nën vëzhgimin e “paparacëve” zyrtarë, që edhe këtë betejë të tij e plasojnë menjëherë në rrjet, me krejt mesazhin edukativ.

“Ka ikur nga ky, gruaja” jep mesazhin, ai me humor të errtë. Por, ku të ikë qytetari nga komentet e Edit, i cili deshe apo nuk deshe ti, të hedh batutat e tij, të pëlqyen apo jo? Nuk i shpëton, dot.

Pastaj, ishte kaos në Shqipëri ato ditë. Kishin ardhur ekipe ndihme nga shtetet e rajonit, miqësore të gjitha, sepse Edi ska probleme me askë.Askush nuk i raportonte askujt. O burra, të shpëtojmë çfarë mund të shpëtohet. Dështoi dhe protokolli i ministres së mbrojtjes e cila deshi të priste me protokol ekipet e shpëtimit. Si njoftojnë disa media, ushtria e Kosovës nuk u prit me flamur, të Kosovës, ashtu si u pritën ekipet e vendeve të tjera, përfshi edhe ekipin serb të emërgjencave nga Nishi dhe Kragujevci.

Tashmë nuk përbën lajm se ministrat e qeverisë Rama kanë probleme me hartat, dhe kufijtë. Sidomos me atë të Serbisë dhe Kosovës. Tashmë nuk paraqet lajm, as qëndrimi i qeverisë Risi doli vetëm çështja e mosrespektimit të flamurit të Kosovës. Është e ditur se Rama ende nuk e ka të qartë se me kë e ka kufirin në Morinë: me Kosovën apo me Serbinë?

Në disa nga librat shkollor, të Republikës së Shqipërisë, po ashtu nuk ka këso probleme. Kosova është aty ku ishte njëqind vitet e fundit, pra në kuadër të Serbisë dhe këtë nuk e kishte vrejtur as ministrja e arsimit e cila përndryshe vjen nga Kosova. Rama, në fakt duket se nuk priste nga një ministre e arsimit, kosovare, të shfletojë librat shkollorë, dhe sidomos hartat dhe të mësojë nxënsit shqiptarë se ku i bie Kosova. Mjafton se Kosova është në Qeverinë Rama, apo jo?

Pra, si po e shihni, gjithçka kalohet ma lehtë me një kryeminister që ka prirje për humor, qoftë edhe të zi. Stresi i Edit, nuk është nacional. Probleme ka vetëm me Kosovën, e cila merret me çështje të tejkaluara si kufijtë dhe sovraniteti.

Por të kthehemi te personazhet tragjikomike të krizës. Ku, në cilin hotel mbeti gruaja fatlume që po kërkohet nga bashkëshorti i pafat? Të kuptohemi, nuk është humor i zi, sepse humor të zi mund të bëjë vetëm Edi Rama. “Ik ore ti, te gruaja në hotel, çfarë pret”, po i thoshte ai burrit të “zhburrëruar”?

Në cilën hotel, më falni, në cilën hartë re keni (zh)vendosur kosovën, Edi? Doni ta shpëtoni nga qytetarët e saj?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat