Liria e Cofur

Opinione

Liria e Cofur

Nga: Nasho Bakalli Më: 9 qershor 2020 Në ora: 21:02
Nasho Bakalli

Jetojmë të përtashmen. Vetëm ajo ekziston objektivisht. Çdo gjë tjetër rreth saj është lojë me koncepte abstrakte të thjeshta e të përbëra, dhe me sjellje subjektive të gjithkahëshme në kohë dhe në hapsirë. Eshtë një lojë që po luhet, fatkeqësisht, edhe brënda sistemit politik qeverisës. I cili paturpësisht na rrëfen, paprerë e palodhje, krahas parimeve të tjera të demokracisë, edhe se ku fillon apo ku mbaron liria e lirisë të votës të deputetit në parlamentin e popullit! Me 60 vota të lira, qeveria A.Hoti nuk miratohej në Parlamentin e Kosovës. Me 61 vota ajo u miratua, ngase... , pra, falë bashkëpunimit korrekt midis shtetit ligjor dhe korupsionit.      

Ligji  nuk i nget të koruptuarit. Sidomos kur ata janë nëpunës shteti. Në fakt, më shumë i mbron kur ata janë liderë shtetrorë. Dhe kjo për shkaqe të arësyeshme. Liderët, kërkojnë herë pas here ndihmën e korupsionit. E kësaj mjeshtërie të ulët, që i zgjati dorën e vet mjeshtërisë të lartë që quhet politikë e brendshme dhe e jashtme, e cila, e la qëllimisht, për disa muaj të gjatë, në gjëndje të mjerueshme, pa mbështetje, qeverinë A.Kurti. Dhe që të jemi të drejtë deri në fund: qeveria A.Kurt nuk u persekutua, as nuk u mbikqyr, por edhe nuk u la në harresë. Taktika e ndjekur për përmbysjen e qeverisë të A.Kurti  - nga pushteti gjyqësor dhe ai ligjbërës -  rezultoi e sukseshme.

Disa gjithollogë thonë se kjo luftë mes pushteteve - për marjen e pushtetit ekzekutiv pa votë popullore - pati për qëllim shëndoshjen e sistemit demokratik qeverisës në Kosovë. Aferim.

Por. Gjthashtu dihet, nga jo pak qytetarë, se SHBA dhe BE këmbëngulin, me të madhe, se reformat dhe vetëm reformat janë mjeti më i dobishëm në luftën kundër korupsionit në parlament, administratën shtetrore, drejtësi, zgjedhjet politike dhe vendore, financat publike; arsim... .

Si përfundim, pa u zgjatur më tej, doli qartë se në Kosovë, në rastin e miratimit të qeverisë A.Hoti, shteti ligjor mbylli një sy - korupsioni hapi tjetrin.

Kjo është loja fatale e demokracisë arbitrare, autokratike, përçudnuese. Ky është virusi bashkëkohor, me përmasa globale, që po na  mpin trupin dhe mendjen. Dhe po na tjetërson, avash-avash, në krijesa endacake, ose pa strehë, domethënë pa Atdhe. Përballë kësaj trysnie tridhjetëvjeçare në Shqipëri, dhe dymbëdhjetëvjeçare në Kosovë - cila është pozita tonë?

Kemi lidhur duart dhe mbyllur gojën. Më konktretisht: Në publik - të gjithë hiqemi sikur e kemi harruar personalitetin tonë vetiak, tradicional familjar, krijues, patriotik në punë dhe jashtë saj. E kundërta ndodh në tavolinë - kur ulemi sëbashku  e rrokullisim ca gota raki. Të gjithëve, si për çudi, na vjen kujtesa e mbarë. Harrojmë kur nuk duhet, dhe kujtohemi kur nuk vlen. Pse ndodh kështu?                         

Ndodh ngaqë jemi të frikësuar. Na kanë frikësuar me papunësinë, pasigurinë e jetës. Na kanë përçarë me korupsionin, arogancën, dhe kaosin e tyre klanor. Sepse fjala, principialiteti, kryelartësia tonë në luftën kundër korupsionit realizohen prej nesh në rrugë parimore, aqsa nuk i lenë asnjë shkak partive politike për tu ankuar haptazi. Principialiteti tonë, nga ana tjetër, krijon te shumica e qytetarëve një pëlqim të bëshëm.

Dhe për izolimin, shtrembërimin, denigrimin, nënvleftësimin e këtij pëlqimit të bëshëm, atdhedashës, hyjnë në valle, kush? Detashmentet laramane propagandistike partiake. Të tëra ato media dhe rrjete sociale që në emër të Lirisë të Individit i'u luten në gjunjë shenjtorëve, të të gjitha feve, t'iu japin jetë të gjatë korupsionit kombëtar, dhe atij ndërkombëtar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat