Të lumtë mendja, Albin Kurti

Opinione

Të lumtë mendja, Albin Kurti

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 1 shkurt 2020 Në ora: 22:20
Albin Kurti

Por, kompromisi i fundit të cilin z. Albin Kurti u detyrua që ta bënte ndaj LDK-së si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, duke ia dhuruar postin e krye-parlamentarit me qëllim të vetëm të arritjes së marrëveshjes bashkë qeverisëse me këtë partner në bisedime, do hynë pa dyshim në analet politike të historisë së re Kosovës, si njëri ndër aktet dhe veprimet më kuptimplota që ndonjëherë e ka bërë ndonjë politikan shqiptar..!?

Sepse, jo vetëm se me këtë kompromis i dha fund pritjes dhe zhgënjimit të 425 mijë votuesve për zhagitjen e formimit të qeverisë për gati dy muajve bisedime me LDK-në, në fakt i hapi rrugë të pakthyeshme formimit të qeverisë së re të Kosovës, me vetë Albin Kurtin kryeministër.

Po ashtu, po qese i bëjmë një analizë pak më të detajuar bisedimeve që janë mbajtur midis grupeve punuese nga këto dy parti mbi një muaj e më tepër, por shikuar edhe me logjikën e shëndosh, rezultoi se, edhe pse këto dy subjekte partiake nuk kanë pika të përbashkëta ideologjike si dhe programore me njëra tjetrën, është pikërisht Albin Kurti, ai i cili me ekipin e tij negociues si dhe me një durim të paparë iu dha përmbajtja dhe kuptim cilësor këtyre bisedimeve, duke e shpëtuar vendin nga hyrja në një krizë të re politike, madje deri në bllokadë të plotë të funksionimit të institucioneve të Kosovës!

Edhe pse në kushte shumë të rënda në të cilat u zhvilluan bisedimet, përkatësisht nën të cilat u dhanë ofertat dhe kundër ofertat, të cilat shpeshherë ishin të papranueshme nga ana e LDK-së, sulmet dhe kritikat e hapura në opinion kundër LVV-je dhe liderit të saj, Albin Kurtit, sidomos nënçmimi dhe deklaratat e vrazhda që i bëheshin z. Albin Kurti nga disa zyrtarë të lartë të LDK-së, tërheqja herë pas here nga bisedimet e Isa Mustafës me ditë dhe javë, përhapja e dilemave dhe hamendësimeve në opinion rreth (mos) mundësisë për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës, tensionimi i atmosferës dhe kushtëzimet e rënda për vazhdimin e bisedimeve, siç ishte kërkesa për postin e presidentit, pastaj loja (kurthi) i LDK-së me votimin e kryetarit të Parlamentit, z. Glauk Konjufca, më pas kërkesa me çdo kusht që LDK-së t’i kthehet posti i kryetarit të Kuvendit, etj., të cilin më në fund LVV-je u detyrua t’ia jap LDK-së, etj., paraqesin shembullin më të pa precedencë si dhe rastin më të vështirë të mbajtjes së bisedimeve që kanë zhvilluar ndonjëherë dy parti politike shqiptare me tjetrën për arritjen e marrëveshjes për të bashkë qeverisur..!?

Pra, në një atmosferë kaq të tendosur për bisedime, mos gatishmëria e LDK-së për të lëshuar pe për asnjë milimetër ndaj kërkesave të saja, deri në çastin e fundit siç është kthimi i postit të krye-parlamentarit, etj., të gjitha këto peripeci dhe vështirësi të mëdha me të cilat u ballafaqua fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit, z. Albin Kurti dhe partia e tij gjatë bisedimeve me LDK-në dhe zyrtarët e saj, ishte vetëm Albin Kurti, ai i cili falë urtësisë, guximit, mençurisë, përkushtimit dhe patriotizmit të tij prej lideri të mirëfilltë politik e kombëtar, do arrijë t’i gëlltis dhe kapërcejë me dhimbje, por edhe me sukses këto pengesa dhe vështirësi, krejtësisht me qëllim të vetëm që Kosovën ta nxjerr nga amullia dhe mos funksionimi i organeve dhe institucioneve shtetërore të Kosovës mbi 6 muaj e më tepër!

Zotëri Glauk Konjufca është shqiptar, ai nuk ishte serb, ai u zgjodh me 75 vota të deputetëve legjitim për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, andaj pse duhej që mandatari për formimin e qeverisë, z. Albin Kurti, ta sakrifikonte atë dhe postin më të lartë shtetëror, i cili edhe ashtu i takonte me kushtetutë fituesit të zgjedhjeve, apo pse LDK-ja nguli këmbë dhe e cila nuk bëri asnjë kompromis të mundshëm, duke e detyruar z. Albin Kurti ta bënte kompromisin e radhës, si dhe shumë pyetje tjera në të cilat përgjigjen meritore do ta jep koha si dhe ngjarjet që do pasojnë muajt dhe vitet në vazhdim, se kush ishte fajtori i gjithë kësaj loje politike me ndjenjat dhe votat e sovranit..!?

Të lumtë mendja e ndritur që e ke, z. Albin Kurti, sepse me këtë lëshim pe si dhe me plotësimin e gjitha kërkesave të LDK-së, duke ia dhuruar edhe postin e kryetarit të Kuvendit, dëshmove katërçipërisht lartësinë intelektuale si dhe përkushtimin tënd prej atdhetari, se Kosovën dhe interesat e popullit shqiptar i ke dhe i mbanë mbi çdo obligim dhe detyrë tjetër politike dhe kombëtare, vetëm që Kosovën ta bësh me qeveri dhe organe funksionale shtetërore..!!             

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat