Kush ka të drejtë, Albin Kurti apo Agim Veliu?

Opinione

Kush ka të drejtë, Albin Kurti apo Agim Veliu?

Nga: Faton Mehmeti Më: 20 mars 2020 Në ora: 08:00
Albin Kurti dhe Agim Veliu, foto ilustrim nga "Bota sot"

Pak kush e kishte imagjinuar se do të ndodhte përmbysja e madhe politike në Kosovë, pikërisht në kohën kur vendi po përballët me epideminë e Covid 19. Një deklaratë e Agim Veliut në cilësinë e Ministrit të brendshëm, pasoi me shkarkimin e tij nga kjo detyrë, me pretekstin “e përhapjes së panikut”. Askush me dy fije mend nuk e absorbon dot këtë fakt, duke zbërthyer tashmë në “enigmën”  e arsyes së vërtetë. Agim Veliu u përdor si karrem nga Albin Kurti për të iniciuar shkarkimin e qeverisë së tij, nga frika ecjes së rrugës me gjemba që e pret. Përse pikërisht Agim Veliu u përdor si karrem, mund të ngreh pikëpyetjen e madhe çdo qytetar i vendit. Së pari Agim Veliu njihet se ka qenë kundër formimit të koalicionit, prandaj edhe iu dha një pozitë aq me rëndësi në qeveri, për të shuar zërat kritikë brenda LDK-së, me qëllim që qeveria mos të ishte e sabotuar nga brenda. Duke qenë njëri ndër njerëzit më të besuar të kryetari Isa Mustafa, me qëllim të madh Albin Kurti ka prekur tek z. Veliu, pasi e dinte se këtë gjë z. Mustafa nuk mund ta falte. Kjo edhe duke shkelur marrëveshjen e koalicionit që i pamundësonte z. Kurti të shkarkonte ministrat e LDK-së pa marrë bekimin e kreut të LDK-së, që në këtë rast nuk ka ndodhur. Për të rrëzuar edhe më poshtë tezën e z. Kurti për gjoja përhapje të panikut, atëherë si shpjegohet fakti se ministri tjetër z. Blerim Reka bëri lapsus të madh kur u deklarua pro që Serbisë t’i hapet dalja në det përmes Kosovës. Në këtë logjikë edhe bie poshtë arsyetimi i kryeministrit që përdori dy standarde të ndryshme. Por a thua, cila është arsyeja e vërtetë e z. Kurti?

Së pari duhet kujtuar se z.Kurti është vu nën presion të madh të administratës Trump për të hequr tarifën pa asnjë kusht, dhe menjëherë.  Këtu edhe fshihet e tërë “hilja” e lojës që ka përdorur z. Kurti për të dalë nga kjo situatë. Albin Kurti e dinte shumë mirë se me heqjen e tarifës do të përshpejtohet përfundimi i bisedimeve me Serbinë, me të gjithë opsionet e hapura, pa përjashtuar këtu ndarjen. Të ndodhte një gjë e tillë nën mandatin e tij do i faturohej gjithmonë z.Kurtit si faturë politike, të cilën ai nuk mund ta bënte dot. Qëllimi i z. Kurti ka qenë që këtë proces ta vononte sa më shumë që mundet, mundësisht deri në fund të vitit, atëherë edhe kur mbahen zgjedhjet në SHBA. Në pamundësi që kjo gjë të bëhet, pasi presioni ishte i madh, dhe në ditën kur shkarkoi z. Veliu nga posti i ministrit, pikërisht pra këtë të mërkurë ambasadori Kosnet bëri thirrje që tarifa të hiqet menjëherë. Edhe presioni nga partneri i koalicionit ishte i madh për të hequr tarifën, kështu që zgjodhi Agim Veliun për t’ia lënë të tjerëve fajin. Mundësia për të dhënë dorëheqje do ishte kundër tij politikisht, gjë që mund të përdorej nga kundërshtarët e tij për dezertim, andaj zgjodhi të prekte LDK aty ku nuk mbante, që të shkarkonte këtë qeveri, me bindjen se shkuarja në zgjedhje dhe formimi i qeverisë së re do ishte në përputhje me parashikimet e tija që ky proces të shtynte hapjen e bisedimeve me Serbinë nën administratën Trump, e cila ka interesat e saja lidhur me përfundimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, për të paraqitur për konsum të brendshëm. Pra, secili ka lozur sipas interesave të tija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat