Siria, ende e rasur thellë në luftëra

Opinione

Siria, ende e rasur thellë në luftëra

Nga: Nasho Bakalli Më: 11 maj 2020 Në ora: 19:44
Nasho Bakalli

Sa njerzishëm bashkohemi në luftën kundër COVID-19, po aq brutalisht mbetemi të ndarë, prej dhjetë vitesh, përballë Luftës Civile në Siri!

Çfarë e shkaktoi kryengritjen?

Një thatësirë e rëndë pllakosi Sirinë nga viti 2007-2010. Ajo solli krahas telasheve ekonomike, edhe shpërnguljen e afro dymilion njerëzve nga fshati në qytete. Këto zhvillime, dhe gjendja azmatike e lirive demokratike ndezën pakënaqësinë popullore, e cila u mpleks me autoritarizmin e qeverisë siriane në një spirale konflikti, që e çoi vendin nga një episod ndërluftues në tjetrin. Sa mësipër do të ishin shuar, me hir apo me pahir, nëse në mars 2011 nuk do të ishte plazmuar Pranvera Arabe, që rrëzoi presidentët e Tunizisë dhe Egjiptit. Këto përmbysje i'u dhanë krahë veprimtarëve sirianë pro-demokracisë. Ata mbushën rrugët e qyteteve. 15 djem u arestuan meqë shkruajtën parulla në mbrojtje të Pranverës Arabe. Republika Arabe e Sirisë e kryesuar nga Bashar Assad (familja Assad sundon në Siri prej vitit 1971... ) ishte mësuar me grushteshteti, por jo me trazira popullore për demokraci, dhe iu përgjigj protestuesve duke vrarë e burgosur qindra prej tyre. Një grup ushtarakësh, me synim rrëzimin e Assadit, formuan, në korrik 2011, Ushtrinë e Lirë Siriane(FSA). Kështu, me pak fjalë, Siria filloi të rrëshqasë në luftë civile

Përfshirja ndërkombëtare

Kjo luftë, që filloi midis sirianëve, mori formë të plotë kur në të u përfshinë edhe aktorë ndërkombëtarë; ushtritë e të cilëve kishin protagonistin, axhendën, dhe mbështetësin e vet shtetror.

*Aktorë arabë pro-Assad në sheshin e betejës janë qeveritë me shumicë shiite të Iranit, Irakut, dhe "shteti Hezbollah" brënda Libanit.

*Ndërsa qeveritë me shumicë sunni si Katari, Arabia Saudite, dhe Turqia mbështesin krahun anti-Assad.

* Rusia hyri në luftë në vitin 2015, dhe që nga ajo kohë ngelet aleati kryesor i Assadit. Në Shtator 2015, Rusia nisi një fushatë bombardimesh kundër atyre që u quajtën "grupe terroriste" në Siri, përfshi ISIL, dhe grupeve rebele anti-Asad të mbështetur nga SH.B.A. Rusia dhe Kina kanë vënë veton, në Këshillin e Sigurimit të OKB, në mënyrë të përsëritur ndaj rezolutave të mbështetura nga Perëndimi për Sirinë.

* Ushtria turke ndodhet në disa zona në veri të Sirisë që prej 24 gushtit 2016; pra, fill pas grushtit dështak të shtetit që u instalua në Turqi në 15 korrik 2016. Ky dështim solli edhe përtëritjen e shpejtë të marrëdhënieve, deri atëhere të venitura, midis Turqisë dhe Rusisë. "Turqia e përdor ushtrinë e saj në Siri për të mposhtur ISIS, si dhe për të zmbrapsur gjithashtu Kurdët... " - shkruan Jen Kirby (reportere amerikane e çështjeve të sigurisë).

*Britania, Franca, Sh.B.A dhe monarkitë Arabe të Gjirit u përfshinë në luftën civile në Siri, qyshse kryengritja kundër Asadit u militarizua në vitin 2012. Këto e të tjera shtete kanë armatosur dhe financuar grupe rebele, përfshi xhihadistët Salafi.

*SHBA, nga viti 2014, mbështet gjërësisht Opozitën Siriane, dhe Federatën e Sirisë Veriore dhe Lindore, si dhe drejton koalicion ndërkombëtar me Anglinë, Francën ... në bombardimin e objekteve ushtarake të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levante (ISIL, i njohur gjithashtu si ISIS. ose IS).

*Pozita e Izraelit kundrejt Sirisë është neutrale; megjithatë, dy vitet e fundit, avionët ushtarak izraelitë kanë goditur objekte të luftëtarëve iranianë, dhe të Hezbollahut, pro-Assadit.

Ndërhyrja e huaj në Siri, që filloi në vitin 2011, u maskua si operacione shpëtimi të sirianëve nga kriza humanitare krijuar nga diktatori Assad. Lufta Civile në Siri, pas përfshirjes të aktorëve ndërkombëtarë, mori tone të larta separatiste tribale, dhe fetare. Ndërhyrja e ndërkombëtarëve luajti një rol çuditërisht luftënxitës, jo paqtues, në Siri

Grupet rebele

Shumë prej tyre iu bashkuan luftimeve qysh në fillim, dhe shpesh herë ato u ndeshën edhe brënda llojit. Ushtria e Lirë Siriane (FSA, krijuar në 2011) u shpërbë, viti 2012, në njësi ushtarake rebele që aktivizoheshin nga Amerika, Turqia, dhe disa vende të Gjirit Persik. ISIL mbiu në Sirinë veriore dhe lindore në vitin 2013. Ky grupim fitoi famë globale për ekzekutimet shtazarake, dhe përdorimin energjik të mediave sociale në rekrutimin e mercenarëve nga tërë dynjaja. Grupe të tjera joshtetrore ishin: al-Qaeda siriane; Forca Demokratike Siriane(SDF) e komanduar nga Policia Kurde. SDF, pasi u mund Shteti Islamik(IS), iu bashkua koalicionit pro-Assad që kundërshton ofensivën turke në Sirinë Verilindore.

Kjo është prania, e padetajuar, e grupeve rebele, edhe në muajin Prill 2020, në territorin e rrënuar të Republikës Arabe të Sirisë.

Bisedimet e paqes

Nuk kanë munguan negaciatat midis qeverisë siriane dhe opozitës me qëllim arritjen e armëpushimit, dhe themelimin e tranzicionit politik në Siri, por, pika e bllokimit bisedimeve vihet sa herë që palët hahen për fatin politik, dhe jetën e Bashar Assadit. Më i pari raund i bisedimeve për paqe, ndërmjetsuar nga OKB, u mbajt në Gjenevë në qershor 2012. Kurse raundi i fundit i po këtyre bisedimeve u mbajt në dhjetor 2017, në Astana(Nur-Sultan, sot) ishkryeqyteti i Kazakistanit. Ky dështoi në mes të një tit-for-tat për sa i takon rolit të Asadit në kushtet e një qeverie tranzitore. Pas denoncimit nga Rusia, Turqia, dhe Irani të planeve për ndarjen e Sirisë u mbajt në Turqi, në 2018, një samit vijues, tre-palësh, që diskutoi çuarjen përpara të planit paqes në Siri. Pak më herët Rusia pat sponsorizuar bisedimet në qytetin Soçi, Detin e Zi, mbi të ardhmen e Sirisë, por, blloku i opozitar sirian e bojkotoi konferencën duke pretenduar se kjo ishte një orvajtje për të zvogëluar rolin e OKB në arritjen e marrëveshjes paqes. Në konferencën e mbajtur në Romë, në dhjetor 2019, Staffan De Mistura, ishkryenegociatori i OKB për Sirinë, iu drejtua pjesmarrësve "Ju nuk mund të kuroni gjithçka. Disa sëmundje janë të vështira - por, a do ta braktisnit ju pacientin?" pyeti De Mistura, dhe vazhdoi "Ju përpiqeni të zvogëloni dhimbjen, derisa të gjehet mjekimi".

OKB-ja nuk i'a doli të realizojë - në shumë raste - as zvogëlimin e dhimbjeve në Siri e jo më paqen.

Refugjatët sirianë

Siria ka sot të regjistruar një popullsi prej 17,500,658; prej të cilëve 60% jetojnë në fshat. Mosha mesatre e popullsisë është 25.5 vjeç. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, në Britani, njofton se për shkak të konfliktit janë shpërngulur brenda, dhe jashtë Sirisë afro 13 milion frymë. Kurse agjensia e refugjatëve e OKB (UNHCR) pat regjistruar, në shkurt të vitit 2018, mbi 5.6 milion refugjatë sirianë në botë; dhe njëkohësisht vlerësote se mbi 6.2 milion qytetarë sirianë qenë zhvendosur brenda kufijve shtetrorë të Sirisë. Sipas një zyrtari turk vetëm 200,000 refugjatë sirianë janë kthyer nga Turqia, e të tjera shtete, në Siri. Në Liban, Turqi dhe Jordani, Greqi janë strehuar pjesa më e madhe e refugjatëve sirianë. Shumë prej të cilëve përpiqen, apo ia kanë dalë të udhëtojnë drejt Evropës. Pafuqia e OKB duket shkoqur edhe në menaxhimin refugjatëve sirianë, kur lufta atje po zgjat më shumë sesa Lufta e Dytë Botërore.

Situata sot

Në Siri ende luftohet, ku? Në disa fronte.

* SHBA pas tërheqjes ushtarake nga Siria, tetor 2019, ka të paktën gjashtë baza ushtarake mbrojtëse të naftës (në Sirinë Lindore) nga sulmet e ISIS, që, megjithëse deklarohet i mundur përsëri lufton! "Sh.B.A ka një mision të ri në Siri: mbajtjen e forcave siriane dhe atyre ruse larg fushave të naftës" - ka shkruajtur një muaj më parë Tom Bowman, reporter i NPR që mbulon Pentagonin.

* Dhuna e armatosur midis ushtrisë të Bashar Asadit dhe forcave të Opozitës Siriane;

* Operacionet ushtarake të forcave turke kundër kurdëve sirianë.

* Si dhe fronti ushtarak i regjimit të Assadit përgjatë kufirit me Turqinë, dhe fqinjët e tjerë.

Interesat e Turqisë në Siri janë të mëdha. Ato synojnë:

- të parandalojnë Kurdët të fitojnë torritore;

- të frenojnë ndonjë rrjedhje tjetër refugjatesh nga Siria drejt Turqisë, ku strehohen, deri në 30 prill 2020, 3.643,700 refugjatë sirianë;

- të forcojnë ndikimin e Turqisë në anën siriane të kufirit përbashkët.

Si paraqitet gjëndja, prill 2020, e kontrollit mbi territorin? Forca e Armatosur Siriane, pro-Assad, ka nën kontroll 66% territorit shtetror; Forca Demokratike Siriane, pro-Assad, 24%; Opozita anti-Assad, dhe Turqia, 9%; ISIL, 1%.

Me këtë situatë kontrolli mbi territorin do të jetë e vështirë për shumë sirianë të pranojnë se revolucioni anti-Assad ka dështuar. Mohimi i dështimit veçse e dënon Sirinë me më shumë muaj të tjerë vuajtje. Slogani më e përsëritur i Luftës është se: Asadi ka vrarë popullin e tij. Ky pohim nënvizon thjeshtë faktin se Lufta dhjetë vjeçare ishte një luftë civile në të cilën, me të njëjtën logjikë, rebelët opozitarë gjithashtu kanë vrarë bashkatdhetarët e tyre pro-Assad.

Do të jetë e vështirë edhe për qeveritë Perëndimore ta pranojnë se Bashar Assadi ka fituar, pas shtatë vite kërkesa të Perëndimit që ai të japë dorëheqjen. Qeveritë Perëndimore nxorrën fitime të pjesëshme nga masakra në Siri, sikurse ato mbajnë përgjegjësi të pjesëshme për masakrën në Siri. Do të jetë gjithashtu e vështirë të pranohet se ndërhyrja ruse ndihmon në përfundimin e luftës. Marrëdhënia mes Rusisë, Turqisë, dhe Iranit në Siri mbetet po aq e shumëanshme sa edhe ajo euroatllantike në Siri.

Asnjë retorikë madhështore, ndjenjëmirë, apo bombardim sporadik nuk do mund ta pengojë regjimin e Asadit - në sheshin e luftës civile - drejt fitores. Tashmë duket qartë se çdo gram ndihmë nga Perëndimi për Opozitën Siriane vetëm zgjat agoninë e Sirisë. Shtatë vite më parë zbulimi, dhe media Perëndimore deklaruan se Bashar Asad ishte gati të binte. Kjo rezultoi e gabuar. Si përfundim: Assadi ka "fituar"; sistemi politik qeverisës nuk ndryshoi; lufta ende nuk ka marë fund për sirianët!?

Gjithësesi pyetja e ditës është: a ka filluar qeveria Siriane ta vrasë mendjen rreth opsioneve të rindërtimit të vendit, që përfshijnë gjetjen e investitorëve për të paguar faturat 400 miliard dollarë; apo Siria do të bëhet një Afganistan tjetër për luftë, kur t'iu teket, fuqive rajonale dhe atyre globale?

Geir O. Pedersen. i dërguar special i OKB për Sirinë, në 24 mars 2020, bëri thirrje për armëpushim të gjithanshëm, dhe përpjekje të përbashkëta për përballimin e COVID-19 në Siri. Nasho Bakalli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat