Mjaftë më; spekulantëve me kushtetutën dhe verdiktin e popullit për grabitjen e pushtit me dhunë!?

Opinione

Mjaftë më; spekulantëve me kushtetutën dhe verdiktin e popullit për grabitjen e pushtit me dhunë!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 3 prill 2020 Në ora: 19:00
Rexhep Elezaj

Nuk ka asnjë dyshim, se ngjarjet në skenën politike të Kosovës në muajt e fundit, sidomos këto që po ndodhin në kohën e pandemisë globale të Korona virusi, siç ishin stërzgjatja e numërimit dhe rinumërimit të votave nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, stërzgjatja e arritjes së koalicionit bashkë qeverisës midis LVV-je dhe LDK-së, posaçërisht rrëzimi i qeverisë “Kurti” me 25 mars përmes mocionit të votëbesimit, ende pa i bërë 100 ditë qeverisje, shkelja drastike e Kushtetutës nga presidenti i vendit, H. Thaçi, përmes thirrjes së tij drejtuar qytetarëve për mosdëgjim dhe respektim të urdhrave dhe udhëzimeve të qeverisë për kufizim të lëvizjeve të tyre për t’u mbrojtur nga infektimet me Korona virusin, pastaj tentimet dhe spekulimet politike “Thaçi-Mustafa” për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe tash së fundi edhe tentimi antikushtetues për formimin e qeverisë tjetër, duke joshur LDK-në si mandatare të dytë, përveç se janë veprime puro antishtetërore, në anën tjetër, botës perëndimore dhe demokratike i kanë dërguar mesazhin më të dëmshëm për Kosovën, se shqiptarët si popull dhe shoqëri nuk dinë dhe as janë të zotët me bërë dhe mbajtur shtet normal..!?

Ja p.sh. spekulimi politik që po e bëjnë me Kushtetutën tandemi siamez dhe antikombëtar “Thaçi-Mustafa”;

1.), Akuzën e tyre tendencioze dhe ogurzezë, se qeveria “Kurti” me vendimin e saj për kufizim të lëvizjeve të qytetarëve në kohë të pandemisë dhe rrezikut nga COVID-19, ka bërë shkelje “të rënd kushtetuese”, e ka demantuar qartë Gjykata Kushtetuese më 31 mars 2020, e cila “njëzëri SHPALLI, që Vendimi nr. 01/15 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 23 marsit 2020, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 të Kushtetutës..”, pra në vendim askund nuk thuhet se ka bërë shkelje të rënd kushtetuese, veçse kemi të bëjmë me “shmangie” kushtetuese, lexo; jo përputhshmëri. Ndërsa në vazhdim në Vendim shkruan, se “ky aktgjykim, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, nenin 20.5 të Ligjit dhe rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, hyn në fuqi më 13 prill 2020..”. Që nënkupton qartë, se sikur të kishte qenë vendimi i qeverisë antikushtetues, gjykata do ta anulonte menjëherë dhe nuk do ta zgjaste hyrjen në fuqi të Vendimit të saj me 13 prill. Pra, e ka zgjatur vendimin e qeverisë sepse ka qenë e vetëdijshme se një vendim i tillë, qoftë edhe shmangie e butë nga normat kushtetuese në rrethana emergjente për shkak të shëndetit të popullsisë, faktikisht nuk paraqet cenim real të lëvizjeve të lira të qytetarëve dhe as shkelje kushtetuese..!?

2.), Konsultimi i presidentit me partitë politike për mundësitë e zgjedhjes së një qeverie tjetër, para se  partisë fituese (LVV) t’ia kërkojë emrin e mandatarit të dytë, e cila në afat prej 15 ditësh provon me formuar qeverinë e radhës, dhe, nëse e njëjta nuk arrin ta bëjë atë brenda këtij afati, ai (presidenti) prapë të njëjtës parti ia jepet mundësinë e dytë që brenda 10 ditësh ta formon qeverinë. Por, po qese ajo (partia fituese) edhe pas tentimit të dytë dështon ta formojë qeverinë, tek atëherë presidenti mund ta shfrytëzon diskrecionin kushtetues për t’i thirrur në konsultim subjektet parlamentare për gjetjen e mundësive optimale për formimin e qeverisë, me qëllim të vetëm që të shmangën zgjedhjet e parakohshme (Neni 95, pika 2 dhe 4). E gjithë kjo procedurë e paraparë me Kushtetutë, po qese për këtë propozim pajtohet edhe partia fituese e zgjedhjeve. Përndryshe me automatizëm shkohet në zgjedhje të parakohshme.

3.), Krejt bota perëndimore e ka marrë vesh, se Isa Mustafa me LDK-në tij, si dhe gjitha partitë tjera qëllimisht dhe me skenar të përgatitur e rrëzuan qeverinë “Kurti”, për të vazhduar tash me presion psikik ndaj  LVV-je, si parti fituese e zgjedhjeve të fundit, që ajo me zor të heq dorë nga e drejta e saj kushtetuese për formimin e qeverisë së radhës, e që sipas fjalorit politik nënkupton marrje e pushtetit me dhunë, gjegjësisht me grusht shtet, duke e dhunuar Kushtetutën e Kosovës, dhe i cili skenar do të kishte pasoja tepër të rrezikshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!

Andaj, e themi të sigurt, se çdo tentim, shmangie dhe keqpërdorim i normave të Kushtetutës së vendit, çdo presion ose aleancë joparimore midis subjekteve politike që për qëllim kanë largimin e partisë fituese nga qeverisja dhe ardhjen e serishme në pushtet të oligarkisë së korruptuar, keqpërdoruesve të pushtetit ai dhe atyre të cilët me vite e kanë zhvatur buxhetin e Republikës së Kosovës, do jenë të gjykuar që të dështojnë keq si dhe para popullit do japin pashmangshëm përgjegjësi të madhe ligjore, politike dhe kombëtare!

Prandaj, u bëjmë thirrje që t’i qetësojnë ambiciet e sëmura për të ardhur në pushtet me çdo kusht, ta ndihmojnë qeverinë në detyrë që ta kapërcejmë me sa më pak dhimbje dhe humbje pandeminë e Korona virusit, dhe kur të kthehet jeta normale në Kosovë, tek atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme, si rruga e vetme demokratike dhe ligjore që edhe njëherë sovrani i lirë ta jep verdiktin e vet politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat