Padia e Ramës kundër Haradinajt, padi kundër shqiptarëve

Opinione

Padia e Ramës kundër Haradinajt, padi kundër shqiptarëve

Nga: Skënder S. Kapiti Më: 24 janar 2020 Në ora: 20:05
Skënder S. Kapiti

Aventura antishqiptare e “minishengenit” është  kundërshtuar mbarëkombëtarisht nga të  gjithë  shqiptarët: nga shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë , Maqedonisë së  Veriut, nga shqiptarët që  jetojnë  më  trojet e tyre në  Mal të  Zi, Preshevë   dhe nga diaspora.

Po kështu edhe ndarja e Kosovës, kjo ide dhe ky  projekt Rama-Vuçiç është kundërshtuar  nga të gjithë shqiptarët si një platformë  shkatërruese për shtetin e Kosovës dhe kundër linjës politike të BE-së.

Madje kjo ide u shkatërrua falë edhe këmbëguljes së kancelares gjermane Angela Merkel.

Prandaj padia e kryeministrit të Shqipërisë kundër kryeministrit të Kosovës R. Haradinaj është si një padi e ngritur  kundër të gjithë politikës e politikanëve të Kosovës  të cilët në jo pak raste edhe janë fyer e sharë  prej tij, por kjo padi e turpshme e tij është kundër  gjithe shqiptarëve të cilët  e kundërshtuan fuqishëm coptimin e Kosovës.

Mosprania e kryeministrit të Shqipërisë  Edi Rama në Kosovë as në përkujtimin e 21  Vjetorit të Masakrës së  Reçakut me 15 Janar 2020 , si dhe as në Akademinë Përkujtimore “Faleminderit Shqipëri” në respekt të mikpritjes vëllazërore të të dëbuarve shqiptarë të Kosovës, këto mungesa të tij nuk ishin rastësore. Por arësyeja është ajo se Kryeministri i Shqipërisë e ndjen dhe e ka “kuptuar”se ai është i padëshirueshëm dhe  as i mikpritur në Kosovë për të gjitha ato sjellje e veprime të papërgjegjshme të tij kundër interesit kombëtar dhe sidomos kundër integritetit territorial  dhe sovranitetit të Kosovës.

 “Minshengeni” Serbi, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri pa Kosovën i shërben strategjisë së Beogradit i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës, por lufton në maksimum kundër integrimeve dhe njohjeve të saj , nuk njeh as genocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës por edhe  punon  për izolimin e Kosovës.

Kjo  sepse Beogradi e ka strategji kombëtare e shtetërore antishqiptarizmin dhe rrënimin e izolimin e Kosovës. Pas dështimit për ndarjen dhe coptimin e Kosovës u hodh në skenë me urgjencë “teoria” e të ashtuquajturit “minishengen” të cilën ashtu sikurse edhe ndarjen e Kosovës e mbështet dhe e përkrah edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, një intrigë, pabesi  dhe thikë e thellë kjo pas shpine nga Tirana për Kosovën.

Ngatërresat apo konfliktet; nismat, marrëveshjet dhe deklaratat e “pamatura”, “të ngutshme” , të nxitura e të motivuara nga interesa të ngushta pesonale e partiake  politike e pushteti të cilat bëhen nga politikanët dhe pushtetarët e lartë dhe injorantë atëhere  ato i  bëjnë dëme shumë të mëdha kombit: nxisin edhe urrejtje, reagime  e përçarje brënda tij.

Këto i shfrytëzojnë në maksimum armiqtë e shqiptareve dhe sidomos edhe elemetët shqipfolës shqiptarofob  dhe serbo-grekofil si dhe  mediatikët mercenarë në Shqipëri kundër kombëtarizmit dhe patiotizmit të vërtetë shqiptar.

Duhet parë, studiuar e gjykuar me shumë kujdes  “mosmarrëveshjet” apo “grindjet” e zënkat politike të disa politikanëve shqiptarë  pasi ato edhe kanë  qëllim dhe strategji djallëzore e cila është: largimi dhe distancimi kombëtar mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës e që i shërben edhe idesë antishqiptare për komb shqiptar dhe komb kosovar.

Me veprimet antiKosovë që ka kryer  Kryeministri i  Shqipërisë de fakto ato e shpallin atë si person “non grata” në  Kosovë .

As nuk perceptohej dhe as nuk do të besohej se ndonjëherë do të kishte një “padi” të ndonjë kryeminisri të Shqipërisë kundër atij të Kosovës dhe anasjelltas.

Por, edhe nuk do të besohej se ndonjë kryetar shteti apo kryeministër nga Shqipëria se do të merrte inisiativë personale për pajtimin  shqiptaro-serb duke mospërfillur dhe duke anashkaluar Kosovën, madje duke cituar edhe citate të  antishqiptarit të madh Ivo Andriq,  dhe as nuk mundet që një nismë e tillë të iniciohej nga Shqipëra kur autor i  krimeve  dhe të genocidit janë serbët; dhe nuk duhet të kërkohet pajtim  nga Shqipëria në emër të viktimave që janë  shqiptarët të Kosovës, dhe as pa i pyetur ata.

Pa kërkuar falje Serbia për krimet dhe genocidin e saj kundër shqiptarëve të Kosovës nuk mund të ketë as pajtim mes shqiptarëve e serbëve.

Ky ishte gabimi i parë i madh që ka bërë kryeministri shqiptar E.Rama. 

Nuk duhej të vendosej taksa antiKosovë e “Rrugës së Kombit” pa u konsultuar të paktën me Prishtinën dhe as të kërkosh minishengenin ballkanik kur Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës.  Kryeminisri i Shqipërisë para se të kërkosh minishengenin ballkanik,  realizo dhe bëje së pari minishengenin shqiptaro-shqiptar, Shqipëri-Kosovë dhe mos vendos barriera e pengesa komunikimi  dhe bllokimi mes shteteve shqiptare si traun  dhe taksën gjobë të rrugës për shqiptarët e Kosovës.

Për këto dhe të tjera sjellje si të tilla p.sh . edhe ajo e “korigjimit të kufijve”  nuk ka pasur kundërshti vetëm nga politika, akademia, media  dhe shoqëria shqiptare e Kosovës por edhe nga politika dhe shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe sidomos nga Presidenti i saj, Ilir Meta, cili është personazh gjithkombëtar i Vitit 2019, pra  edhe më  i dëshirueshmi dhe më i mikprituri në Kosovë. Kjo pasi për herë të parë ne histori Shqipëria ka sot një burrështetas si Presidenti Meta  cili i përkushtohet me seriozitet dhe me përgjegjshmëri morale e patriotike çështjes gjithshqiptare në ndihmë, në respekt dhe në mirënjohje të thellë kombit në tërësi dhe Kosovës në veçanti , e cila ka nevojë për mbështetjen dhe përkrahjen vëllazërore të Shqipërisë për shtetndërtimin, për zhvillimin , për  integrimin dhe për njohje ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat